Opinione

Mes mospërfilljes, kushtëzimeve dhe injorancës

Autori: Agron HOTI 22:00 | 14 November 2020

Shkruan: Agron HOTI

Shtetet e vogla, sidomos ato nëpër rajone historikisht jostabile, armiqësore dhe të varfëra siç p.sh. ka qenë Ballkani në së paku 150 vitet e fundit, e kanë të vështirë të realizojnë shpejtë dhe në masë të madhe objektivat e tyre politike dhe ekonomike.  Sepse përpos varësisë nga e kaluara së rëndësi pengesë serioze për zhvillimenacionale dhe integrime rajonale, shtete të tilla kanë dhe kapacitete të kufizuara në shumë dimensione të mundshme. Gjithsesi që pozita gjeografike e një shteti të vogël ka shumë rëndësi për fuqitë e mëdha sa i përket integrimit ekonomik, transportit, shpërndarjes së energjisë dhe para se gjithash sigurisë fizike.

Një shtet i vogël në vendin e “duhur” në glob mund të bëhet shumë i rëndësishëm për fuqitë e mëdha. Islanda, është rast tipik. Edhe pse me përjashtim të Gardës Detare nuk ka forca të armatosura, vendndodhja strategjike e bën këtë shtet pikë të rëndësishme për sigurinë e transatlantike. Për këtë arsye Islanda hyn në grupin e 12 shteteve themeluese të NATO-s. Ose ta marrim p.sh. Korenë Jugore, Tajvanin dhe Japoninë që gjenden në pikën me nevralgjike në glob për interesat e SHBA-së në Azi Lindore. Kjo sepse pranë tyre kalon mbi 2/3 e tregtisë globale, ndaj edhe janë jetikepër sigurinë e rrugëve detare për SHBA-në në Pacifik dhe jo rastësisht mbështeten fuqishëm nga SHBA.

Ka plot njerëz në Kosovë që mendojnë se edhe vendi ynë i vogël është i rëndësisë jetike për SHBA-në. Sigurisht që SHBA, ka qenë mbështetësi kryesor i shtetbërjes dhe shtetkonsolidimit të Kosovës, sepse mu kjo mbështetje e ka futur Kosovën dhe shqiptarët nën ombrellën e perëndimit për herë të parë qysh prej sundimit të Perandorisë Romake. Krahas kësaj, futja në NATO dhe BE e Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Greqisë, Sllovenisë e Kroacisë si dhe futja në NATO e Malit të Zi, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut përpos që i ka zvogëluar në minimum gjasat e ndonjë invazioni rus në Ballkan – siç kishte ndodhur diku apo gati-ndodhur diku tjetër gjatë periudhës komuniste  – ka orientuar Ballkanin (përjashto Serbinë) kah perëndimi, i cili (një pjesë e mirë e tij0 jo shumë larg nga sot ishte tërësisht nën ombrellën e interesave lindore të Perandorisë Sovjetike, dhe më herët në Perandorinë Osmane dhe Bizantine.

Dhe duke parë që rrëshqitja e Kosovës kah Rusia është praktikisht e pamundur sot jo vetëm për shkak të “gardhit” të NATO-s përreth Kosovës, por edhe orientimit tërësisht properëndimor të Kosovës, atëherë edhe fokusi i SHBA-së ndaj Kosovës ka nevojë për më pak energji se sa që kërkohet p.sh. në Japoni, Tajvan, Kore Jugore apo Islandë, pavarësisht faktit që SHBA vazhdon të jetë mbështetësi kryesor në botë i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Vetë prezenca e vogël ushtarake amerikane në Kosovë, krahasuar me prezencë të fuqishme ushtarake në Gjermani, Itali, Turqi, Japoni, Norvegji, Kore Jugore, Lindje të Mesme, në Golf, etj. tregon për peshën aktuale të Kosovës për SHBA-të karshi vendeve të lartëpërmendura.

Pra, me një fjalë, është perëndimi i kryesuar nga SHBA ai që bëri të pamundurën që Kosova të vazhdojë të ecën në këmbë të veta. Sigurisht që në këtë rrugë perëndimi ishte dhe vazhdon të jetë i sfiduar dhe penguar në vazhdimësi nga Rusia, Kina me aleatë të tyre. Kurse në Kosovë është krijuar një bindje e segmenteve të caktuara politike e ushqyer nga qarqe të ndryshme të brendshme dhe të jashtme për interesa të pastra kalkulative politike, se politika e Kosovës ka qenë fajtorja kryesore për ngecjen ekonomike të Kosovës që nga paslufta e deri më sot. Largimi i fuqisë së re punëtore nga Kosova i atribuohet ekskluzivisht kësaj politike, dikujt më shumë e dikujt më pak.

Sigurisht që përgjegjësia politike si në çdo vend të botës edhe në Kosovë është e pashmangshme edhe përkundër pushtetit të paktë që kishte Kosova gjatë kohës së UNMIK-ut, por moszhvillimi ekonomik i Kosovës nuk mund t’i atribuohet ekskluzivisht politikës tonë, sepse fundja shqiptarët me shekuj derdhën gjak për ditë më të mira, me shekuj ishin të pushtuar dhe nuk u lejuan të zhvilloheshin në asnjë dimension të mundshëm kombëtar dhe kjo pati pasoja të paparashikuara që po na ndjekin edhe sot.

Prandaj, dioptria kritike duhet shtrirë gjithmonë më gjerë, sepse zhvillimi ekonomik përpos trajektores historike të një vendi,varet tepër shumë edhe nga konstelacionet ekonomike dhe politike në rajon dhe më gjerë. E Ballkani nuk ka pasur dhe nuk ka një motor të zhvillimit ekonomik siç e ka BE Gjermaninë, e cila u jep shtysë të gjitha ekonomive të BE-së. Zhvillimet rajonale shkojnë paralelisht në çdo shtet të rajonit, nuk mund të jetë një shtet shumë më i zhvilluar se të tjerët. Fqinjët e Gjermanisë nuk kanë shumë dallime në mirëqenie ekonomike e sociale karshi saj. Kjo vërehet shumë lehtë te rritjet ekonomike të rajonit, të cilat janë pak a shumë të ngjashme. Edhe po të zhvendosnim Zvicrën në mes të Ballkanit, do ta kishte të pamundur të ecte me ritmet ekonomike që i ka, sepse vetë ngathtësia e rajonit, e kaluara e rëndë historike, vështirësitë, jostabiliteti dhe fqinjësia e varfër e vendeve përreth do ta ngadalësonte dukshëm perspektivën ekonomike të saj.

Fundja nuk mbeti Ballkani më i varfëri në Evropë që së paku 150 vite për shkak të paaftësisë së politikave të këtyre vendeve, por për shkaqe krejtësisht tjera që botërisht dihen. Harrohet fakti që kryeqytetet e Ballkanit, për dallim prej të gjitha atyre të BE-së, edhe sot vazhdojnë të jenë të palidhura me rrugë moderne (autostrada e hekurudha), harrohet fakti që edhe brenda për brenda vetë shteteve të Ballkanit një pjesë e madhe e qyteteve apo rajoneve kryesore nuk janë të lidhura as sot me autostrada (ose së paku me rrugë moderne) dhe hekurudha, dhe kjo flet shumë për gjendjen e rajonit, diçka që sot si BE ashtu edhe SHBA, edhe pse me shumë vonesë, janë të interesuara ta ndryshojnë.

Krijuesit e bindjes së përgjithshme se “tërë fajet për moszhvillim të mjaftueshëm ekonomik i ka politika e Kosovës” fare nuk duan t’ia dinë se Kosova dhe të gjitha hapësirat shqiptare ishin pjesa më e varfër, më e pashkolluar dhe më e terrorizuar në Evropë nga pushteti jugosllav. Derisa popujt evropianë pas Luftës së Dytë Botërore po konsolidonin radhët e veta dhe po pozicionoheshin në “fshatin” prosperues global, shqiptarët në Jugosllavi deri në vitin 1999 po përballeshin me politika shfarosëse, eksploatim dhe varfëri afrikane. Ka një pjesë të theksuar kosovare që për fat që keq edhe sot nuk e pranon që Kosova dhe të gjitha hapësirat shqiptare në Jugosllavi, përpos që qenë terrorizuar, qenë eksploatuar në kuptimin e plotë të fjalës, pra e tërë politika jugosllave qëllimshëm ishte eksploatuese në Kosovë dhe tërë hapësirat shqiptare.

Kjo nuk do shumë koment kur shqiptarët përbënin numrin më të madh të të burgosurve politikë, të të përndjekurve, të të vrarëve dhe të të zhdukurve nga pushteti jugosllav. Si ka mundësi të zhvillohet një popull në rrethana të tilla kur shfarosja dhe lufta për ekzistencë shkonin dhëmb për dhëmb?! Fundja, eksploatimi i një populli dhe terrorizimi i tij shkojnë paralel, së paku historia konfirmon këtë. E kush më shumë se shqiptarët e di këtë fakt? Shumëkush i ka harruar këto, shtiret se nuk i di ose i ka pritjet në shpërputhje me mundësitë. Shumëkush shtiret se nuk e di që Kosova prej vitit 1999-2008 nuk ishte shtet dhe kjo e thotë të tërën, për ata që duan ta kuptojnë. E për t’u bërë shtet Kosovës iu deshën mbi 100 vjet. Kaq e ‘shkurtër’ ishte kjo periudhë.

Edhe atë ekonomi që e kishte Kosova që nga viti 1989 e deri në vitin 1999 ishte praktikisht e vdekur, gjersa prej vitit 1945 deri në vitin 1990 ekonomia dhe resurset e Kosovës po eksploatoheshin nga Jugosllavia në mënyrën më të pamëshirshme të mundshme. Për 10 vite (1989-1999) përpos amortizimit të industrisë dhe paralizimit të ekonomisë, Kosova humbi më të dhimbshmen dhe më të nevojshmen, pra humbi tregjet në rajon dhe më gjerë, ashtu siç humbën tregjet pothuaj të gjitha vendet komuniste. Vetëm se, asnjë prej vendeve komuniste nuk ishte as për së afërmi më keq se sa që ishte Kosova me hapësirat tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë gjatë periudhës komuniste. E lufta për tregje ekziston prej se ekziston njerëzimi, po e humbe tregun vështirë se mund ta kthesh përsëri, së paku jo në plan afatshkurtër e afatmesëm, nëse kurrë më, diçka që Kosova është duke e përjetuar në kurrizin e saj. Shihni garën e tmerrshme globale për tregje dhe bëni krahasime.

Që nga viti 1999 deri në vitin 2008 ekonomia e Kosovës, përfshirë privatizimin e dështuar dhe korruptuar, është drejtuar 100% nga UNMIK-u. Shqiptarët edhe pse ishin pjesë e institucioneve të UNMIK-ut, ishin vetëm spektatorë të pafuqishëm për të mund ngritur zërin kur, ku dhe si duhej. Ç’është e vërteta spektri politik i Kosovës aq shumë ishte i kushtëzuar për të parë kah pavarësia dhe aq shumë ishte i mbërthyer ga politikat ditore, saqë nuk e kishte kapacitetin për të projektuar të ardhmen ekonomike të vendit. E UNMIK-u duke qenë indiferent nuk kishte ndonjë interes për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, diçka për të cilën spektri politik i Kosovës është dashur që së paku ta ngriste zërin ndaj degradimit dhe dekurajimit ekonomik që po ndodhte.

E duke qenë se që nga viti 1999 dhe 2008 kërkohej një bashkëpunim dhe bashkëkoordinim i ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht me SHBA e BE, për të përgatitur terrenin e vështirë për pavarësinë e Kosovës, atëherë e tërë energjia politike vendore shkonte në atë drejtim, ndërkohë që qeverisja e mirë dhe zhvillimi ekonomik nuk kishin mundësi – edhe pse do të ishte ideale – të ishin temat qendrore karshi shtetbërjes që pritej me padurim nga qytetarët e Kosovës. Kush e mendon se tërë ky mega-organizim mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare gjatë dhe pas luftës ka qenë asgjë, atëherë ai apo ajo nuk jeton në planetin tonë.

Aq shumë energji ka shkuar për shtetbërje dhe aq shumë e tillë shkon dhe sot për shtetkonsolidim të papërfunduar (shihni bisedimet me Serbi), sa dikush sot me shumë lehtësi as që do t’ia dijë duke mohuar çdo të arritur, sado me vështirësi të jetë arritur ajo. Dhe harrohet se, të rralla janë ato shtete në botë që kanë qenë në gjendje që në momentin kur janë bërë shtet të përmbyllin hartat e tyre njëherë e përgjithmonë. Shikoni hartat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Anglisë, Japonisë, Rusisë, e qindra shteteve tjera në botë dhe krahasoni si dukeshin ato para 100 apo 200 vjete e si duken sot. Atij që i është dukur e lehtë shtetbërja e Kosovës, le të bëjë krahasime se pse nuk po bëhen shtet: Kurdët, populli më i madh në botë pa shtet, Katalonia që përbën afër 30% të GDP-së së Spanjës, Baskia në Spanjë, Ujgurët dhe Tibeti në Kinë, Tatarët në Krime, Skocia në Britani të Madhe, Valonët e Flamanët në Belgjikë, e sa e sa popuj pafund në botë më të pasur apo më të varfër dhe pse jo shumë më të mëdhenj në numër se sa Kosova.

Botërisht dihet se përmbyllja e hartave territoriale shteteve evropiane u ka marrë së paku 200 vite e ndoshta shumë më tepër. Ndërkohë, dikush sot po pret – edhe pse kjo do të ishte ideale – që një Kosovë e vogël të ketë të rregulluara të gjitha problemet e shtetkonsolidimit (përfshirë përmbylljen e hartës territoriale me fqinjët historikisht ofanzivë dhe gllabërues) dhe veç për 12 vite shtet të bëhet si Zvicra, e kur Zvicrës vetë i janë dashur së paku 400 vite për të ardhur këtu ku është sot. E ata që kanë menduar se Kosova me të shpallur pavarësinë do t’i rregullojë të gjitha problemet, përfshirë ato territoriale, ai apo ajo ka jetuar jashtë realitetit objektiv. Pra, injorohet fakti që Kosova u bë shtet me njëqind vështirësi mes mospërfilljes së UNMIK-ut për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale, kushtëzimeve të forta për pavarësi e shtetësi të bashkësisë ndërkombëtare dhe injorancës së kohëpaskohëshme të politikës tonë, përfshirë interesat e ndryshme shpesh partikulare mes forcave të ndryshme politike në Kosovë.

Të tjera