Opinione

“Merre, ose lëre”: Më 1 prill fuqizohen tarifat e rritura të energjisë nga ZRRE-ja

Autori: Mehmet GJATA 11:47 | 28 February 2023

“Merre ose lëre’, është vendim i ripërsëritur i ZRRE-së tani, sërish në këtë muaj, me rastin e paralajmërimit për të fuqizuar pa humbur kohë dhe pa asnjë diskutim paraprak publik me konsumatorët, tarifat e rritura të energjisë nga ZRRE-ja, duke filluar nga 1 prilli 2023. Pse janë të paqëndrueshme arsyetimet e ZRRE-së për paralajmërimet për çmimet e reja të ngritura?

Kosovës, ka kohë që shumë vendime jetike për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, pos nga komuniteti ndërkombëtar, po i servohen edhe më shumë nga institucione të ndryshme të vendit në bazë të sintagmës “Merre, ose lëre”, dhe pa alternativa të tjera dhe pa mundësi diskutimesh fare për arsyet e vendimeve të këtilla, dhe për pasojat e tyre në përditshmërinë e kosovarëve. Kështu, sërish veproi ZRRE-ja këtyre ditëve, njëlloj siç ka vepruar shumë herë deri tani, duke marrë vendime ultimative karshi konsumatorëve të varfër, por të përgjegjëshëm të këtij vendi.

“Merre ose lëre’, është vendim i ripërsëritur i ZRRE-së tani, sërish në këtë muaj, me rastin e paralajmërimit për të fuqizuar pa humbur kohë dhe pa asnjë diskutim paraprak publik me konsumatorët, tarifat e rritura të energjisë nga ZRRE-ja, duke filluar nga 1 prilli 2023. Për të qenë më të saktë, po e transmetojmë me këtë rast historikun e shkurtër të paralajmërimit të ngutshëm për tarifa të reja të ngritura të energjisë elektrike në Kosovë dhe “vendimin” e bërë publik, po kështu ngutshëm, nga kryetari i Bordit të ZRRE-së për fuqizimin e tarifave të rritura që më 1 prill të këtij viti, që shkurt e shqip, përkthehet si ultimatum ndaj konsumatorëve kosovarë duke i urdhëruar “merre ose lëre”, pa asnjë alternativë të vetme të trajtuar nga ana e tyre.

-Advertisement-

Reklama e sponzorizuar

Siç ka raportuar detajisht Buletini Ekonomik, anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) kanë njoftuar më 7 shkurt para Komisionit Parlamentar për Ekonomi se janë duke shqyrtuar një kërkesë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2023, të bërë nga Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, muajin e kaluar. Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të ZRRE-së, ka thënë me këtë rast se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për këtë shqyrtim të tarifave. Dhe, ky njoftim i ZRRE-së, i bërë në javën e parë të shkurtit të këtij viti, saktësisht ishte si paralajmërim për shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë, sado që kreu i ZRRE-së nuk dha detaje për asnjë kusht ligjor që, sipas tij qenkan plotësuar, sikundër që nuk paraqiti numra për të treguar se sa mund të shtrenjtohet energjia elektrike.

Të kontaktuar nga mediet e vendit, zyrtarë të ZRRE-së thanë shkurtimisht se janë në “fazën e vlerësimit” të kërkesës dhe se nuk mund të deklarohen për tarifat përfundimtare. Ndërsa KEDS-i e ka justifikuar kërkesën për rritje të tarifave të energjisë elektrike me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit. Por, siç po shihet “faza e vlerësimit” të tarifave të reja (lexo: çmimeve të reja të ngritura të energjisë elektrike në Kosovë), ishte fare e shkurtër, madje nuk zgjati as 15-20 ditë të plota.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, ka njoftuar në fund të javës që e përcollëm, në një studio të një televizioni të vendit se tarifat e reja të energjisë elektrike që pritet të jenë “më të shtrenjta për 14 për qind”, do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti, deri më 31 mars të vitit 2024.

Të enjten e kaluar, në “Interaktiv” të KTV-së, Fejzullahu ka thënë se gjatë këtyre ditëve ZRRE-ja po pret të pranojë komente nga Qeveria dhe nga palët tjera.

“Gjatë këtyre ditëve ne presim që të pranojmë komente si nga Qeveria edhe nga palët e tjera nëse konsiderojnë se këto çmime janë të papërballueshme, mund të propozojë ndonjë subvencion shtesë me qëllim të zbutjes së rritjes së çmimeve të energjisë elektrike. Në bazë të dhënave aktuale të raportit konsultativ, rritja e nevojshme për vitin e ardhshëm është rreth 145 për qind, në rast se kemi ndonjë subvencion shtesë ajo mund të reflektohet këtë vit. Në rast se nuk kemi, mund të lëvizin kostot minimale në raport me raportin konsultativ, po flasim prej prillit të vitit 2023. Tarifat e reja do të hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024. Sipas raportit konsultativ që ende nuk është final, propozimi nga stafi i ZRRE-së është që rritja e nevojshme për reflektimin e kostos së sistemit të jetë rreth 14 për qind”, është shprehur ai.

Fejzullahu ka shtuar se rritja e përqindjes në 14, nëse konvertohet në euro, i bie rreth 50 milionë euro shtesë të nevojshme në sistem në raport me tarifat aktuale. Por, që tani shtrohet pyetja, me çfarë logjike, apo me çfarë baze ligjore e morale del kaq ngutshëm ZRRE-ja me saktësimin e përqindjes së çmimeve të reja, bile edhe me shumën e konvertuar të kësaj përqindjeje në euro, në raport me tarifat e reja si dhe përcaktimin e datës së fuqizimit të këtij çmimi. Dhe përgjigja do të ishte: Ngritja e re e çmimeve të energjisë nga ZRRE-ja po bëhet ultimativisht pa asnjë logjikë, as të tregut, as të ofertës e kërkesës, as të çmimeve të shtrenjta të importit, as me arsyetimin e pamundësisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit. Po bëhet thjesht pse ZRRE-ja e ka krijuar fuqinë që të ketë mundësi kur të dojë dhe sa të dojë të rrisë çmimin e rrymës, të plotësojë pareshtur dhe pafundsisht kërkesat e distributorit për të krijuar të ardhura dhe fitim neto në kurrizë të konsumatorëve të varfër për shkak se nuk ka kush ta parandalojë dhe ta frenojë nga këto veprime që tani më po bëhen thuaja të pasfidueshme dhe të pa përballueshme nga kosumatorët kosovarë, të varfër shumica absolute e tyre.

Me fjalë të tjera, u pa se ishin fare jo bindëse argumentet me rastin e paralajmërimit të çmimeve të reja të ngritura të rrymës me rastin e justifikimit të paraqitur nga kreu i ZRRE-së se “janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për këtë shqyrtim të tarifave” dhe kërkesa e KEDS-it me justifikimin për rritje e çmimit të energjisë elektrike “me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e KEK-ut për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit”.

Në bazë të të dhënave të institucioneve kompetente ndërkombëtare dhe të atyre vendore, që përditë defilojnë nëpër medie dhe në forma të ndryshme bëhen publike, asnjë kusht i vetëm nuk është plotësuar për të ngritur sërish dhe tani tarifat e energjisë elektrike. Më saktësisht, ka muaj që nuk është rritur fare çmimi i rrymës nga importi, madje ky çmim është ulur ndjeshëm, sidomos në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Derisa vjet në janar, shkurt, mars dhe edhe një periudhë më pastaj, çmimet e rymës ishin stratosferike, madhe thuaja si në tregjet ndërkombëtare nuk gjendej fare rrymë për të blerë nën çmimin prej 500 eurosh për një megavat, tani çmimet janë 5 herë dhe me shumë se kaq, më të ulëta.

Energjia elektrike në tregjet ndërkombëtare, pra, po tregtohet me çmime ndjeshëm më të ulëta, madje disa fish më të ulëta se në vitin që shkoi. Çmimi i rrymës në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova bie fjala, që nga vera e deri në këto ditë nuk e ka kaluar thuaja në asnjë ditë 200 euro për një megavat (vjet në raste kishte shkuar çmimi i një megavati edhe 500-600 euro). Por, në të shumtën deri tani kur po mbajnë temperatura më të ulëta, megavati në këtë bursë nga vera e vjetshme dhe deri tani, është tregtuar me 100 euro, me raste edhe nën dhe mbi këtë çmim. Sot (28 shkurt 2023) , kur në mbarë Europën po mbajnë temperatuara të ulëta të motit, çmimi i një megavati në bursën hungareze HUPX ishte 152 euro, dje ishte 151 euro, gjatë ditës, ndërsa në pik çmimi i një megavati dje dhe sot ishte 157 euro. Ndërsa prodhimi “i kontestuar” nga ZRRE-ja nga termocentralet e vendit dhe burimet e energjisë së rinovueshme, është shumë më stabil se sa vitin e kaluar në këtë kohë, ndërsa nga Shqipëria me muaj të tërë vjet dhe sivjet po vie një sasi e imponueshme e rrymës si kthim borxhi. Dhe në këtë mënyrë, në vazhdimësi, në këta muaj janë plotësuar tërësisht nevojat e konsumatorëve me energjinë e prodhuar në kapacitetet elektrike vendore dhe me rrymën e ardhur nga Shqipëria, qoftë si kthim borxhi, qoftë si huazim.

Në këtë mënyrë, fare pak pati nevojë për import të energjisë elektrike, edhe me çmime ndjeshëm më të ulëta. Sivjet KEK-u, termocentralet e tij, në saje të freskimit më të detajuar teknik të blloqeve B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A4 të Kosovës A, gjatë vitit të kaluar ka ndikuar shumë në punën e mirë dhe në prodhimin kontinuel dhe tashmë të standardizuar të këtyre kapaciteteve të stërvjetëruara realisht, duke arritur kuotat e planifikuara të prodhimit, madje edhe përtej tyre edhe gjatë këtyre ditëve të dimrit. Me fjalë të tjera, ka kohë që nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim, respektivisht nga blloku B1 dhe B2 të Kosovës B, që kanë bashkarisht kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e secilit bllok është 260 megavat-orë dhe A3 dhe A4 të Kosovës A, me gjithsej 260 megavatë-orë, prodhohen diku afër 800 megavatëshit. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar këtyre ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Por, sasisë standarde të energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-ut në vazhdimësi me javë dhe muaj (rreth 800 megavatë-orë), duhet shtuar edhe sasinë e konsiderueshme të energjisë elektrike që po vie nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës, gjegjësisht që KESH po ia kthen borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Zyrtarë të KEK-ut në vazhdimësi në muajt e fundit kanë njoftuar për Buletinin Ekonomik, se nga KESH-i, gjatë 24 orëve kanë ardhur, ose do të vijnë në KEK si kthim i borxhit diku rreth 180 deri në 230 megavat-orë energji elektrike, ose nga 1.500 deri në mbi 2.000 megavatë gjatë 24 orëve. Dhe e tërë sasia, edhe prodhimi nga kapacitetet vendore edhe energjia e rikthyer si borxh nga Shqipëria, iu ka ofruar KEDS-it.

Duke pasur shumë energji dhe përtej nevojave të konsumit të vet, Korporata Energjetike Shqiptare (KESH), ka javë e ditë që po vazhdon t’ia kthejë borxhin Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK-ut). Dhe në këtë mënyrë Kosova po ka thuaja se energji të mjaftueshme për konsumin e vet të shtuar ndjeshëm, edhe nuk ka shumë nevojë për import në sasi të mëdha edhe në rastet e rritjes deri në 1.300 megavatë orë të konsumit në këto ditët më të ftohta.

T’ia përkujtojmë ZRRE-së se në dhjetor të 2022-tës, Kosova ka importuar 12.86% më pak rrymë dhe ka eksportuar 93,39% më shumë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021. Ose, sipas statistikave të publikuara nga ASK, gjatë muajit dhjetor të vitit 2022, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 802.66 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 539.66 GWh, përkatësisht 4.92% më i vogël, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Ndërkohë që dihet se çmimi i rrymës në Kosovë është ngritur saktësisht para një viti, madje edhe mbi kërkesat e shtruara nga ZRRE-ja dhe KEDS-i. Me tarifat e çmimit të ngritur në shkurt të vitit 2022, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji, paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta. Konsumatorët që shpenzojnë më pak, paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.

Në fakt, doli se në shkurt të 2022-tës, praktikisht pati 2 çmime të ngritura. Sepse, vjet karahas çmimit të ngritur konkretisht, siç dihet, janë rikthyer edhe bllok-tarifat dhe kjo bëri që numri dërrmues i konsumatorëve kosovarë ishte ai që paguajti dy herë çmimin e ngritur të rrymës. Një herë nga rritja e pritshme dhe e paralajmëruar nga KEDS-i dhe thuaja nga shumica absolute e institucioneve shtetërore vendimmarrëse, dhe së dyti nga çmimi i ngritur, mbase edhe më shumë nga rivendosja e bllok-tarifave. Ndërsa, krahas çmimit të ngritur, ZRRE-ja e paska harruar shpejt subvencionimin rreth 100 milionësh që është bërë nga Qeveria për ta kompenzuar importin e rrymës dhe për të suportuar sistemin elektroenergjetik të vendit në ditët e krizës reale energjetike. Kjo janë faktet. Dhe, ato i bëjnë jo serioze, të paqëndrueshme dhe të papranueshme justifikimet e ZRRE-së për të rishtrenjtuar energjinë elektrike në Kosovë. Por, ZRRE-ja nuk i pranon faktet. E ngritë çmimin e energjisë elektrike kur të dojë dhe sa të dojë, si gjithnjë deri tash me sintagmën “Merre, ose lëre”. Nuk ka kush ta parandalojë. /Buletini Ekonomik/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera