Ekonomi

Meraklinjtë e “gjoksave të pulës”

Autori: Gazeta inFokus 20:04 | 23 March 2018

Gjoks në drekë, e gjoks në darkë. Kosovarët po del të jenë fort merakli të “gjoksave”.

Vetëm në 2 vitet e fundit dhe në tremujorin e parë  të këtij viti, banorët e vendit më të varfër në rajon kanë ngrënë mbi 8 milionë e 520 mijë e 231 kilogramë gjoks pule, shkruan Infokusi.com

Për tërë këtë sasi të këtij mishi, ata kanë shpenzuar miliona euro.

-Advertisement-

Vetëm që ta kenë në tryezat e tyre këtë produkt, kosovarët kanë paguar mbi 15 milionë e 982 mijë e 367 euro.

Kështu së paku bazuar në të dhënat e Doganave të Kosovës që ka siguruar Infokusi.com.

Në bazë të këtyre të dhënave “gjoksi prej pulës dhe prerjet e tyre, të ngrira”, janë lloji më i preferuar i mishit për  qytetarët e vendit.

Por, meqenëse prodhimet vendore nuk mund t’i mbulojnë tërë këto kërkesa të qytetarëve, sikurse për shumë produkte të tjera, Kosova e ka të detyruar importin nga vendet e tjera.

E importuesi më i madh i mishit në vend mbetet Brazili. Pavarësisht, se cilësia e produkteve që vijnë nga ky vend kohë më parë ishte venë në dyshim, prapë mbetet importuesi më i madh. Miliona kilogramë mish nga Brazili hyjnë çdo vjet në Kosovë.

Përveç Brazilit, vende të tjera prej të cilave kosovarët blejnë mish janë edhe Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Zvicra, Italia, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm në dy vitet e fundit dhe në këtë tremujor në vend kanë hyrë 97 milionë e 820 mijë e 597 kilogram mish të të gjitha llojeve. Tërë kjo sasi kap një kosto prej 128 milionë e 652 mijë e 404 euro.

Ndërsa, përfitimet e Doganës nga tërë importi i mishit gjatë kësaj periudhe sillen rreth 35 milionë e 256 mijë e 229 euro.

Ndryshe, nuk është hera e parë që në Kosovë dyshohet se kanë hyrë produkte të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Dyshime serioze ishin ngritur së fundi për ushqimet nga importi që konsumojnë kosovarët. Për nga cilësia që ato kanë, politikanë e përfaqësues të shoqërisë civile, kishin se nuk i plotësojnë asnjë nga standardet e kërkuara në tregjet evropiane.

Madje dyshohet se mallrat e destinuara për Kosovë prodhohen në linja të veçanta.

“Alarmante..”, e kishte vlerësuar situatën muaj më parë zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme , Behgjet Pacolli.

“Flitet se të gjitha mallrat ushqimore që destinohen për tu shitur në Kosovë, prodhohen nga linja të veçanta jashtë secilit standard”, kishte thënë Pacolli.(Arjeta Shabani) /Infokusi

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera