Opinione

Mengelet e të menduarit partiak po e dëmtojnë kontinuitetin e zhvillimit

Autori: Gazeta inFokus 09:09 | 12 January 2021

Sido që të shkojnë zgjedhjet, Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për një tip Senati të njerëzve të pavarur partiakisht, por me përgatitje solide intelektuale e profesionale, të cilët do të detektonin nevojat dhe agjendat kombëtare për një periudhë të ardhshme kohore ku dilemat e partive dhe të politikës shoshiten në sitën e mendimit kompetent shkencor.

Kosova sërish ndodhet para një mejdani zgjedhor, dhe sërish partitë politike do të kërkojnë vota për të siguruar mandatin e radhës në Parlament.

Zgjedhjet në demokraci i ngjasojnë procesit të transfuzionit të gjakut. Për organizmin e njeriut ky proces është jetik, kurse për një shoqëri zgjedhjet paraqesin mundësinë ideale për të vënë në sprovë  grupe e individë me ide që mund të jenë novatore dhe krejt ndryshe nga stili pararendës i politikbërjes.

-Advertisement-

Një pyetje që shtrohet shpesh është nëse zgjedhjet vërtetë janë një shans më tepër për njerëzit me ide novatore, apo ato zgjasin agoninë e një shoqërie, duke forcuar oligarkitë politike dhe klanet e ndryshme të biznesit, të afërt me kupolën e pushtetit.

Në fakt, një prej testeve që vihen në shprehje në zgjedhje është pikërisht politika kadrovike, mirëpo te ne asnjëherë nuk ka ekzistuar një konsensus shoqëror e politik për kornizat e mundshme të kësaj politike. Kjo për arsye se te ne politika kadrovike më tepër është kuptuar si  trofe në duart e atyre që marrin pushtetin përmes aktivistëve dhe militantëve, por jo edhe përmes njerëzve të dijes dhe pragmatizmit intelektual.

Një defekt që përcillet nga një pushtet në tjetrin, nga njëri mandat në tjetrin, është sidomos paaftësia politike për të tejkaluar formatin e ngushtë partiak të njerëzve që vendosen në vende udhëheqëse, duke anashkaluar kuadrot të cilët vijnë nga fusha të ndryshme, që jo domosdoshmërisht duhet të jenë militant partiak. Sepse në demokracitë e zhvilluara, kuadrot përzgjidhen në bazë të rezultateve të punës dhe të karrierës, madje edhe nëse ata dalin në pension. Këta të fundit madje shfrytëzohen si këshilltar dhe ekspertë për konsulenca të ndryshme në institucione të ndryshme të sigurisë, drejtësisë, ekonomisë e gjetiu.
Kush në Kosovë mendon për këtë kategori kuadrosh me përvojë, të cilët pas pensionimit ata janë të detyruar të luajnë rolin e gjyshërve të parakohshëm, ndërkohë që shoqëria ka nevojë për trurin dhe përvojën tyre.

Duke ikur nga kjo metodologji e shëndetshme kadrovike, drejtuesit politikë te ne kanë instaluar njëfarë fryme të mitizimit të personaliteteve, të cilët gjatë gjithë kohës e mbajnë kokën në retrovizorin e historisë, duke u ushqyer me lavdinë e së kaluarës,  dhe si të tillë ata jo vetëm që e shkëpusin kontaktin me realitetin, por bëhen pengesë edhe për prurje të reja. Kjo ndodhë nga shkaku se te ne ende funksionon slogani famëkeq i “kuadrove të pazëvendësueshëm”, prandaj njerëzit më tepër marrin pjesë në zgjedhje për të dënuar një parti politike, se sa për të mbështetur ndonjë opsion të ri.
Zhgënjimi dhe përvoja negative është bërë pjesë e pandashme e afiniteteve të votuesve, te të cilët partitë kanë mbytur shpresat, ndërkohë që në shoqëri ka plot heronj të heshtur, por ata vazhdojnë të margjinalizohen nga kadrovikët e partive politike. Heronj të tillë, vendorë dhe ndërkombëtarë, nuk është vështirë të gjesh, sepse ata kanë bërë dhe bëjnë punë kolosale, por ata nuk i kap radari partiak.
Mirëpo askush sot nuk i llogarit pasojat nga një mendësi e tillë e mbrapsht, e cila burimin e ka në injorancë dhe mosrespektim të kuadrove, sidomos nga stafi ndërkombëtar, të cilët kanë luajtur rolin e këshilltarëve dhe konsulentëve profesionalë nëpër institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë, të sigurisë, të inteligjencës etj.

E keqja nuk qëndron domosdoshmërish në tërheqjen e ndërkombëtarëve nga këta sektorë të ndjeshëm, por te paaftësinë e këtyre institucioneve për të siguruar vazhdimësinë e punëve me ritmin dhe cilësinë paraprake, duke përgatitur kuadro që do të zëvendësonin ekspertët ndërkombëtare dhe që do të liroheshin nga ngjyrimet partiake.
Ka rrezik që në periudhën që pason, si rezultat i këtyre politikave të përçudnuara kadrovike,  pikërisht në prag të zgjedhjeve ku ka vakuum të pushteteve, të  ndodhë të tërhiqen disa kuadro amerikanë nga Institucionet prokuroriale të  Kosovës, nga Ministria e Brendshme  dhe për pasojë mund të instalohet një anarki institucionale në segmentet më vitale të shtetit, siç mund të jenë Prokuroria Speciale, Sektori i krimeve ekonomike në MPB dhe AKI, i cili aktualisht drejtohet nga një ushtrues detyre.
Produkt i një avarie të tillë sistemore  mund të jetë në radhë të parë abuzimi me pavarësinë institucionale, ku mund të vijë në shprehje amnistia e shkelësve të ligjit nëpër dikastere të ndryshme, për arsye se amnistitë e tilla burimin e kanë në gjyqësinë e kontrolluar nga partitë politike, por edhe në mungesën e një gazetarie të mirëfilltë hulumtuese në Kosovë.

Zgjedhjet e 14 shkurtit mund të mbyllin dhe të hapin dilema, për aq sa votuesit do të jenë të motivuar për të zgjedhur opsionet dhe individët me vizione dhe me guximin e ndryshimit rrënjësor të situatës.

Por sido që të shkojnë zgjedhjet, Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për një tip Senati të njerëzve të pavarur partiakisht, por me përgatitje solide intelektuale e profesionale, të cilët do të detektonin nevojat dhe agjendat kombëtare për një periudhë të ardhshme kohore ku dilemat e partive dhe të politikës shoshiten në sitën e mendimit kompetent shkencor.

Prishtinë, 12 janar, 2021

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera