Lajme

Memli Krasniqi i adresohet qytetarëve në ditën e PDK-së: 24 vjet punë e përkushtim për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 11:11 | 10 October 2023

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e 24 vjetorit të themelimit të PDK-së ka uruar themeluesit, anëtarët dhe përkrahësit e kësaj partie.

Krasniqi përmes një videoadresimi tha se këto 24 vjet të PDK-së nënkuptojnë, 24 vjet punë e përkushtim për Kosovën, si dhe 24 vjet krenari.

“24 vjet më parë, në 10 tetorin e vitit 1999, kur Kosova po i jetonte ditët e para të lirisë, shumë burra dhe gra që ndër dekada kontribuuan për këtë të arritur historike, u bënë bashkë, si dikur në organizatat patriotike, si dikur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluan Partinë Demokratike të Kosovës, një parti që mbi supe bart të kaluarën heroike, që pa ndalur punon për te sotmen, dhe që me besim shikon nga e ardhmja. Ky ishte ideali i atij brezi që, pasi arriti çlirimin, punoi fort për Kosovën e re, me besim në vizionin e qartë të Hashim Thaçit e të Kadri Veselit”, është shprehur kreu i PDK-së.

-Advertisement-

Krasniqi rikujtoi se me PDK-në në pushtet Kosova u shpall shtet i pavarur, u ndërtuan rrugë, autostrada, shkolla e spitale të reja, u ngritën pagat dhe pensionet, ndërsa u ulën taksat dhe tatimet.

“Kjo histori e jashtëzakonshme e suksesit, na bën shumë krenarë. Por dhe na rikujtojnë aftësinë e PDK-së për ta rizbuluar vetveten në çdo situatë dhe para çdo sfide, sepse, ne qëndrojmë mbi themele të forta të krenarisë kombëtare. Falënderues për të djeshmen dhe të gatshëm për përgjegjësitë e së nesërmes, sot ju uroj të gjithë juve që kontribuuat në këtë rrugëtim të përbashkët. Gëzuar Ditëlindjen e Partisë Demokratike të Kosovës”, është shprehur ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera