Lajme

Memli Krasniqi: Është e papranueshme mbajtja e referendumit serb në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 13:37 | 14 January 2022

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se mbajtja e referendumit serb në Kosovë do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Sipas Krasniqit, “Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

-Advertisement-

Më herët, qëndrim të ngjashëm dha edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Komuniteti ndërkombëtar tha se me keqardhje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

Ambasadorët e QUINT-it, janë duke zhvilluar takim në Presidencë me Vjosa Osmanin, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera