Lajme

Mehaj pret në takim ministren gjermane të Mbrojtjes, ja çfarë diskutuan

Autori: Gazeta inFokus 21:35 | 05 May 2022

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim Ministren e Mbrojtjes të Gjermanisë,  Christine Lambrecht.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë takim u bisedua lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë si dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në regjion dhe më gjerë, të reflektuara nga agresioni ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën.

Me këtë rast, Ministri Mehaj falënderoi Ministren Lambrecht për kontributin e dhënë për ofrimin e sigurisë nga trupat gjermane, që janë pjesë e KFOR-it.

-Advertisement-

“Më tej, në këtë takim u bisedua për raportet e mira në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, ku një kontribut të madh në përafrimin e dy vendeve ka dhënë diaspora kosovare në Gjermani, e integruar mirë, ku numri i tyre është rreth 400 mijë”, thuhet tutje në komunikatë.

Ministri Mehaj theksoi se që të dy vendet gjithashtu ndajnë vlerat e përbashkëta në qeverisjen demokratike dhe kërkoi përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në NATO.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Ministrja Lambrecht mundësinë e bashkë-zbarkimit të trupave të FSK-së  në misione ndërkombëtare, ku trupat gjermane janë të angazhuara.

“Ndërsa, Ministrja Lambrecht theksoi se sikurse deri më tani, shteti gjerman do të vazhdojë të ofrojë përkrahje për Republikën e Kosovës. Ajo theksoi se Kosova dhe Gjermania janë partnerë të besueshëm dhe të sinqertë më njëri tjetrin.

Në këtë takim u përmend mundësia e ripërtëritjes së Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të dy vendeve si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes SOFA”, thuhet në komunikatë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera