Sport

Me turneun në Gjilan u përmbyll karvani i turneve “Ti mund ta bësh” nëpër komuna

Autori: Gazeta inFokus 22:33 | 20 November 2019

Për dy ditë radhazi në Gjilan është mbajtur turneu i radhës në futboll të vogël me moton “Ti mund ta bësh” në kuadër të projektit  që organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin shkollor”.

Kjo ishte hera e dytë që Gjilani ishte pjesë e këtij projekti, derisa me këtë turne u përmbyll faza e parë e këtij projekti, i cili ishte i shtrirë në 13 komuna, e që për qëllim ka masivizimin e futbollit tek vajzat e reja dhe rekrutimin e tyre në futbollin e organizuar.

Ndërkohë, në fillim të dhjetorit do të organizohet finalja e madhe ku do të luajnë 13 ekipet fituese nëpër komuna, me çka do të përmbyllet me sukses projekti i dytë i këtij lloji i organizuar nga FFK në mbështetje të Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike.

-Advertisement-

Në turneun e Gjilanit kësaj radhe morën pjesë 12 shkolla, ku u shfaqën lojëra interesante dhe vajza që e duan shumë futbollin.

Kryetari  Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit në Gjilan, Blerim Sylejmani ka falënderuar FFK-në që po e bën sensibilizimin e vajzave për futbollin si dhe për ndihmën që po i jep shkollave me topa nëpërmjet këtij projekti.

Ndërkaq, anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi ka theksuar rëndësinë që ka ky projekt dhe efektet që i ka dhënë në rritjen e numrit të vajzave që merren me futboll.

Ajo ka ftuar vajzat e reja gjilanase që t’i bashkohen klubit të futbollit dhe talentin e tyre ta zhvillojnë me punë profesionale, në mënyrë që në të ardhmen të jenë futbolliste të suksesshme.

Në fund fitues i turneut doli ekipi i SHFMU “Fetah Qerimi”, që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Skënderbeu”.

Pikërisht ekipet e këtyre dy shkollave kishin luajtur edhe në finalen e vitit të kaluar, por që atëherë fitores iu kishte gëzuar ekipi i SHFMU “Skënderbeu”.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera