Lajme

Me Ligjin për konfiskimin e pasurisë, Kurti e Haxhiu ua ‘fusin’ frikën zyrtarëve të shtetit

Autori: Gazeta inFokus 09:15 | 09 April 2021

Agjencia Kundër Korrupsionit brenda pak javësh do të bëjë publik raportet e deklarimit të pasurive të zyrtarëve të lartë për vitin 2020. Nga raportet paraprake kemi parë pasuritë e këtyre zyrtarëve që shumë herë nuk përkojnë me pagat dhe të arriturat vjetore që kanë.

Ata kështu deklarojnë shtëpi, banesa e tokë e pasuri të shumtë. Ato kalojnë përfitimet që mund të kenë nga pagat nëpër pozitat në institucionet e shtetit. Ka edhe nga ata zyrtarë që nuk deklarojnë pasurinë apo edhe e fshehin një pjesë të tyre, e për raste të tilla ka pasur akuza dhe lëndë të dërguara në prokurori nga ana e AKK-së, mirëpo deri më tani nuk kemi parë ndonjë veprim të ndërmarrë nga drejtësia. Pasuria e tyre madje tek disa sa po vjen e po shtohet nga viti në viti.

E kjo së shpejti do të hetohet. Kjo, pasi të martën në Qeveri është dërguar koncepti i Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe tani pritet finalizimi pas punimeve për këtë ligj.

-Advertisement-

Nëse të gjithë ata që kanë punuar ndonjëherë në institucione shtetërore, nuk e arsyetojnë pasurinë e tyre që kanë, konform pagës dhe të ardhurave nga pozita që kanë ushtruar, pasuria do tu konfiskohet.

Zëvendësministri në Ministrinë e Drejtësisë, Blerim Sallahu ka folur për rregullimet ligjore që lidhen me konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas tij, dokumenti në fjalë do të bazohet në rregullimet ligjore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme që kanë vendet e zhvilluara perëndimore si Anglia, Itali, Sllovenia etj.

“Ky projektligj do të ketë objekt hetimi pasurinë e personave zyrtarë që sipas kodit penal nënkuptohen për të gjithë shërbyesit civilë, pra të emëruarit dhe të zgjedhurit që ushtrojnë funksione publike. Pra të gjithë ata që kanë punuar me shtetin nëse ka dyshime do të jenë objekt hetimi. Pra nëse ka një diskrepancë ndërmjet të hyrave të ligjshme dhe pasurisë që kanë, ose nëse konstatohet se pasuria e tyre është në diskrepancë me të hyrat e ligjshme”, ka thënë ai në një debat televiziv.

Sallahu thotë se në fillim do të ngrihet pasuria e këtyre personave të dyshuar e sipas tij më pas do të shkohet deri në konfiskim apo jo të pasurisë.

Mirëpo, si arsyetohet pasuria e tyre, derisa dihet edhe blerja e tokave me çmime shumë të mira, përmes privatizimit?

Burjani: Politikanët nuk tregojnë pasurinë, për t’i ikur verifikimit të mundshëm

Kështu, njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani, ka thënë se politikanët tregojnë paratë që i kanë investuar, por jo edhe ku i kanë marrë paratë, për t’i ikur verifikimit të mundshëm të pasurisë.

“Politikanët nuk tregojnë kah i kanë marrë parat por, ku i kanë investuar dhe kjo është e dyshimtë, më së lehti është të deklarohen në paluejtshmëri pa treguar se kah i kanë marrë ato për të blerë automjete, shtëpia, banesa dhe nuk deklarojnë kompani private dhe gjëra tjera, për t’i ikur verifikimit të mundshëm dhe të pastër të prejardhjes së parasë”, ka vlerësuar Burjani.

Sipas tij, mosdeklarimi i parave të gatshme është dyshimi kryesor për prejardhjen e kësaj pasurie dhe është ҫështje e prokurorisë se ku janë marrë milionat për të blerë toka e gjëra të tjera.

“Mosdeklarimi i parave të gatshme në bankë ose deklarimi i shumave të vogla bankare është segmenti kryesor i dyshimit për prejardhjen e parasë, kjo është e logjikshme ku janë marrë paratë për të blerë toka e shtëpia dhe banesa dhe gjësende tjera? Kjo punë është e prokurorisë, duhet të konstatohet kah janë marrë këto miliona para për të blerë toka e gjithçka?”, thekson juristi Blerim Burjani.

Zeqiraj: Sot shumë zyrtarë zotërojnë miliona, veç e veç

Ndërkaq, opinionisti Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ‘deklarimi i pasurisë për zyrtarët e lartë shtetërorë dhe politikanët, është normë pothuajse e përbotshme. Sipas tij, një shtet mirë i organizuar, heton, zbulon dhe ligjshëm ndëshkon, kur pasuria nuk justifikohet me pagën e marrë. Ky rregull krijon bazën e profilaksisë, parandalimit “të sëmundjes korruptive”, një “epidemi” e përbotshme’.

“Vërtet, edhe në Kosovë, zyrtarët e lartë shtetëror, politikanët e rëndësishëm, obligohen ligjërisht, të deklarojnë pasurinë e tundshme dhe të patundshme, siç janë paratë e gatshme, të depozituara, veturat, shtëpitë, banesat, tokat dhe të tjera. Nga përllogaritja profesionale e bërë, rezulton se pasuria e tundshme dhe e patundshme e të gjithë zyrtarëve të lartë dhe e politikanëve të Kosovës të paraluftës, të marrë së bashku, nuk kalonte shifrën e 5 (pesë) milionë euro. Ndërkohë sot, shumë zyrtarë zotërojnë miliona, veç e veç”, thotë Zeqiraj.

Sipas tij tashmë dihet pse fshihet pasuria nga zyrtarët e lartë dhe arsyet pse ajo nuk hetohet nga organet përgjegjëse. Zeqiraj thotë se derisa politika ka ‘futur’ duart në organet e drejtësisë, kjo është arsyeja që pengon hetimin për ndjekjen penale të të pasuruarve të paligjshëm.

“Pse-ja dihet. P.sh. edhe për një deficit, qoftë edhe për 400 marka mangësi, në arkën e shtetit, ligji monist i Kosovës e ka dënuar vjedhësin me 4 (katër) vjet burg efektiv. Kurse sot zbulohen milionat e vjedhura nga shteti dhe ka hapësirë, jo vetëm për t`i shpëtuar ndëshkimit ligjor, pa cenuar as karrierën e mëtejmë politike. Zyrtarët e sotëm, të vjetër dhe të rinj, në moshë dhe karrierë, kanë përgatitur paraprakisht infrastrukturën, që mundëson korrupsionin, përkatësisht hajninë zyrtare. Në krye të kësaj hajnie u vunë ish-komandantët e “luftës”, të cilët realisht në pjesën më të madhe, jo vetëm nuk ishin pjesë e luftës, por përkundrazi, me dashje apo padashje kanë sabotuar luftën, madje të ndihmuar nga Tirana zyrtare social-komuniste, Sigurimi francez, për të ardhur ke lidhjet konspirative me Serbinë. Baza ligjore për kontrollin mbi vërtetësinë e burimeve të pasurive pa mbulesë, të zyrtarëve shtetërorë dhe të politikanëve tanë ekziston. Por, ndërhyrja e politikës në sistemin e drejtësisë, duke emëruar prokurorë e gjyqtarë nepotikë dhe korruptivë pengon, deri në stopim, hetimin dhe ndjekjen penale të të pasuruarve të paligjshëm. Rrjedhimisht, drejtësia është e kapur, pikërisht nga kapësit e institucioneve shtetërore e deri edhe vet shtetin”, thekson ai.

Më tutje, ai ka thënë se deklarimi i përvitshëm i pasurisë nga zyrtarë shtetërorë dhe politikanët, duke llogaritur pagën zyrtare në institucionin e shtetit dhe tejkalimi i pasurisë, mospërputhja, zbulon pasurinë e pa mbulesë.

“Dhe, për këtë organet kompetente duhej të vepronin, të hetonin dhe zbulonin korrupsionin, burimin e përfitimeve korruptive, hajnore. Por, në kushtet aktuale vështirë të ndodhë kjo. Sepse drejtësia, gjyqësia, si pushtet i ndarë, udhëheqja shtetërore, qeveria, nuk ka qasje në veprimtarinë e saj, ligji nuk lejon ndërhyrje”, ka theksuar Zeqiraj.

Ai ka vlerësuar se partia fituese, koalicioni në pushtet, ka premtuar luftë krimit të organizuar, korrupsionit, deri në ç’kapjen e shtetit. Zeqiraj ka shtuar se Qeveria Kurti 1, për ta përgatitur kuadrin ligjor formoi Komisionin e juristëve të pavarur, për ta bërë Vettingun e nevojshëm, por, abuzuesit e pasurive të brezave shqiptarë, bythë-lakuriqët e djeshëm, milionerë të sotëm, u aktivizuan dhe rrëzuan qeverinë-Kurti.

“Kumbar i krijimit të qeverisë-Hoti, përkatësisht, LDK-PAN, ishte Hashim Thaçi. Edhe pse ishte i gatshëm, Komisioni i pavarur për Vettingun, qeveria-Hoti formoi një Komision tjetër, nga gjyqtarë të cilët ishin pjesë e kontigjentit për hetim, sabotuan hetimin dhe mashtronin opinionin sikur po hetonin”, është shprehur Zeqiraj.

Sipas tij, është iluzive të besohet, që të inkriminuarit në krime gjithfarëshe, në hajni zyrtare, në kapjen e të gjitha institucioneve shtetërore, ta bëjnë drejtësinë. Zeqiraj mendon se pa një Vetting mirë të organizuar, as që mund të shpresohet për një hetim të pasurive pa mbulesë dhe aq më pak, sekuestrimi, konfiskimi i këtyre pasurive të uzurpuara, të grabitura, të vjedhura, madje, zyrtarisht, siç janë shumë nga privatizimet abuzuese.

“Janë mijëra hektarë tokë të privatizuara, me çmime qesharake. Janë blerë metrat me vezë dikur, për t`i shitur sot, me lopë! Arsyetimi i pasurisë të patundshme, prej qindra hektarësh tokë të privatizuar, kryesisht nga ish-komandantët, ekziston dokumentacioni përkatës ligjor. Por, ndonëse blerja privatizuese, nuk është e justifikuar, nuk është punuar dhe shfrytëzuar, por thjeshtë bllokuar. Për më keq, sipërfaqja madhore e saj ka shërbyer për të vjelë para të majme, nga shteti, sipas një ligji favorizues për bujqit, për ta stimuluar punimin e tokave, të cilat, me shumicë janë lënë të djerra ose livadhe” ka deklaruar Idriz Zeqiraj për gazetën “Bota sot”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera