Lajme

Me 8 vjet burgim dënohet i akuzuari serb për kri*e lufte në Istog

Autori: Gazeta inFokus 16:12 | 10 June 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 8 vjet burgim Caslav Joliçin, i akuzuar për krime lufte në Istog.

Ky aktgjykim ndaj Joliçit, është shpallur të hënën nga gjykatësi Musa Konxheli.

Më 18 nëntor të 2022-së, Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Joliç, me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovë në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

-Advertisement-

Nga viti 2020 deri në vitin 2023, janë ngritur 23 aktakuza për krimet e luftës në Kosovë nga viti 1998-1999.

Më 2 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 13 vjet heqje lirie serbin, Dushko Arsiç, i akuzuar për krime lufte në fshatin Butovc të komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Arsiç ngarkohej se ka marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit Brahim Shala më 20 prill 1999 dhe se ka maltretuar fizikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin.

Ndërkaq në nëntor të 2023-ës, nisi gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë, ndërsa mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera