Lajme

Mbyllja e zyrave ilegale serbe në Kosovë/ Zëdhënësi i BE-së: Kosova t’i shmang veprimet e njëanshme

Autori: Gazeta inFokus 10:09 | 04 February 2024

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka lëshuar një deklaratë, përmes së cilës kërkon nga Kosova që “të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE”

Ky reagim vjen pasi Policia mbylli komunat paralele të Serbisë në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e OJQ’së Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.

“Bashkimi Evropian nënvizon me shqetësim të madh operacionet e Policisë Speciale të kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Toleranca në Prishtinë.”

-Advertisement-

Stano ka thënë se mbyllja e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë.

“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative për kushtet jetësore të përditshme të komunitetit serb të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.”

 

Ai ka shtuar se statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut.

“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”

Lidhur me këto çështje, mbrëmë ka dalë me reagim edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke thënë se autoritetet e Kosovës po nxisin tensione ndëretnike të panevojshme.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për të gjitha shqetësimet e qytetarëve, ndërsa ka shtuar se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihet në dialog.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenier.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera