Lajme

Mbyllet për publikun edhe seanca e sotme ndaj të akuzuarve për vra*jen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Autori: Gazeta inFokus 10:17 | 23 January 2024

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca e së martës në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, është mbyllur sërish për publikun.

Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi, u bë e ditur se edhe seanca e sotme mbyllet për publikun me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti, ku pritet të dëshmojë dëshmitari D.K., dhe një tjetër dëshmitare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Arsyetimi për mbylljen e seancës ishte se gjatë këtyre dëshmive, mund të jepen të dhëna që i përkasin jetës personale dhe familjare.

-Advertisement-

Edhe seanca e 5 tetorit 2023 dhe ajo e 30 nëntorit 2023, ishin mbyllur me kërkesë të prokurorit.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore. Fillimisht, thuhet se i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

Aktakuza thotë se i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij, e më pas i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave, e më pas kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë. Të nesërmen, thuhet se së bashku e marrin kufomën dhe i pandehuri Nexhat e varros për t’i zhdukur gjurmët.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera