Lajme

Mbrojtësit e Krasniqit dhe Selimit apelojnë vendimet mbi mocionet për defektet në aktakuzë

Autori: Gazeta inFokus 09:15 | 16 November 2021

Mbrojtësit e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit kanë apeluar vendimin e gjyqtarit paraprak lidhur me mocionet e tyre, ku pretendonin defekte në aktakuzë.

Në parashtresën e mbrojtësit të Krasniqit, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake i dha mbrojtjes leje për ankesë për nëntë çështje që kanë të bëjnë me dështimin e aktakuzës, për të deklaruar faktet materiale me specifikë të mjaftueshme për t’i dhënë Krasniqit njoftimin e kërkuar për rastin kundër tij.

“Aktakuza dështon të deklaroj saktësisht se çfarë pretendohet se ka bërë z. Krasniqi. Pjesëmarrja e tij personale e supozuar në krime, kontributi i tij i supozuar në një ndërmarrje të përbashkët kriminale (“NPK”) dhe përgjegjësia e tij e supozuar në përputhje me mënyrat e tjera të përgjegjësisë, të gjitha mbeten qëllimisht të paqarta”, thuhet në parashtresë.

-Advertisement-

Sipas mbrojtjes, kjo pasaktësi është paragjykuese për Krasniqin sepse pengon përgatitjen e tij dhe i lejon prokurorit të specializuar që ta trajtojë rastin e tij në gjykim, pa e njoftuar Krasniqin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtja ka pretenduar se në vendimin e gjyqtarit paraprak është gabuar kur është konstatuar se aktakuza nuk ishte me të meta.

“Mbrojtja kërkon nga Kolegji i Gjykatës së Apelit që të korrigjojë këtë padrejtësi, të korrigjojë këto gabime, të prishë Vendimin e kundërshtuar dhe të urdhërojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“ZPS”) të ndryshojë aktakuzën”, thuhet nga mbrojtja e Krasniqit.

Ndërkaq, në ankesën e mbrojtjes së Rexhep Selimit thuhet se gjyqtari paraprak i dha leje për të apeluar vendimin për çështjet e mëposhtme.

“Nëse pretendimet për kontribut jo-kriminal të ndërmarrjes kriminale së përbashkët në aktakuzën e konfirmuar, e bën atë të dëmtuar ose është çështje e ligjit për t’u ngritur në gjyq; nëse ZPS-së nuk i kërkohet të përcaktojë në mënyrë specifike se cilat krime bien përfundimisht brenda qëllimit të përbashkët kriminal dhe cilat jo kur pretendon përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III në alternativë ndaj ndërmarrjes së përbashkët kriminale I”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes së Selimit.

Tutje, thuhet se i është dhënë leje të apeloj edhe për çështjen nëse ZPS-së i lejohet të pretendojë se çdo individ i përmendur në aktakuzë mund të jetë ose anëtar i ndërmarrjes së përbashkët kriminale ose një mjet i saj, nëse e deklaron këtë në alternativë.

“Nëse mënyra e përgjegjësisë me të cilën një vartës supozohet se ka kryer krime është fakt material që duhet të deklarohet në aktakuzë në një rast të bazuar në përgjegjësinë superiore; nëse përvijimi i Rregullës 86(3)(b) mund të përdoret, në këtë rast specifik, për t’i dhënë të akuzuarit të dhëna themelore shtesë kur pretendimet faktike janë dhënë në aktakuzën e konfirmuar”, thuhet se është çështja e fundit.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera