Mbledhja historike Shqipëri-Kosovë, fjala e plotë e Kurtit
Autori: Gazeta inFokus 14:52 | 27 November 2022
Të dielën, Kuvendi i Shqipërisë ishte nikoqir i deputetëve dhe Qeverisë së Kosovës.
Njëherësh, kjo ishte edhe mbledhja e parë e përbashkët mes dy kuvendeve shqiptare.
Natyrisht, prezent qe edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mes tjerash, foli edhe për historikun e shtetit shqiptar, në prag të festës së 28 Nëntorit.
Nga ana tjetër, ai tha se duhet “të mblidhemi më shpesh e jo vetëm në kremte”.
Më poshtë gjeni të plotë fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendit të Republikë së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës:
Të nderuar kryetarë Lindita dhe Glauk,
Kryeministër Edi,
Ministra të dy qeverive tona,
Të nderuar shkëlqesi,
E mbi të gjitha të nderuar deputetë të Kosovës e të Shqipërisë që jeni mbledhur sot së bashku në një sallë, në këtë kremte të kombit tonë,
Të dashur shqiptarë që na shihni sot, kudo në Ballkan apo në mërgatën tonë, ju uroj nga zemra Ditën e Flamurit dhe 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Stërgjyshërit tuaj kanë kontribuar gjak, djersë e kapital për atë ide e projekt, që e ka emrin Shqipëri, shtëpi e të gjithë shqiptarëve, e hapur për miqtë, garantuese e të drejtave të minoriteteve, kontribuuese në paqe, demokraci e në mbrot’htësi për të gjithë dashamirët.
Gëzuar pra festën e shenjtë për identitetin tonë kombëtar.
Gëzuar 28 Nëntorin historik të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë, e të Adem Jasharit në Prekaz.
Zonja dhe zotërinj,
Deklarata e Pavarësisë në mënyrë koncize e përmbajtësore evidenton Ismail Kemal Beun si prijës mes të barabartëve, pra si prijës republikan. Sipas shumë studiuesve mendohet se deklarata është shkruar nga ministri i parë i Arsimit, intelektuali e veprimtari Luigj Gurakuqi.
Por, shtatë vite më pas, teksa në rendin e ditës ishte Traktati i Londrës dhe copëtimi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, disa ditë para Festës së Flamurit, Gurakuqi i cili kërkonte bashkim, kundër çdo copëtimi shkruante:
«E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë pra për ne të gjithë jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën e mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetëdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vëmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten, në e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim për Atdheut. T´i tregojmë pa turp e t´i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t´i japim vllaznisht dorën njëni-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanëm se sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë».
Gurakuqi vetë nuk mjaftohej me Shkodrën e Gegninë, ai ishte aktiv e pjesëmarrës edhe në Toskëri e Kosovë. Ashtu siç nuk mjaftohej Çerçizi me Gjirokastrën, Hasani me Prishtinën, Parashqevi e Sevasti Qiriazi nuk mjaftoheshin me Manastirin, Mehmet Pasha me Tetovën, apo Bajram Begu e Isa Begu me Kosovën. Ndarjet krahinore, bajraktarizmat, ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengesë e prapambeturi edhe sot.
Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gur.
Na duhet të jemi më shpesh bashkë, e jo vetëm në kremte. E jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t´i pranojmë perspektivat e ndryshme e kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku.
Teksa në Evropën Lindore po vinte demokracia, teksa muri i Berlinit ra dhe shtylla e ekonomisë dhe e demokracisë evropiane Gjermania e festonte lirinë pikërisht duke u bashkuar, një shkencëtar e politolog i madh kosovar, profesori Ukshin Hoti, në një intervistë të vitit 1992 thoshte se politikanët shqiptarë, duke thelluar ndarjen dhe fraksionimin mesvedi përtej kufijve të demokracisë, po u jepnin arsye atyre që dëshirojnë t´i shohin të ndarë si popull. Në veprën e tij madhore, “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, ai kërkon nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe të Shqipërisë, e jo pozitën vetjake.
Jam i sigurt se shumica, madje krejt ju këtu, pajtoheni vetmeveti me mesazhin e Luigjit dhe me atë të Ukshinit.
Motra dhe vëllezër,
Nesër do të shënojmë 110- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, ndërkaq sot shënojmë 25 vjetorin e shpalljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë, kur në varrimin e mësuesit Halit Geci të vrarë nga forcat serbe, Rexhep Selimi që po lexonte deklaratën, në dy krihet e tij kishte heroin Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinajn.
Ne bëjmë tani edhe për të ardhmen, por nderojmë të kaluarën që na përbën sot, dhe ecim bashkë.
Në Kosovë ne i gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake, ashtu edhe të këtyre sukseseve të qeverive të tanishme. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ajo sot është vend i NATO-s, anëtare e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka nisur negociatat si kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe bërë hapa të dukshëm përpara në shumë fusha.
Urojmë që sukseset e Shqipërisë, bashkëkombësve tanë, të mos iu ndalen por veç t´iu shtohen për çdo ditë të flamurit.
E jam i sigurt se ashtu siç gëzohemi ne në Kosovë për Shqipërinë, gëzohet edhe Shqipëria për Kosovën dhe sukseset e saj. E njësoj vlen edhe për avancimin e bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi dhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Kemi tashmë Abetaren e përbashkët, dhe po punohet për fjalorin e përbashkët enciklopedik, teksa ministritë e Arsimit bashkëpunojnë dita ditës për avancim në këtë fushë kyç për zhvillimin tonë kombëtar. Kemi unifikuar tregjet e punës me Shqipërinë, dhe po punojmë drejt unifikimit të sistemit doganor e tatimor. Kemi financuar së bashku me Qeverinë e Shqipërisë fizibilitetin për hekurudhën Durrës-Prishtinë, e cila do ta lidhë Durrësin, portin e Shqipërisë e të Kosovës, me portin e thatë në Prishtinë të Shqipërisë e të Kosovës. Ai do të jetë bash në qendër të Ballkanit, pranë udhëkryqeve ku lidhet veriu e jugu, lindja e perëndimi i gadishullit tonë.
Të nderuar shkëlqesi, të dashur shqiptarë kudo që jeni,
Situata nuk është kurrë e askund rozë, dhe nëse e ndalim përpjekjen, nëse pushojmë së punuari, menjëherë rrezikojmë. Pra rrezik është mos veprimi, jo veprimi, jo puna.
Vendet tona ballafaqohen me probleme, nga të cilat më i mprehti është ai i largimit të rinisë sonë të mirë e punëtore. Sot është kremte, Dita e Flamurit, e nuk dëshiroj të flas gjatë për halle e për probleme, por dua t´u dërgoj një mesazh të gjithëve atyre që kanë marrë udhën gjithmonë të dhimbshme të kurbetit – kjo ditë është edhe e juaja, e më së shumti e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e për familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture që ata e marrin në shoqëritë e zhvilluara ku shkojnë të jetojnë e të punojnë. E di se atje nuk po shkoni për qejf, por prej brengës. E di që ende s´kemi bërë mjaftueshëm që t´ua kthejmë besimin në institucione, në drejtësi, në shtet, në politikë, që ju ta mendoni rritjen e fëmijëve tuaj në atdheun tuaj si opsionin më të mirë. Por, ju garantoj se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund, e do ta fitojmë edhe me ndihmën tuaj. Shqipëria bëhet. Kosova bëhet. Trojet ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë, do të bëhen, edhe me ndihmën e Shqipërisë e të Kosovës. Puna është rruga jonë, nderi e besa janë cilësitë tona, dhe me siguri ne do t´i tregojmë botës se, ashtu siç po nxjerrim këngëtarë, shkencëtarë, afaristë, sportistë e shkrimtarë me sukses botëror, ashtu do të jemi ne shqiptarët në gjendje të bëjmë edhe shtetin edhe demokracinë e suksesshme.
Edhe një herë, gëzuar nga zemra, mbarësi e mirësi për shqiptarët dhe gjithë miqtë e shqiptarëve!
Ju faleminderit.
Të tjera
-
Pasurimi i familjes Veliaj- Bashkëshortja 617 mijë euro llogari bankare, kompania e vëllait 30 milionë euro të ardhura
Në datën 6 dhjetor 2024, dy oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqite...
-
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terror...
-
Dervishaj: Rritja e investimeve dhe bashkëpunimi me diasporën, prioritet i angazhimit tim si kandidat për deputet
Kandidati për deputet me numër 77 nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës...
-
“Knojshim në shëtitore kangë të UÇK-së”, Haradinaj përshkruan takimet me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin
Nasim Haradinaj ka përshkruar takimet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup ...
-
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim
Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe mjaft i ftohtë...
-
Kurti debaton me një mërgimtar që iu ankua për rrymë: S’mund të bëjmë zgjidhje menjëherë, është rritur ngarkesa
Një mërgimtar teksa nuk i kursente duartrokitjet për kryeministrit Albin Kurt...
-
Gucati: Kurti më rrejti në zyrën time, është veteran fals
Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, du...
-
Elshani thotë se sulme tjera mund të ketë në veri, por masat janë marrë
Pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti se mund të ketë sulme ...
-
Instalohen kamerat publike në qytetin e Junikut
Komuna e Junikut sot ka instaluar kamerat publike në këtë qytet. Lajmin e ...
-
“Ai ka qenë forca ime”, Nasim Haradinaj përlotet në studio për vëllain që i vdiq sa ky ishte në Hagë- Specialja nuk i dha leje për varrimin e tij
Nasim Haradinaj ka folur për vdekjen e vëllait të tij, Agronit, për të cilin ...
-
Thëngjill para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e protesta para KEDS-it – Si reagonte Vetëvendosja opozitare përballë reduktimeve të energjisë elektrike
Qytetarë nëpër zona të vendit po përballen këtë javë me ndërprerje të energji...
-
Vendimi i PZAP-së për Listën Serbe, KQZ: Ka kohë 48 orë për t’u ankuar në Gjykatë Supreme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka miratuar sot ankesën e ...