Lajme

Mbledhja e djeshme e Qeverisë, këto janë të gjitha vendimet

Autori: Gazeta inFokus 10:28 | 03 April 2024

Zyra e Kryeministrit sot ka publikuar vendimet e marra në mbledhjen e djeshme të Qeverisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës dje ka zhvilluar mbledhje të rregullt, në të cilën ka:

– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë Ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë, sepse njëra nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë. Gjithashtu kjo marrëveshje ndërlidhet edhe me bashkëpunimin bilateral mes Republikës së Kosovës me vende partnere.

-Advertisement-

– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Ferizaj. Objektivi kryesor i këtij projekti është ndërtimi i një impianti të ri të trajtimit të ujërave të zeza dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujërave të zeza në Ferizaj dhe në Kaçanik

– Miratuar Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, i cili ka për qëllim përcaktimin e statusit të provimit të Maturës shtetërore në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës; Përcaktimin e përmbajtjes, kushteve dhe mënyrës së organizimit të provimit të Maturës shtetërore dhe të drejtat e kandidatëve; Përcaktimin e strukturave përgjegjëse dhe kompetencat e tyre për organizimin e provimit të Maturës shtetërore. Ky Projektligj ka rëndësi të madhe në ngritjen e një procesi të drejtë e të sigurt për vlerësimin objektiv të arritjeve të maturantëve.

– Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentimit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020. Qëllimi i amendamentimit të kësaj marrëveshjeje është shtyrja për dy vite e afatit për zbatimin e marrëveshjes, për të siguruar zbatimin e suksesshëm të projekteve, të cilat kanë pësuar ndryshime në modalitetet e zbatimit.

– Miratuar Rregulloren për Stemën dhe Vulën e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm dhe Organeve Inspektuese si dhe për Dokumentin e Identifikimit të Inspektorëve të Republikës së Kosovës. Çështjet kryesore të trajtuara me këtë Projekt-rregullore janë forma, përmbajtja, pajisja dhe mënyra e përdorimit të stemës dhe vulës nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm dhe organeve inspektuese. Gjatë hartimit të kësaj Projekt-rregulloreje janë konsultuar praktikat më të mira ndërkombëtare, atyre të vendeve fqinje dhe të Bashkimit Evropian.

– Miratuar Udhëzimin Administrativ për Përmbajtjen e Procesverbalit të Inspektimit. Çështjet kryesore të trajtuara me këtë Projekt-udhëzim Administrativ janë përcaktimi i normave për informatat e hollësishme në lidhje me veprimet, gjetjet dhe vendimet procedurale të marra gjatë inspektimit.

– Miratuar Udhëzimin Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve në Kosovë, i cili përcakton masat dhe veprimet që kërkohen të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse në nivel qendror dhe lokal, si dhe përgjegjësinë e institucioneve përkatëse lidhur me parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijës. Ky Udhëzim Administrativ në mënyrë specifike kategorizon punët të cilat janë të ndaluara dhe të rrezikshme për zhvillimin normal të fëmijëve.

– Miratuar Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028. Ky program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe reformave të tjera për integrim në Bashkimin Evropian. Këto reforma mbulojnë fushat e kritereve politike, atyre ekonomike dhe të standardeve evropiane të njohura si kapitujt e Acquis-së së BE-së. Hartimi i Programit është udhëhequr nga departamentet për integrim evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si institucioni kryesor koordinues, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse për secilin kapitull.

– Miratuar Deklaratën së Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2025-2027, të cilat janë paraqitur në mënyrë specifike të strukturuara sipas shtyllave të Strategjisë dhe Planit Kombëtar për Zhvillim dhe sipas sektorëve të politikave po ashtu të definuara në kornizën strategjike.

– Ndarë 4,000,000 milionë euro (katër milionë euro) për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Pas thirrjes publike të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, të cilët janë në gjendje të rëndë sociale e me kushte të rënda banimi, MAPL ka bërë kërkesë për ndarjen e mjeteve shtesë në vlerë prej 4 milionë euro, të cilat do të përdoren për subvencionimin 100%, të ndërtimit të shtëpive për qytetarët tanë në katër komunat veriore.

– Themeluar Grupin Punues Ndërinstitucional, për përgatitjen e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës, në EXPO 2025/Osaka, në këtë përbërje:

1. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kryesues;

2. Ministria e Ekonomisë, anëtar;

3. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtar;

4. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;

5. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, anëtar.

– Themeluar Këshillin për Siguri në Trafikun rrugor cili krijon politikat lidhur me sigurinë rrugore, koordinimin e të gjitha institucioneve që merren më sigurinë rrugore, në këtë përbërje:

1. Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kryesues;

2. Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtar;

3. Ministri i Ministrisë së Drejtësisë, anëtar;

4. Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë – anëtar;

5. Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtar;

6. Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;

7. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, anëtar;

8. Kryesuesi i Asociacionit të Komunave, anëtar; dhe

9. Përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, anëtar.

– Miratuar Vendimin Përfundimtar për shpronësim shtesë për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë-Bresalc, Zona Kadastrale: Zhegovc, Komuna Gjilan.

– Miratuar Vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish shoqërore P. Sh. “Progres” e cila preket nga realizimi i Projektit: “Ndërtimi i Qendrës së Paraburgimit dhe Institucionit Korrektues në Prizren” për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.

– Përditësuar e Listën Shtetërore Strategjike për Mallra me Përdorim të Dyfishtë.

– Miratuar Planin Strategjik për Zhvillimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor 2024-2030, i cili ka për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të Informimit shëndetësor në Kosovë. Marrë parasysh ngecjet e vazhdueshme, ne kemi trajtuar këtë fushë me kujdes të shtuar duke mundësuar fillimisht vlerësimin gjithëpërfshirës të sistemit të informimit shëndetësor, përmes studimit të fizibilitetit, i finalizuar në fund të vitit të kaluar, i hap rrugë synimeve dhe orientimit tonë strategjik të zhvillimit, funksionalizimit dhe integrimit të sistemit të informimit shëndetësor.

– Miratuar Koncept-dokumentin për Fushën e Aviacionit Civil. Përmes tij synohet rritja e sigurisë se fluturimeve në aviacionin civil dhe rregullimi adekuat i transportit ajror.

– Miratuar Koncept-dokumentin për Produktet për Mbrojtjen e Bimëve. Ky koncept-dokument parashikon krijimin e kornizës së rregullave transparente, gjithëpërfshirëse e të qarta, të bazuar në qeverisjen e mirë, dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të fokusuar në masat parandaluese afatgjate për produktet për mbrojtjen e bimëve.

– Miratuar programin për performancë të lartë sportive “Super Sportistët” i cili ka për qëllim mbështetjen e qëndrueshme të sportistëve të Republikës së Kosovës përgjatë karrierës së tyre aktive, duke u përqendruar tek sportistët me potencial të lartë për të arritur suksese në arenën ndërkombëtare sportive. Ndër vite, sportistët kanë qenë motori i ndërtimit të imazhit pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për këtë, për herë të parë, kemi krijuar program i cili i kushton vëmendje dhe mbështetë sportistët përgjatë rrugëtimit të tyre për rezultate dhe suksese.

Në këtë mbledhje Kabineti Qeveritar është Informuar edhe për Raportin e vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të kuvendeve të komunave për periudhën janar – dhjetor 2023, si dhe për Raportin për Funksionimin e Komunave për Vitin 2023.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera