Lajme

Mbi 200 persona mbesin pa pensione

Autori: Gazeta inFokus 09:38 | 08 August 2020

Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së, ka mbetur e mbyllur që nga dita kur në krye të Qeverisë ka ardhur Avdullah Hoti. E mbyllja e kësaj zyre, ka bërë që familjarë të Dëshmorëve, invalidë e veteranë të Luftës nuk po kanë mundësi që të pajisen me dokumentacionet që i lëshon kjo zyre, duke e pamundësuar familjarëve të tyre që ta marrin pensionin që e gëzojnë nga shteti.

Kërkesën për hapjen e saj, e ka bërë deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, i cili në kohën kur me vendin qeveriste Ramush Haradinaj, ka qenë drejtor i kësaj zyre.

Syla ka thënë se më shumë se 200 persona po kërkojnë që të pajisen me dokumentacionin që i lëshon kjo zyre, për të cilët thotë se kanë mbetur pa pensione.

-Advertisement-

“Unë sot kam ardhë këtu pranë kësaj zyre me shpreh një shqetësim përshkak se kjo zyre është jofunksionale dhe po iu mohon të drejtën e mbi 200 pjesëtarëve të kategorive të dala nga lufta që të pajisen me dokumentacion që ju takon siç e parasheh ligji që të gëzojnë benificionet. Kjo zyre është mbyllur që nga koha me vendin qeverisë Avdullah Hoti”, tha ai, teksa tha se ka marrë iniciativa edhe më herët që të hapet kjo zyre.

Syla ka thënë se ka dërguar disa herë shkresa që të hapet kjo zyre, por që thotë se porosia e tij ka shkuar në vesh të shurdhër.

“Unë iu kam thënë që ta hapin këtë zyre sepse nevojat janë emergjente, njerëzit kanë nevojë që të pajisen me dokumentacion, megjithatë porosia ime ka shkuar në vesh të shurdhër, nuk kam marrë ndonjë përgjigje”, u shpreh ai.

Moshapjen e kësaj zyre, deputeti i AAK-së, e quan neglizhencë të vet kryeministrit Avdullah Hoti.

“Kjo është neglizhencë e kryeministrit Hoti, përshkak se posti që e drejton këtë zyre është këshilltar politik dhe quhet drejtor i Zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta, andaj kjo është vetëm në dorën e kryeministrit, nuk është problem qeveritar por është problem që me gjasë kryeministri e ka neglizhuar këtë çështje, e që nuk duhet të neglizhohet sepse numri i atyre që kërkojnë dokumentacion vetëm sa po rritet. Kemi të bëjmë me një kategori të njerëzve që veterani ka vdekur dhe familja obligohet që të vijë dhe ta nxjerrë një vërtetim trashëgimtari që ta gëzojë pensionin e prindit që i ka vdek”, tha ai.

Ndonëse për tri vite e gjysmë ka qenë drejtor në këtë zyre, Syla thotë se shumë qytetarë po e thërrasin pikërisht atë, për të pyetur përse është e mbyllur kjo zyre. Thotë se do të tentojë edhe të dal në rrugë për të protestuar në mënyrë që këta njerëz të pajisen me dokumentacionin e kërkuar.

“Ata po më shkruajnë mua sepse kam qenë vet drejtor në këtë zyre në kohën e qeverisë Haradinaj, unë po provoj me komuniku me zyrën e kryeministrit por me gjasë nuk ka vullnet nga zyra e kryeministrit me ndodh një gjë e tillë. Nëse kryeministri Hoti nuk gjen kohë që të merret me këtë çështje, unë do të provoj edhe në forma tjera, nëse është nevoja edhe me protestua para kësaj zyre”, tha ai./eo

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera