Lajme

Mbi 14 mijë euro gjobë ndaj ish-zyrtarit policor dhe tre të tjerëve pasi pranuan se organizuan lojën me poker

Autori: Gazeta inFokus 15:40 | 01 October 2021

Ish-zyrtari policor Jashar Osdautaj dhe të akuzuarit Gegë Lleshaj, Arlind Hajdari dhe Leonard Elezaj janë dënuar me 14 mijë e 400 euro gjobë për organizim të kundërligjshëm të lojës së pokerit, në korrik të 2020-es në Gjakovë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Diana Sina, katër të akuzuarit fillimisht janë dënuar me nga 6 muaj burgim secili, por që me pëlqimin e tyre ky dënim është zëvendësuar në dënim me gjobë për secilin nga 3 mijë e 600 euro.

Të njëjtëve në këto dënime do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ashtu që të katërve nga këto gjoba secilit do t’iu hiqen nga 1 mijë e 200 euro, ndërsa pjesën tjetër janë të detyruar ta paguajnë në afat prej 60 ditësh.

-Advertisement-

Gjithashtu, janë konfiskuar para në shumën prej 1 mijë e 9 euro, dy dollarë dhe dhjetëra çipa të lojës.

Të gjithë të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur më 29 shtator të këtij viti.

Madje, i akuzuari Osdautaj kishte deklaruar se kjo vepër penale i kishte kushtuar atij me vendin e punës.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Jashar Osdautaj, Gegë Lleshaj, Arlind Hajdari dhe Leonard Elezaj, më 26 korrik 2020, në depon e një bodrumi të objektit banesor e cila gjendet në rrugën “Nëna Tereza” në Gjakovë, saktësisht afër ëmbëltores “Sharri”, kanë organizuar, zhvilluar dhe marrë pjesë në veprimtarinë e lojërave të fatit dhe atë në lojën poker.

Tutje sipas aktakuzës, ata këtë e kanë bërë në atë mënyrë që natën kritike pas një kontrolli të zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës, të akuzuarit janë zënë duke ushtruar veprimtarinë me lojëra të fatit në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, me ç’rast janë arrestuar të akuzuarit si dhe janë sekuestruar një shumë e caktuar e të hollave, çipa të lojës së pokerit si dhe dy aparate të lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës, me këto veprime ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në bashkëkryerje” nga neni 294 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet. /BetimipërDrejtësi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera