Lajme

Mbi 133 mijë të vaksinuar në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 14:15 | 19 June 2021

Deri në mesditë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë u vaksinuan mbi 280 persona me dozën e parë dhe të dytën të vaksinës anti-COVID, ndërsa në nivel vendi u vaksinuan mbi 600 persona.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, tha se deri më tani në mbarë vendin janë dhënë mbi 133 mijë e 500 vaksina.

“Siç po shihni edhe sot në sallën ‘1 Tetori’ po vazhdon procesi i vaksinimit, ku aktualisht deri më tani kemi mbi 280 të vaksinuar, me dozën e parë dhe të dytë, Astra Zeneca dhe vaksinës Pfizer. Po ashtu edhe në nivel vendi nëse i referohemi deri në këto qaste kemi mbi 600 të vaksinuar. Ndërsa totali i përgjithshëm në nivel vendi nga 29 marsi e deri në këto qaste ka mbi 133 mijë e 500 vaksinime të realizuara deri tash”, tha ai.

-Advertisement-

Grupet prioritare për vaksinim masiv momentalisht në Kosovë, janë grupmoshat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike pa dallim moshe, mësimdhënësit si dhe forcat e sigurisë të përfshira drejtpërdrejt në menaxhimin e COVID-19.

Kujtojmë se nga 15 qershori në Kosovë ka nisur procesi masiv i vaksinimit, ndërsa Qeveria ka premtuar se deri në fund të vitit do të vaksinohet 60 përqind e popullatës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera