Lajme

Mbi 10% më shumë të hyra në Doganën e Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 21 February 2021

Mbi 10 për qind më shumë janë rritur të hyrat nga Dogana e Kosovës në këtë fillim-vit.

123 milionë euro është totali i taksave që ka mbledhur dogana gjatë muajit të parë të vitit dhe në gjysmën e shkurtit.

Nga Dogana thonë se ka ulje të kontrabandimit me mallra. Megjithatë, sipas tyre, rastet më të shpeshta janë ato ku tentohet të kontrabandohet me medikamente mjekësore dhe pije të gazuara.

-Advertisement-

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se të hyrat e përgjithshme janë më të larta se viti paraprak. Sipas tij, ekonomia ka filluar të funksionojë, kështu është rritur konsumi dhe importi.

“Vitin e kaluar, periudhën prej janarit deri në gjysmë të shkurtit, ne kemi pasur të mbledhura në vitin 2020, 111 milionë euro të hyra në buxhetin e Kosovës. Ndërsa, ku fillim-vit është i mbarë dhe ka arritur 123 milionë euro totali i taksave që kemi mbledhur”, thekson Stavileci për KosovaPress.

Tutje, Stavileci thotë se pandemia ka ndikuar në të gjitha sferat ekonomike në Kosovë, për çka shton se ka pasur ulje të tentim-kontrabandimeve.

“Normalisht që gjithmonë kemi kapur raste të ndryshme gjatë tentim-kontrabandimit, por në përgjithësi mund të themi se kemi pasur ulje të numrit të rasteve të cilat i kemi kapur gjatë tentimit për kontrabandim”, shton ai.

Ai thekson se rastet më të shpeshta të kontrabandës janë me medikamente mjekësore dhe pije të gazuara.

“Produktet të cilat janë më të favorizuara për kontrabandë janë produktet të cilat shiten, transportohen në mënyra më të lehta. Për shkak se ne kemi parë shembull derivatet e naftës, por me rregullimin e tregut kjo problematikë është minimizuar dhe gati është në zhdukje e sipër. Tani kemi disa raste ku kapim kontrabandimin me medikamente. Kapim raste të kontrabandimit me pije të gazuara të cilat vijnë nga shtetet e ndryshme”, përfundon ai.

Stavileci shton se në këto raste, tentohet që t’i ikin taksës së akcizës.

Të hyrat vjetore të Doganës në vitin 2020 janë 1 miliard e 30 milionë euro ose një rënie për 10 për qind.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera