Uncategorized

Mbahet takimi i Komitetit të KE-së, a do të jetë Kosova në agjendë

Autori: Gazeta inFokus 08:11 | 20 May 2022

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, sot mban takimin për këtë vit. Në këtë takim, siç kanë njoftuar zëdhënës nga Këshilli i Evropës, aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk është në agjendë. Nëse sot nuk trajtohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KE, një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë deri në maj të vitit të ardhshëm, pasi Komiteti i Ministrave mblidhet vetëm një herë në vit.

Sot, në Torino të Italisë, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës mban takimin për këtë vit. Në takim pritet të diskutohet rreth kundërpërgjigjes ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë. Siç kanë njoftuar zëdhënës nga Këshilli i Evropës, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë nuk është në agjendë pune. Ndërkohë, pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KE, më 12 maj, janë shtuar thirrjet që në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të përfshihet edhe aplikimi i Kosovës. Në rast se ndodhë kjo, kërkesa për anëtarësim duhet të miratohet me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve që përbëjnë Këshillin e Evropës, thotë Besfort Rrecaj, profesor universitar në Fakultetin Juridik.

“Statuti i Evropës e parasheh që ftesa për anëtarësim miratohet me 2/3 e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës. Pas ftesës ajo që duhet të bëjë Kosova është të dorëzojë instrumentin e aderimit në këtë organizatë. Me dorëzimin e instrumenti të aderimit konsiderohet se që është anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ai.

-Advertisement-

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës erdhi pas përjashtimit të Rusisë, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë.
Ky hap i ndërmarrë nga Prishtinë zyrtare është një vendim shumë racional, thotë për Radio Kosovën themeluesi i Fondit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është i mundur.
Ton: Dushan Janjiq.

“Beogradi nuk ka shumë hapësirë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion, tashmë kur ka ndryshuar edhe raporti i forcave në Këshillin e Evropës. Shumë pak vende do të jenë kundër pranimit të Kosovës. Tani radhën e kanë 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që të përcaktohen për Kosovën. Për Serbinë, do të ishe mirë që çështja e të drejtave të njeriut, të trajtohet brenda Këshillit të Evropës, i cili është përgjegjës për këtë, sepse Këshilli i Evropës është institucioni që merret me të drejtat e minoriteteve, të drejtat fetare etj. Pra, nuk shoh arsye që këto probleme të mos zgjidhen në të ardhmen në kuadër të Këshillit të Evropës”, tha ai.

Nëse sot nuk trajtohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë deri në maj të vitit të ardhshëm, pasi Komiteti i Ministrave mblidhet vetëm një herë në vit. Aktualisht, KE ka 46 anëtarë dhe 2/3 e anëtarëve të kësaj organizate ndërkombëtare janë shtete që pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera