Lajme

Mashtruesit e dyshuar shqiptarë të ndërtimtarisë

Autori: Gazeta inFokus 09:43 | 03 May 2017

Javën e kaluar në Vaud ka shpërthyer skandali i mashtrimit të Fondit të Papunësisë me shifra shumë milionëshe. Një punëtor shqiptar i sindikatave dyshohet si protagonist në këtë aferë

Gazeta “Le Matin Dimanche” në numrin e saj më të ri ka shkruar gjerësisht lidhur me skandalin më të ri, të shpërthyer javën e kaluar në Kantonin Vaud. Një sistem i ngritur në atë mënyrë që përmes mashtrimeve t`u sjellë fitime të mëdha disa sindikalistëve dhe disa shefave të firmave të ndërtimit. albinfo.ch sjell pjesë nga ky artikull.

Hetim: si funksiononte mashtrimi në zyrën e papunësisë që ka çuar në 20 arrestime këtë javë

-Advertisement-

Përafërsisht 20 persona të arrestuar pas më pak se një viti hetimesh: Të të enjten, Ministria e Punëve Publike e kantonit të Vaudit i habiti të gjithë me aferën që e paralajmëroi. Në fakt, ishte montuar një mashtrim që ka përfshirë akterë të profesioneve të ndryshme. Disa sipërmarrës të ndërtimit duket se janë marrë vesh me sindikatën Unia për t’u paguar nga arka e papunësisë e kantonit. Si funksiononte sistemi? Si dhe për çfarë arsye punëtorët e Unia-s kanë marrë pjesë në mashtrim? Hetimi ynë tregon se në çfarë mase kontrollet janë të pamjaftueshme në këtë sektor, siç e konfirmon Luca Cirigliano, sekretar qendror i Bashkimit Sindikal Zviceran (USS): “Problemi vjen nga niveli i lartë të konkurrencës në sektor. Disa persona të padëshirueshëm e përdorin mashtrimin për të fituar para në mënyrë të lehtë”.

Sindikalisti nga Vaudi ka arrestuar një “pre” të madhe

Mashtrim: Drejtësia ka iniciuar një hetim rreth një sistemi të madh të papunësisë fiktive. Janë arrestuar dy punëtorë të Unia-s, njëri prej tyre, banor i Lozanës.

Është një aferë pa precedent, veçanërisht sepse përfshin persona që i imagjinonim larg të gjitha dyshimeve: punëtorë të Unia-s, angazhimi i të cilës në të mirë të punëtorëve konsiderohet si e shenjtë nga shumë njerëz. Dy punonjës të sindikatës  janë arrestuar këtë javë. Njëri në Bernë, tjetri në Lozanë, transmeton albinfo.ch. Mashtrimi në të cilin janë përfshirë, dhe që prek përafërsisht njëzet kompani aktive në sektorin e ndërmarrësisë, i ka kushtuar mijëra miliona franga arkës së papunësisë të Kantonit të Vaudit. Shumë protagonistë të këtij mashtrimi janë shqiptarë nga Kosova.

Punonjësi i Unia-s i arrestuar është punëtor sindikal aktiv në sektorin e ndërtimit. Në këtë mes, arrestimi i tij ka pasur efektin e një bombe. “WE kam parë një koleg duke qarë”, rrëfen një sindikalist. Për shkak të kësaj afere, do të na fyejnë dhe konsiderojnë si mashtrues në vendpunishte”.

Ismeti* është arrestuar në të enjten në vendbanimin e tij. Ai ka shumë kohë që punon në seksionin e ndërtimit të Unia-s në rajonin e Vaud-it. Nuk ka pozitë kuadri. Është person i terrenit dhe i kontaktit. Ai shkon nga kantieri në kantier për të takuar punëtorë dhe për t’i këshilluar. Me origjinë nga Kosova, personi është i integruar mirë brenda komunitetit shqiptar dhe frekuenton Partinë Socialiste të Vaudit, përcjell albinfo.ch. Ata që kalojnë kohë me të e përshkruajnë si një personazh karizmatik. “Nuk mund as të imagjinoj që ai është”, reagon një sekretar i sindikatës nga Gjeneva, i shtangur pas lajmërimit të arrestimit të tij.

Në profilin e tij në Facebook, mund të zbulojmë një tridhjetëvjeçar i cili, me syze të diellit, ecën nëpër plazhet e Miami-t. Sipas burimeve të ndryshme, Ismeti është adhurues i veturave të shtrenjta dhe nget një Audi luksoze.

I suspenduari nga sindikatat menjëherë pas arrestimit të tij, ai ishte i pëlqyer për arsye se bënte lidhje me komunitetin shqiptar aktiv në sektorin e ndërtimtarisë. “Ai sillte anëtarë të rinj në sindikatë. Ishte gjë e mirë për imazhin e tij”, nënvizon një sindikalist.

Një sistem i menduar mirë

Si ka mundur Ismeti të krijojë këtë aferë të papunësisë fiktive? Sipas “24 heures” e cila ka bërë me dije për zhvillimin e hetimeve këtë të enjte pak para dërgimit të komunikatës së ministrisë publike, mashtrimi regjistrohet brenda një sistemi të menduar mirë të falimentimeve të njëpasnjëshme (të lexohet infografia më poshtë) – gjë që raportohet nga shumë burime të kontaktuara nga “Le Matin Dimanche”.

Si punëtor i sindikatës Ismeti ndihmonte punëtorët e një kompanie në prag të falimentimit– shpeshherë janë, në fushën e ndërtimit, jo-fragjishtfolës dhe pa dokumente në rregull – që të krijojnë një dosje për të deponuar kërkesë të kompensimit në rast të pamundësisë për të paguar. Në rastin kur një ndërmarrje dështon, ky sistem u mundëson këtyre të fundit t’i rimarrin deri në 4 muaj paga të papaguara. Sindikata e ndihmon prandaj punëtorin që të vërtetojë aktivitetin e tij duke u bazuar në dokumente të ndryshme si kontratat e punës dhe fletat e pagës, përcjell albinfo.ch gazetën “Le Matin Dimanche”. Në fushën e ndërtimit, nuk ka gjithmonë kontrata të punës: prandaj duhet që të mblidhen provat si vërtetimet nga punëdhënësi ose dëshmi nga punëtorë të tjerë, tregon një sindikalist.

Dosja pastaj i dërgohet Arkës kantonale të papunësisë, që ka për detyrë t’i vërtetojë dokumentet. Kjo tregon pa dyshim pse ishin bashkëpunëtorët e kësaj të fundit që e kanë paraqitur rastin gjatë vitit të kaluar: i kanë ndarë dyshimet e tyre për mashtrim tek Sekretariati i Shtetit për Ekonomi, përgjegjës për monitorimin e arkave të papunësisë, tregon Isabel Herkommer, zëdhënëse e SECO. Arka pastaj ka deponuar ankesë penale. Megjithatë, abuzimet kishin filluar në vitin 2013. Pse Arka nuk ka reaguar më herët? François Vodoz, shef i shërbimit të punësimit në Vaud, nuk e komenton, duke pasur parasysh që hetimi është në vazhdim.

Pasi që është pranuar nga arka e kantonit, shuma i rimbursohet punëtorit. Në rast se ky i fundit posedon një llogari për pagë, shuma zakonisht i derdhet menjëherë. Por mund edhe t’i transmetohet përmes përfaqësuesit të tij, në këtë rast, përmes sindikatës. Punëtori sindikal e transmeton te punëtori përkatës. E gjitha kjo bëhet shpesh me para kesh sepse punëtorët pa dokumente nuk kanë xhirollogari. Paratë u jepen në një zarf të mbyllur dhe në shkëmbim të nënshkrimit. Sipas një sindikalisti, punëtorët në shumicën e rasteve nuk janë pjesë e sindikatës në momentin e kërkesës për kompensim pas pamundësisë për të paguar: kontributi i tyre zbritet nga shuma e dërguar te sindikatat nga Arka e papunësisë.

Hetimi i Ministrisë publike ndërlidhet me raste të punëtorëve fiktivë, thënë ndryshe persona reale që nuk janë punësuar asnjëherë nga kompanitë në fjalë, transmeton albinfo.ch. Disa prej tyre as që kanë jetuar në Zvicër. Në fund, paratë kanë përfunduar në xhepat e shefave të afër 20 kompanive dhe dy bashkëpunëtorëve të Unia-s.

Një rast i dyshimtë në Valais

Si ka mundur Unia të humbas nga vështrimi një mashtrim të orkestruar pjesërisht nga punëtorët e saj ? Dy sindikalistë thonë se kanë alarmuar rreth kësaj disa vite më parë. “I kam pasur dyshimet e para në fund të vitit 2014”, tregon njëri prej tyre. Dymbëdhjetë punëtorë janë paraqitur duke pretenduar se kishin punuar për nën-kontraktues në një punishte në Valais por nuk kanë sjellë asnjë dëshmi. Papritmas, kanë ardhur me kontrata të vulosura nga ndërmarrja, që tashmë ishte në proces të falimentimit. Më është dukur shumë e dyshimtë. Këtë sistem e njohim që prej asaj kohe. Sot, si sekretarë sindikalë, kemi frikë që të trajtojmë dosje ku përfshihet pamundësia për të paguar kur është shefi i kompanisë që e shpallë vet falimentimin sepse nuk e dimë se çfarë bashkëpunimesh ekzistojnë mbrapa kësaj. Ashtu si sindikalistët e tjerë, ky e ka paralajmëruar menaxhmentin e Unia-s, duke i treguar edhe dyshimet e tij rreth Ismetit.

Pietro Carobbio, bashkë-sekretar rajonal i Unia Vaud mbrohet: “Kurrë nuk kemi pasur elemente që do të na bënin të dyshojmë rreth ndershmërisë së njërit nga punëtorët tanë, përcjell albinfo.ch

. Në rast se do të kishim vetëm një, do të ndërmerreshin masa të menjëhershme. Nuk e njohim ende përmbajtjen e hetimit dhe nuk mund të shprehemi rreth shtrirjes së tij. Hetimi i Ministrisë Publike të Vaudit nuk e shënjestron Unia-n por dy punëtorë.

Ish-zyrtari sindikal te Unia, po ashtu me origjinë shqiptare, Arben Krasniqi tregon se është i shtangur nga kjo aferë : “puna jonë sindikale është që t’i mbrojmë punëtorët. Kurrë nuk kisha menduar se një mashtrim i tillë do të ishte i mundur. Për imazhin e komunitetit shqiptar, kjo ngjarje është katastrofale. Kemi bërë 15 vjet prapa sa i përket reputacionit tonë”./Albinfo.ch

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera