Lajme

Mashtrimi i deputetit të AAK-së me marrëdhëniet tregtare Gjermani – Izrael

Autori: Gazeta inFokus 19:44 | 30 January 2019

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka kërkuar që vendimi i qeverisë për taksen 100 për qind ndaj produkteve serbe të shndërrohet në ligj.

Ai ka thënë se duhet ndjekur shembulli i Izraelit pasi që, sipas tij, asnjë produkt nga Gjermania nuk hyn në Izrael.

“Vendimi i Qeverisë për Taksën 100% ndaj Mallrave të Serbisë duhet të shndërrohet në Ligj dhe të votohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe duhet të jetë i përjetshëm!! Këtë gjë e ka bërë dhe Izraeli ndaj mallrave Gjermane për shkak të veprimeve Naziste të luftës së dytë botërore. Jo taksë por asnjë produkt nga Gjermania nuk hynë në Izrael..!!”, ka shkruar Demaliaj në profilin e tij në Facebook.

-Advertisement-

Por, Gjermania dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie të mira sa i përket marrëdhënieve tregtare.

Gjermania është partneri tregtar numër një nga vendet e Bashkimit Europian për Izraelin. Sipas të dhënave zyrtare nga Zyra e Jashtme Federale gjermane, Gjermania gjatë vitit 2017 ka eksportuar 6.31 miliardë dollarë në Izrael.

Fusha e tregtisë midis dy vendeve arriti në 7 miliard dollarë në vitin 2016, me eksportet izraelite që arritën 1.6 miliardë dollarë, një rritje prej 3 për qind nga 2015.

Izraeli është partneri i dytë më i rëndësishëm i Gjermanisë në Lindjen e Mesme, shkruan kallxo.com.

Eksportet e Izraelit në Gjermani (me vlerë 1.96 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2017) përbëhen kryesisht nga produkte kimike dhe mallra elektrike, si dhe inxhinieri precize dhe instrumente optike.

Në vitin 1952, atëbotë Gjermania perëndimore i kishte ofruar shtetit të Izraelit që t’i paguante reparacionet për krimet naziste ndaj miliona hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore. Mbi 74 miliardë euro ka arritur kompensimi  dëmeve të shkaktuara ndaj hebrenjve.

Që nga themelimi i marrëdhënieve diplomatike më 12 maj 1965, marrëdhëniet gjermano-izraelite kanë vazhduar të rriten gjithnjë e më shumë.  Sot, marrëdhëniet gjermano-izraelite janë të afërta dhe miqësore, dhe që kurrsesi nuk është e vërtetë që mes te dy vendeve ka krizë ekonomike.

Gjithashtu, shteti gjerman është mbështetës i vendosur i së drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe si një partner aktiv në BE nxit përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera