Lajme

Mashtrimet me viza për në Gjermani, policia arreston tre persona në Prishtinë

Autori: Gazeta inFokus 21:25 | 24 January 2020

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka njoftuar se ka realizuar planin operativ të koduar ‘’Vizat’’, ku ka arrestuar tre persona.

Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës thuhet se, pas dyshimeve të bazuara në përfshirjen e disa personave të dyshuar në një bashkëpunim me një person tjetër në Gjermani, gjatë periudhës kohore janar-maj të vitit 2019, të njëjtit ju kanë premtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës punësim në profesione të ndryshme, e kryesisht në fushën e ndërtimtarisë në shtetin e Gjermanisë, ku në këmbim të kryerjes së këtyre shërbimeve, qytetarët duhet të paguanin shuma të parave në faza të ndryshme (në fazën e aplikimit, fazën e sigurimit të kontratës së punës, si dhe fazën e fitimit të të drejtës për vizë).

Me këtë rast, Policia e Kosovës gjatë fazës së hetimeve, ka aplikuar masat e nevojshme të hetimit të fshehtë, me ç’rast janë mbledhur dëshmitë nga personat e dyshuar.

Personat e dyshuar të arrestuar janë :
I.B. viti i lindjes 1983 M/Shqiptar
Sh. B. viti i lindjes 1952 M/Shqiptar
E. P. viti i lindjes 1996 M/Shqiptar

Në lidhje me rastin janë sekuestruar para në vlerë prej 700 euro si dhe 3 telefona mobil, të cilët do të shërbejnë si prova materiale përgjatë procedurave. Ndërsa me urdhër të prokurorit, personat e dyshuar të arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Të tjera