Ekonomi

Mashtrimet me centa

Autori: Gazeta inFokus 14:26 | 18 April 2018

“Nuk kam me t’i kthy 2 cent”, “Çka po të duhen se nuk mundesh me i përdorë”, “Për një cent mos e kqyr”. Me këto shprehje, shitësit e marketeve në vend i përcjellin gati çdo herë konsumatorët e tyre, e nuk ua kthejnë kusurin e plotë.

Centa, centa, në fund të ditës, shitësit grumbullojnë mijëra euro në arkë, shkruan Infokusi.com.

Organizata për mbrojtjen e konsumatorit, për vite të tëra, vazhdon ta ngrisë si shqetësim se qytetarët po vidhen nga shitësit.

-Advertisement-

Ndërsa, këta të fundit, mos kthimin e kusurit në para të imta 1,2, e 5  cent e arsyetojnë me mungesën e këtyre monedhave në treg.

Por, kjo po del të jetë e pa vërtetë.

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, Banka Qendrore e Kosovës i ka furnizuar Bankat në vend me më shumë 570 mijë euro, në vlerë të 1, 2 apo 5 centëve.

Sipas zëdhënësit të BQK-së, Besnik Kada, në vend nuk ka mungesë të 1, 2 dhe 5 euro centëve në Kosovë por ka një jo-gatishmëri për përdorim të tyre (sidomos 1 cent dhe 2 cent) nga ana e bizneseve dhe qytetareve.

Kada ka thënë se prej vitit 2004 e deri tani, BQK-ja ka furnizuar Bankat komerciale me afër 34 milionë copë monedha prej te cilave mbi 20 milionë copë apo 60% kanë qenë të denominimeve prej 1, 2 dhe 5 euro cent. Thotë se në tri vitet e fundit është rritur kërkesa për monedha euro.

BQK-ja furnizimin me monedha të tilla e kryen në mënyre indirekte përmes bankave komerciale të cilat janë drejtpërdrejtë të ndërlidhura me ndërmarrjet, bizneset dhe qytetaret.

“Gjatë vitit 2017, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka furnizuar bankat komerciale me mbi 5.3 milionë copë monedha euro të të gjitha denominimeve (prej te cilave 65% apo afër 3.5 milionë copë kanë qenë të denominimeve 5 cent, 2 cent dhe 1 cent).

Kërkesa e bankave komerciale për vëllimin (numrin e copëve) e monedhave gjate vitit 2017 ka shënuar një rritje prej 5.42% krahasuar me vitin 2016. Në tri vitet e fundit 2015, 2016 dhe 2017 shihet një tendencë e rritjes se kërkesës për monedha euro”, ka thënë Kada për Infokusin.

Problemi me monedha të kuqe

Në BQK, thonë se qytetarët për shkak të vlerës së vogël që kanë këto monedha janë të prirur të mos i përdorin dhe paguajnë mallrat dhe shërbimet me këto monedha, madje edhe duke mos i bartur me vete ndërsa në anën tjetër preferojnë ti marrin ato si kthim gjatë transaksionit.

Ndërsa, bizneset janë të prirura që të mos bëjnë kthimin e monedhave të kuqe (2 cent dhe 1 cent) gjatë transaksioneve duke bërë rrumbullaksime në vlerën e faturës.

“Kjo dukuri është evidente në mbarë territorin e Kosovës andaj do duhej që qytetarët të jenë më këmbëngulës në kërkesën e tyre për kthimin e saktë të vlerës gjatë blerjes që rrjedhimisht do i shtyente bizneset që të rrisin kërkesën për këto denominime tek bankat komerciale meqë është kërkesa e bizneseve dhe qytetarëve ajo që e përcakton kërkesën e bankave komerciale ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për furnizim me monedha të të gjitha denominimeve”, thuhet në përgjigjet e zëdhënësit të BQK-së drejtuar Infokusit.

Por, edhe pse nuk përdoren shumë në vend, tutje Kada thotë se të gjitha monedhat euro, pa përjashtim, duke përfshirë edhe 1, 2 dhe 5 cent janë të ligjshme në të gjithë zonën e Euros dhe Republikën e Kosovës. Shton se ato përdoren – dhe duhet të pranohen – ashtu si çdo monedhë tjetër e euros.(Arjeta Shabani)/Infokusi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera