MASHTI i gatshëm për mësim online
Autori: Gazeta inFokus 14:02 | 14 January 2022
Ministria e Arsimit po shprehet e gatshme për zhvillimin e mësimit online, në rast se paraqitet nevoja. Gjysmëvjetori i dytë ka nisur me prezencë në shkolla dhe orë të plota, mirëpo thirrje po bëhet që fëmijët mbi moshën 12-vjeçare të vaksinohen në mënyrë që të vazhdohet me këtë skenar.
Zëvendësministri, Dukagjin Popovci në konferencë për media ka deklaruar se numri i fëmijëve të vaksinuar është shumë i vogël. Derisa ka përmendur tre skenarët e tjerë për zhvillimin e mësimit, ai tha se janë të gatshëm që edhe këtë vit të mbahet mësim online.
“Edhe këtë vit jemi të gatshëm që mësimi të zhvillohet online nëse ka nevojë. Që nga dita e parë përmes transmetuesit publik emetohen video-mësimet sipas plan programeve prej klasave 1-9 varësisht faktit se a i shfrytëzon apo jo dikush në këto momente, gjithnjë mund të ndodhë që ndonjë shkollë të ketë nevojë të kalojë online. Pastaj të njëjtat video-mësime janë edhe në kanalin zyrtar të MAShT-it në Youtube, si dhe në platformën mësimore shkolla.org, e cila po ashtu mund të përdoret për zhvillimin e mësimit në kohë reale”, ka thënë Pupovci.
Më tej, ai tha se nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve të vaksinuar, por nga informatat përmes shkollave thuhet se ky numër është i vogël.
“Vaksinimi është mbrojtja më e sigurt nga pasojat e infeksionit, nëse jo edhe nga vet infeksioni. Shkallën e vaksinimit në mesin e mësimdhënësve e kemi të lakmueshme, diku rreth 95%. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe për nxënësit, studentët si dhe komunitetin në përgjithësi. Edhe pse shkalla e vaksinimit në Kosovë është më mirë sesa në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Shfrytëzoj rastin që në emër të Ministrisë së Arsimit t’ju ftoj edhe një herë të gjithë nxënësit 12 vjeç e më sipër, studentët dhe familjarët e tyre të vaksinohen sepse në këtë formë kontribuojnë që institucionet arsimore të mbetën të hapura”, ka thënë ai.
Pupovci ka folur edhe për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta. Sipas tij, punësimi i tyre do të bëhet në tre muajt e parë të këtij viti.
“Plani është që punësimi i tyre të bëhet gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Për këtë qëllim, ministria i ka njoftuar ditën e djeshme drejtoritë komunale të arsimit për procedurat që duhet të zbatojnë në rastin e punësimit, sepse ata do të punësohen nga drejtoritë komunale. Po ashtu do të ushtrojmë edhe një lloj të monitorimit në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të Financave që të sigurohemi se ky proces po kryhet ashtu siç është planifikuar. Është me rëndësi që këta persona të punësohen dhe të shpërndahen nëpër shkolla në atë mënyrë që të përmbushin kushtet dhe nevojat e fëmijëve që i takojnë kësaj kategorie”, ka deklaruar ai.
Sipas Pupovci, plani i qeverisë mbetet që çdo vit të punësohen nga 100 asistentë dhe se ndarja e tyre në komuna është bërë përmes grantit specifik të arsimit.
Në konferencën e sotme, Pupovci ka deklaruar se gjatë kësaj jave është konstituar Këshilli Kombëtar i Shkencës, i cili ishte emëruar vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...