Lajme

MASHT shpërndan libra në 37 Komuna të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 16:16 | 12 July 2019

Në një ceremoni të organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka bërë shpërndarjen e librave të botuar dhe të blerë nga Ministria, donacion për 37 Komuna të Kosovës dhe për bibliotekat komunale shqiptare jashtë kufijve të Kosovës.

Me këtë rast ministri Gashi fillimisht tha se përmes formave të ndryshme të subvencionit në vazhdimësi është punuar që tu dilet në përkrahje bibliotekave komunale dhe institucioneve tjera komunale të kulturës.

“Donacioni që ne po e dorëzojmë sot është jo i vogël dhe vlerësojmë se është tejet cilësor, meqë librat që ne sot po i japim janë librat më të mirë që janë botuar gjatë vitit 2018, dhe këtë vlerësim e ka bërë një trup profesionale siç është Këshilli i Librit, si organ që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës”, tha ministri Gashi.

-Advertisement-

Ai gjithashtu tha se shpërndarja e librave tek bibliotekat komunale është një politikë e rëndësishme.

“Përmes kësaj politike ne po bëjmë subvencionim të dyfishtë për librin ngase këta libra fillimisht përkrahen për botim dhe blihen nga shtëpitë botuese në Kosovës, me ç’rast përkrahen shtëpitë botuese dhe autorët, ndërsa të njëjtat shpërndahen tek bibliotekat komunale ku u ofrohen më shumë lexuesve në tërë territorin e Kosovës”, u shpreh ai.

Po ashtu, ministri Gashi konfirmoi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mandatin e tij qeverisës e ka pasur prioritet rritjen e mbështetjes për librin, botuesit dhe bibliotekat duke theksuar rritjen e buxhetit .

Ai tha: “Sot dua të përmend se përveç buxhetit që ne ndajmë për botimin e librit, botimin e revistave letrare dhe blerjen e librave të botuar nga shtëpitë botuese vendore, ne ndajmë buxhet për librin dhe bibliotekat edhe në thirrjet publike vjetore të Ministrisë që bëhen për subvencionimin e skenës kulturore”.

“Dua të ju sigurojë se ne do të vazhdojmë përkrahjen tonë për librin, bibliotekat dhe bibliotekarinë dhe do të mbesim përkrahësit më të mëdhenj të librit në vend”, përfundoi Gashi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera