Opinione

Masat efiçiente në ndërtesat publike

Autori: Shend Boshnjaku 12:46 | 16 August 2019

Kosova nuk ia din për kursime, edhe energjinë elektrike e shpenzon pa kontroll

Prodhimi i energjisë elektrike duke përdorur burimet fosile nga lëndët djegëse dhe shpenzimi i pakontrolluar i saj, që si pasojë po shkatërrojnë atmosferën dhe shtresën e ozonit, përbëjnë një shqetësim global, gjë që ka alarmuar shumë ekspertë të kësaj fushe dhe shtete të shumta anë e mbanë botës. Duke parë këto probleme, ekspertë të ndryshëm kanë shqyrtuar mundësitë që të zvogëlohet përdorimi i burimeve fosile djegëse duke vënë në funksion metoda tjera tëprodhimit të energjisë përmes burimeve të ripërtëritshme dhe kështu duke e ngritur edhe performancën e energjisë në ndërtesa. Ndërtesat, konsiderohet të jenë ndotësit më të mëdhenj sipas shumë raporteve që janë nxjerrë nga vende të BE-së e më gjerë, duke vënë theksin tek lirimi i masës së madhe të dioksidit të karbonit, me pjesëmarrje rreth 40%. Por, në Kosovë ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e masave efiçiente si dhe prodhimi i energjisë përmes burimeve të ripërtëritshme mbetet akoma i ulët.  Sipas Planit të Veprimit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, shumica e shtëpive apo ndërtesave rezidenciale nuk kanë termoizolim apo ndonjë masë tjetër efiçiente të duhur. Për të rritur performancën e ndërtesave, institucionet publike në Kosovë kanë filluar të ndërmarrin disa masa efiçiente, siç janë ndërrimi i dyerve dhe dritareve, termoizolimi i objektit dhe instalimi i ngrohjes qendrore.

Plani për 9 % efiçiencë larg të arrihet

-Advertisement-

Kosova, në vitin 2005 e ka miratuar një dokument për energji të titulluar “Strategjia e Kosovës për Energji (2005-2015)”, e cila kryesisht u fokusua në prodhimin e energjisë përmes burimeve fosile djegëse, duke lënë anash burimet e ripërtëritshme të energjisë. Kjo strategji u rishikua në vitin 2009 me “Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2009-2018”. Ndonëse në vitin 2018 vendet e BE-së fokusin e kishin drejt burimeve alternative të pastërta, Kosova si një ndër objektivat strategjike në kuadër të kësaj Strategjie vazhdoi ta ketë përdorimin e burimeve fosile djegëse, përkatësisht linjitit. Strategjia e vitit 2009-2018 vë në pah rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit vendor me direktivat, normat dhe standardet e BE-së. Përputhshmëria e legjislacionit vendor me legjislacionin e BE-së, është obligim për Kosovën që buron nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Duke qenë se Kosova synon të integrohet në Bashkimin Evropian, strategjia 2009-2018 kërkon zbatimin e objektivave 20-20-20 të planit të BE-së për fushën e energjisë, për të gjithaPalët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, ku bën pjesë edhe Kosova, kërkohet që deri në vitin 2020: të reduktohet 20% emitimi i gazrave që krijojnë efektin serrë; të rrittet 20% e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtitshme në konsumin e energjisë; dhe përmirësimin me 20% të efiçiencës së energjisë.

Kjo do të thotë se Kosova duhet të zbatojë të gjitha direktivat dhe rregulloret e BE-së që rregullojnë fushën e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Mirëpo, zbatimi i masave dhe standardeve të BE-së në Kosovë do të jetë shumë sfidues, veçanërisht pasi që ngritja e kapaciteteve të energjisë vazhdon të mbështetet në burimet fosile djegëse, referuar “Strategjisë së Energjisë e Republikës së Kosovës 2017-2026”.

Sa i përket planifikimit të politikave, Kosova ka hartuar Planin e Veprimit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (2010-2018). Ky plan ka miratuar caqet indikative prej 9% për Kosovën, të cilat  duhet të arrihen në fund të vitit 2018, e cila synon ta bëjë përdorimin përfundimtar të energjisë sa më ekonomik dhe efiçient, duke vendosur targete stimuluese dhe duke krijuar kornizën e duhur ligjore, institucionale dhe financare për të mënjanuar barrierat të cilat pengojnë shfrytëzimin efiçient të energjisë, thënë nga Plani i Veprimit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (2010-2018).

Hallakamë kompetencash dhe mungesa e fondeve, sfidat kryesore

Ish shefi i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Bedri Dragusha tregon se sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet e Kosovës në arritjen e caqeve dhe ngritjen e performancës energjetike të ndërtesave, përkatësisht në realizimin e projekteve dhe promovimin e efiçiencës së energjisë janë mungesa e kapaciteteve njerëzore (kompletimi i AKEE-se me staf profesional) dhe fondeve të veçanta (edhe pse që nga viti i kaluar, ligjërisht është dhënë drita e gjelbërt për themelim te fondit për EE, por akoma nuk është funksionalizuar).

Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (AKEE) dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) janë dy institucionet përgjegjëse për arritjen e caqeve të Kosovës në Efiçiencën e Energjisë dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me acquis të BE-së.

Mirëpo, sipas ish shefit të AKEE-së, Bedri Dragusha, realizimi i këtyre obligimeve të përbashkëta mbetet mjaft sfidues si pasojë e alokimit të pamjaftueshëm të mjeteve financiare nga Qeveria, mos-implementimit të projekteve të cilat kanë të bëjnë me masat efiçiente në ndërtesat publike si dhe zbatueshmëria e ngadaltë e projekteve të financuara nga disa institucione ndërkombëtare.

Kurse shefi aktual i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Arsim Kuliqi, thekson se problem në vete paraqesin edhe kompetencat e përziera dhe të paqarta në mes të institucioneve të ndryshme që merren me fushën e energjisë, përkatësisht efiçiencën e energjisë. “Kompetencat në institucione janë të përziera dhe kjo po i kushton të gjitha institucioneve dhe Kosovës. Raportimet nga niveli lokal gjithmonë bëhen tek ne në Agjenci, kurse zhvillimi i politikave dhe zbatimi i tyre është i komplikuar dhe i përzier e që përbëjnë sfidë tjetër për AKEE-në, gjë që po kushton në mbarëvajtjen e punëve”, thotë Kuliqi, duke lënë të kuptohet se pakënaqësia ka të bëjë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Shefi i AKEE-së më tutje tregon se për këtë çështje ka kritika te vazhdueshme nga institucionet e nivelit lokal dhe qendror,  sepse Departamenti i Energjisë ka krijuar konfuzitet edhe brenda komunave me ndërhyrje në kompetencat e AKEE-së dhe tani për tani mungon një adrësë për efiçiencë të energjisë. Si rrjedhojë e këtij problemi është sfiduese mbarëvajtja e punës në komuna të cilat i kanë disa obligime ligjore ndaj AKEE-së, thotë Kuliqi.

Rreth problemit të kompetencave për zbatimin e politikave të efiçiencës së energjisë është kontaktuar Departamenti i Energjisë e cila është pjesë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Rrezartë Zjaça Dedaj, zyrtare e lartë për efiçiencë të energjisë në Departamentin e Energjisë pohon se DE dhe AKEE bashkëpunojnë në mënyrë shumë konstruktive për secilin projekt, mirëpo tregon se deri më tani Departamenti i Energjisë ka bërë vetëm fushata promovuese dhe secila masë efiçiente të cilën e kanë marrë përsipër ka qenë e karakterit promovues. Më tej ajo thekson se përgjegjësitë për efiçiencë të energjisë edhe pse janë të ndara, si zgjidhje më e mirë shihet që hartimin ta bëjë Departamenti i Energjisë, zbatimin Fondi i Efiçiencës së Energjisë dhe raportimi i politikave dhe i planeve të veprimit të bëhen nga Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Përveç dy institucioneve të lartpërmendura, përgjegjëse për disa punë të cilat ndërlidhen me efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike është edhe Ministria e Administratës Publike.

Arif Daka, drejtor në Departamentin për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në kuadër të MAP-it, thotë se janë përgjegjës për menaxhimin direkt të 65 ndërtesave qeveritare dhe kanë qasje në të gjitha shpenzimet e energjisë elektrike, ngrohjes, ujit etj.

Nga 65 ndërtesat të cilat i menaxhon kjo ministri, auditime janë bërë në tre ndërtesa, ndërsa kanë kërkuar që të auditohen edhe diku rreth 17 prej tyre. Nga tre ndërtesat e audituara vetëm në njërën prej tyre janë implementuar masat efiçiente të energjisë në ndërtesën ku ndodhen dy ministri: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërsa auditimi ka përfunduar në ndërtesën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe ndërtesës së Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Por implementimi i masave efiçiente, sipas Dakës, akoma nuk ka ndodhur.
Në anën tjetër, edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, ka qenë bartëse e disa akteve ligjore që synojnë ta rrisin performancën energjetike në ndërtesa. Zyrtari për modernizimin e ndërtimit dhe pilot projekteve në MMPH, Arben Ajazi, thotë se kjo Ministri ka qenë sponzorizuese e Ligjit për Performancën Energjetike në Ndërtesa (Nr. 05/L-101) si dhe bartëse e disa akteve nënligjore që rregullojnë: Kursimin e Energjisë Termike; Kërkesat Minimale të Performancës Energjetike në Ndërtesa; si dhe Çertifikimin e Performancës Energjetike në Ndërtesa. “Mirëpo, kjo ministri nuk është e thirrur për implementimin e ndonjë mase efiçiente vetëm sponzorisuese e disa ligjeve dhe bartëse e disa akteve nënligjore”, shton më pas Ajazi.

Sa ndërtesa publike janë dhe sa miliona euro shpenzohen për energji

Rreferuar raportit të INDEP – Financimi i Efiçiencës së Energjisë në Kosovë, zbatimi i masave dhe standardeve të BE-së në Kosovë do të jetë shumë sfidues, veçanërisht pasi që ngritja e kapaciteteve të energjisë vazhdon të mbështetet në burimet fosile të lëndëve djegëse. Ndërkaq, për të bërë hapa konkret në drejtim të zvogëlimit të shpenzimeve të energjisë elektrike që nënkupton zvogëlim i mundësive për dëmtimin e ambientit, INDEP ka kërkuar nga institucionet shtetërore të tregojnë seriozitet në këtë aspekt dhe të ndërmarrin veprime emergjente.

Një projekt i cili i ofron mundësinë Qeverisë dhe Komunave të reduktojnë shpenzimet e tyre buxhetore është efiçienca e energjisë në ndërtesat publike. Sipas statistikave të marra nga raporti i Komisionit Evropian – Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit 2014-2020: Mbështetja e BE-së për Fondin e Efiçiencës së Energjisë, Qeveria e Kosovës shpenzon mbi 22 milionë euro në vit për faturat e energjisë në ndërtesat publike. Kurse mund të kursente 20%-30% në vit nëse do të zbatoheshin masat efiçiente të energjisë. Qeveria zotëron 369 ndërtesa publike. Konsumi i përgjithshëm i energjisë për vit është rreth 90,000 Megavatë në Orë (MWh), ose mbi 6 milionë euro. Sektori i banimit përfaqëson pjesën më të madhe të konsumit të energjisë me 39%, industria 27%, transporti 23%, shërbimet apo sektori publik konsumon 9% dhe bujqësia 2%.  Stoku i ndërtesave komunale përfshin rreth 1600 ndërtesa me konsum të përgjithshëm të energjisë prej reth 217,000 (MWh) në vit, ose afër 16 milionë euro. Ndërtesat komunale janë kryesisht shkollat, kopshtet për fëmijë, qendra shëndetësore dhe ndërtesat e administratës komunale. Përveç ndërtesave, sektor i madh i konsumit të energjisë janë rrugët publike me rreth 35 GWh në vit, ose 4.5 milionë euro në vit.

BE krijon në Kosovë fond të veçantë për efiçiencë të energjisë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes raportit të Komisionit Evropian – Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit 2014-2020, i ka bërë kërkesë institucioneve të BE-së, që të ndihmojnë Kosovën në krijimin e një fondi të veçantë për Efiçiencë të Energjisë. Ky Fond u krijua në fund të shkurtit të vitit 2019, ku donator kryesor është BE-ja. Po sipas të njejtit raport shpjegohet se Fondi do të financojë masat efiçiente të energjisë në ndërtesat publike si: shkollat, kopshtet për fëmijë, ndërtesat shëndetësore, spitalet dhe ndërtesat e tjera publike. Investimi rimbursohet përmes faturës së reduktuar të energjisë. Në këtë rast, ndërtesa vazhdon të paguajë të njëjtin nivel të faturës të energjisë, ndërkohë që diferenca para dhe pas zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë kthehet në fond nëpërmjet një marrëveshjeje për shërbimin e energjisë ose të ngjashme.

Kurse edhe projektet në të cilat AKEE dhe MZHE janë angazhuar janë të financuara kryesisht nga institucionet ndërkombëtare.

Që nga pas lufta, institucionet ndërkombëtare kanë investuar në institucionet dhe ndërmarrjet publike në Kosovë. Në kuadër të këtyre investimeve është përfshirë efiçienca e energjisë.

Disa nga donatorët të cilët kanë kontribuar në këtë fushë janë: Komisioni Evropian me 16.5 milionë euro dhe Banka Botërore me 31 milionë dollar (Kredi) projekt i cili është ende ne zbatim. Po ashtu, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) përmes një lloj kredie që iu është dhënë bankave komerciale ka investuar në projekte për ndërtesat rezidenciale. Mirëpo, nuk ka të dhëna të sakta se sa ka qenë shuma e atyre kredive dhe se a janë alokuar për qëllimin e përcaktuar, të paktën zyrtarisht institucionet e vendit nuk i posedojnë këto të dhëna. “Problem këtu ka qenë edhe te BERZH-i, që nuk ka raportuar tek institucionet e vendit për mbarëvajtjen e projektit”, thotë Dragusha.

Janë kontaktuar dhe BERZH rreth kësaj çështje, mirëpo ata nuk kanë qenë të gatshëm të ofrojnë ndonjë përgjigje rreth këtij projekti, veç se përmes email kanë thënë: “Të dhënat për GEFF – Green Economy Financing Facility, me publikun e gjerë janë publike dhe online”.

Por në webfaqen e tyre nuk figuron ndonjë raport i cili do të tregonte më gjerë rreth këtij projekti se a janë destinuar mjetet për qëllimin e caktuar.

Shoqëria civile ka ngritur edhe shqetësimin mbi qëndrueshmërinë e projekteve të implementuara.

“Zakonisht projektet zhvillohen brenda afateve të caktuara kohore, mirëpo rrallë herë matet impakti i vërtetë i tyre apo sigurohet një vazhdueshmëri e projektit në afat më të gjatë kohor, me ç’rast projektet do të kishin më shumë impakt si dhe do të siguronin një qëndrueshmëri”, tregon Learta Hollaj nga INDEP, për të shtuar se problem kyç për mbarëvajtjen e shumë projekteve është mungesa e transparencës në menaxhimin e parave dhe mungesa e monitorimit të të arriturave të projektit

Bazuar në projekt dokumentet e publikuara në faqen e AKEE-së investimet mbi masat efiçiente janë duke ndodhur, madje në disa objekte janë përfunduar punimet.

Kryesisht është investuar në gjashtë lloje të ndryshme të ndërtesave: ndërtesat e prokurorisë dhe gjykatave; ndërtesat industriale; institucionet publike edukative si universitete dhe shkolla; spitale regjionale dhe qendra të mjekësisë familjare; ndërtesa të transoportit; si dhe në pilot-projektim “Near Zero Energy House” në ndërtesat publike.

Disa investime të BE-së janë bërë në bashkëpunim me Departamentin për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në kuadër të MAP-it, ku tregohet se një ndër ndërtesat më efiçiente është Pallati i Drejtësisë i cili ka një sipërfaqe 50.000 m2. Arif Daka, drejtor në Departamentin për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në kuadër të MAP-it, thotë se ky objekt në raport me ndërtesat e tjera ka qenë i suksesshëm në aspektin e efiçiencës duke marrë parasysh se izolimi  ndërtesës është shumë i mirë, dritaret dhe dyert janë efiçiente, ndriçimi brenda ndërtesës është me drita ekonomike dhe ka rezultuar në ulje drastike të konsumit si dhe është shumë efikase për shkak se ajo furnizohet me energji elektrike nga panelet fotovoltaike dhe ngrohet me pompa gjeotermale. Pasi është bërë një krahasim i disa ndërtesave me Pallatin e Drejtësisë, Daka tregon se janë vërejtur ndryshimet e mëdha në aspektin e kursimit të energjisë dhe ky departament ka marrë vendim që të ndryshohet ndriçimi në ndërtesat qeveritare nga ato fluoroshente në ato ekonomike dhe të shiqohen mundësitë në intervenime të tjera. Ku deri më tani janë intervenuar në 22 ndërtesa, për ndryshimin e poqave elektrik me ato LED, tregon Daka.

Nuk ka as informata as efekte nga shpenzimi i mjeteve për promovim

Ndonëse që nga viti 2008 është punuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e efiçiencës së energjisë në bashkëpunim dhe me institucionet ndërkombëtare, mirëpo projektet nuk kanë treguar sukses, tregon Dragusha. AKEE, sipas shefit të saj, Arsim Kuliqit, këtë kompetencë për promovim e kanë marrë në vitin 2018, pasi që deri vonë ka qenë në kuadër të MZHE-së. “Paratë të cilat janë ndarë nga MZHE-ja për promovimin e EE-së dhe BRE-ve kanë qenë nga 50.000 euro për çdo vit, mirëpo AKEE nuk ka informata të sakta se ku janë alokuar këto mjete”, thekson Kuliqi.

Drejtuesit e këtij Agjencioni kanë treguar se nga viti 2018 kanë një program, jo shumë gjithpërfshirës, për efiçiencë të energjisë që ka karakter promovues për nivelin lokal, ndërsa theksojnë se duhet të ketë investime milionëshe që të arrihet një vetëdijësim i plotë i qytetarëve rreth EE-së.

“Problem kyç në zbatimin e projekteve dhe arritjen e rezultateve në Kosovë, veçanërisht në projektet që synojnë promovimin e efiçiencës së energjisë është mungesa e monitorimit. Në mungesë të mekanizmave monitorues nuk shihen rezultatet dhe për më tepër humbet mundësia për të mësuar nga lëshimet potenciale apo për të përmirësuar punën në vazhdueshmëri”, tregon Learta Hollaj nga organziata jo qeveritare INDEP.

Krahas institucioneve shtetërore, edhe shoqëria civile ka ndërmarrë disa iniciativa për promovimin e EE-së. “Projektet e implementuar nga shoqëria civile nuk kanë arritur të tregojnë rezultatet e dëshiruara apo të ngrisin vetëdijen ndaj rëndësisë së këtyre masave në nivelin e dëshirueshëm. Ndonëse, kampanjat vetëdijësuese vlerësohen si mekanizma të duhur, problemi qëndron në mënyrën e dizajnimit, fondet e limituara dhe mungesa e qëndrueshmërisë së projekteve”, tregon Hollaj. “Qeveria nuk ka ndonjë plan konkret për implementimin e projekteve apo kampanjave që promovojnë efiçiencën e energjisë. Për të siguruar impakt të vërtetë të këtyre nismave, Qeveria duhet të përkushtohet në këtë drejtim më sistematikisht. Ka mënyra të ndryshme si mund të bëhet kjo, si psh. shënimi i ditës, muajit apo edhe vitit të Efiçiencës së Energjisë”, thotë më tutje Hollaj.

Komunat nuk e përfillin Ligjin për Efiçiencë të Energjisë

Progres nuk ka pasur as në nivelin lokal. Te të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës: Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren ka ngecje në hartimin e planeve komunale 2019-2021, për efiçiencë të energjisë. Ndonëse të obliguara me ligj, komunat nuk kanë zyre për efiçiencë të energjisë, menaxherë të energjisë dhe as fonde të veçanta për aplikimin e masave efiçiente.

Në bazë të nenit 6, të Ligjit për Efiçiencë të Energjisë (Nr. 06/L-079) duke filluar nga 28 shkurti i vitit 2019, për çdo tri vite, komunat përgatisin dhe i dorëzojnë në AKEE draft-planet komunale të veprimit për efiçiencë të energjisë. Këto plane duhet të përfshijnë politikat dhe masat e propozuara për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në të gjithë sektorët që funksionojnë nënivel komunal. Të gjeturat gjatë intervistimit në Komunat e lartëpërmendura tregojnë se të gjitha komunat kanë investuar në ndriçimin publik si lloj i efiçiencës së energjisë, gjersa komuna e Prishtinës dhe e Gjakovës kanë invesutar edhe në ngrohtoret e qytetit si masë efiçiente. Gjithashtu nga intervistat e marra me përgjegjësit e efiçiencës së energjisë në komuna tregojnë se asnjëra nga komunat nuk i ka zbatuar me përpikmëri obligimet që burojnë nga ligji i efiçiencës së energjisë si dhe nga aktet nënligjore për performancën në ndërtesa të sponzorizuara nga MMPH, kjo si rrjedhojë e mos-ndarjes së një fondi të veçantë nga komunat për promovimin e efiçiencës së energjisë dhe për këtë nevojë tregojnë të gjithë të intervistuarit në komunat e lartpërmendura. Gjithashtu gjatë intervistimit të tyre është thënë se ende nuk ka ndonjë rregullore konkrete e cila do t’i detyronte komunat që t’i marrin masat efiçiente në ndërtesat e tyre. Mirëpo kjo nuk qëndron për faktin se tani që nga fundi i vitit 2018 është miratuar ligji i ri i Efiçiencës së Energjisë dhe komunat do të promovojnë në nivel lokal politikat kombëtare për efiçiencë të energjisë, dhe do t’i informojnë qytetarët mbi përfitimet nga masatefiçiente për ngritje të efiçiencës së energjisë dhe mënyrën e realizimit të tyre. Sipas shefittëAgjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë Arsim Kuliqit, nëpër komunat e Kosovës disa zyrtarve u janë bartur kompetenca shtesë, në mënyrë që të plotësohet kuadri profesional dhe të kryhet obligimi i punëve dhe përgjegjësive sipas Ligjit për Efiçiencë të Energjisë.

Të gjitha komunat janë të obliguara të hartojnë planin komunal të veprimit për efiçiencë të energjisë, për periudhën 2019 – 2021, mirëpo deri më tani, sipas informatave që i kanë dërguar përmes emailit në kërkesën e dërguar me shkrim tek komunat, shihet se vetëm Gjilani e ka finalizuar këtë plan, gjersa komunat e tjera posedojnë vetëm drafte të cilat ende nuk janë miratuar nga Kuvendet Komunale. Shqetësues është edhe fakti se nuk ka as ndonjë monitorim apo raport statisitikor mbi masat të cilat po i ndërmarrin komunat dhe ndikimin që ato kanë në arritjen e objektivave strategjike, caqeve dhe rritjen e performancës së ndërtesave.

Ndërkaq, sipas raporteve të dërguara nga komunat tek Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, shihet se të gjitha nismat që janë ndërmarrë në nivelin lokal kanë qenë të mbështetura nga donacione dhe projekte të huaja. Numri i intervenimeve vetanake komunale është i ulët në ndërtesat e tyre. Disa masa efiçiene të cilat vetë komunat i kanë ndërmarrë janë ndryshimi i ndriçimit publik me drita më ekonomike,  gjersa në bashkëpunim me GIZ-in komunat do ta përdorin programin ENMASOFT, i cili ka si qëllim të bëjë menaxhimin e energjisë në ndërtesa dhe t’i kalkulojë të gjitha shpenzimet në ndërtesa. Disa Komuna si masë efiçiente kanë pasur ngrohjen publike, përkatësisht Komuna e Prishtinës përmes Termokosit dhe Komuna e Gjakovës përmes Ngrohtores së Qytetit.

Kuliqi tregon se “Me kërkesë të AKEE-se, të gjitha Komunat kanë emëruar nga një koordinator për efiçiencë të energjisë dhe kjo ka ndodhur me mbështetje të donatorëve, kemi trajnuar zyrtarët komunal për zbatimin e politikave te efiçiencë së energjisë dhe raportimin e tyre në AKEE, ky investim vazhdon edhe sot në mënyrë që të ngriten kapacitetet profesionale për efiçiencë të energjisë në nivele lokale, pasi që e kanë obligim ligjor dhe nacional”. Ai mëtutje tregon se ka investime në efiçiencë të energjisë nga komunat mirëpo nuk quhen të tilla ose quhen rinovime ose rindërtim.

Rrezartë Zjaça Dedaj, zyrtare e lartë për efiçiencë të energjisë në Departamentin e Energjisë tregon se “Problemi që komunat nuk i quajnë masat e intervenimeve, masa efiçiente ka qenë deri në dy vitet e fundit dhe kjo ka shkaktuar probleme të mëdha pasi që Departamenti i Energjisë nuk ka mundur t’i konsiderojë masa efiçiente”.

Dedaj thotë se duhet të ketë më shumë vullnet e seriozitet nga institucionet për të realizuar objektivat për ngrijten e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike, duke theksuar se caku 9% për efiçiencë të energjisë është larg realizimit pasi që Kosova ka arritur afër 4.6 % nga 9% e planit të paraparë.

Korniza ligjore energjetike

Korniza ligjore që e rregullon fushën e energjisë në Kosovë është pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së. Aktet kryesore që e rregullojnë këtë fushë janë: Ligji për Energjinë (Nr. 05/L-081); Ligji për Efiçiencë të Energjisë (Nr. 06/L-079); Udhëzimi Administrativ për Auditimin e Energjisë (Nr. 01/2012); Ligji për Performancën Energjetike në Ndërtesa (Nr. 05/L-101); Rregullorja për Inspektimin e Ngrohjes dhe Ajrit të Kondicionuar (MMPH Nr. 01/2018); Ligji për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L – 085); Ligji për Rregullatorin e Energjisë (Nr. 05/L-084); Ligji për Ndërtim (Nr. 04/L-110).

Me Planin e Veprimit për Efiçiencë të Energjisë, Kosova përgjatë periudhës 2010-2018 ka synuar të arrijë cakun prej 9% në kursimin e energjisë elektrike. Mirëpo, institucionet kanë ngelur pas në arritjen e këtyre objektivave. Varshmëria e madhe ndaj burimeve fosile, mungesa e kapaciteve njerëzore dhe financiare, mos-qëndrueshmëria e projekteve, mungesa e mekanizmave monitorues, ndërtesat e vjetëra e të pa-rinovuara vazhdojnë të paraqesin problem në rritjen e efiçiencës së energjisë. Objektivat janë detyrim për Kosovën edhe nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe nga Komuniteti i Energjisë, gjersa vendet e Bashkimit Evropian po synojnë së paku të arrijnë cakun 20% në dy vitet e ardhshme. Kurse për të bërë hapa konkret në drejtim të zvogëlimit të shpenzimeve të energjisë elektrike që nënkupton zvogëlim i mundësive për dëmtimin e ambientit i mbetet institucioneve shtetërore të tregojnë seriozitet në këtë aspekt dhe të ndërmarrin veprime emergjente.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera