Lajme

Masat e Kosovës revoltojnë qytetarët e Shqipërisë: Do bllokojmë doganën e Morinës

Autori: Gazeta inFokus 09:57 | 30 August 2021

Masat e reja të vendosura nga qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së shifrave me COVID, kanë krijuar radhë të shumta automjetesh në doganën e Morinës, kjo pasi për çdo qytetar që futet brenda kufirit të Kosovës kërkohet test ose vaksinë kundër COVID.

Qytetarët që udhëtojnë nga Shqipëria thonë se nuk është e drejtë kjo masë për sa kohë qytetarët nga Kosova udhëtojnë drejt Shqipërisë pa asnjë kusht të tillë.

“Na kanë kthyer për testin. Krejt kosovarët po vijnë te ne. Kjo nuk është e drejtë. Të bëhet ndonjë zgjidhje, Ndryshe as ata mos të vijnë. Ne shkojmë dhe punojmë në Kosovë. Nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje ne po dalim të bllokojmë rrugën dhe as ata mos të vijnë dhe as ne mos të shkojmë më andej”, shprehet njëri prej tyre.

-Advertisement-

Një tjetër pretendon se nuk është njoftuar për këtë vendim të ri, duke treguar se çdo ditë udhëton drejt Kosovës për të punuar në ndërtim për të siguruar bukën e gojës.

“Tani duhet karta e testit. Ne po shkojmë me punu në Kosovë. Nuk jemi informuar. Kur erdhëm këtu po na kthejnë. Atje punojmë në ndërtim, hamall. Për bukë jemi t’u shku”, thotë ai.

Lexoni në detaje masat e reja për ata që hynë dhe dalin në dhe nga Republika e Kosovës

Nga data 30 gusht deri me datë 13 shtator 2021, çdo person i cili  hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj  një nga dëshmitë e mëposhtme:

Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;

Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.

Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:

Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;

Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19;

Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

Qytetarët e  huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;

Personat nën moshën tetëmbëdhjetë  (18) vjeçare.

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera