Fokus

Masat e Avdullah Hotit mbushin spitalet me pacient e “varfërojnë” qytetarët

Autori: Besarta Qadraku 09:40 | 17 November 2020

Që kur janë vendosur masat e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes numri i të infektuarve me covid-19 është rritur ashtu sikur edhe gjobat e policisë ndaj qytetarëve që nuk po i respektojnë kufizimet.

Që nga e dita e premte kur kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë mbi 2000 qytetarë janë dënuar nga Policia e Kosovës. Ndërkaq, shtatë spitale kosovare ku po trajtohen qytetarët e prekur me virusin korona janë përplot.

“Pacientët e konfirmuar me COVID-19 vendosen edhe në Klinikën Endokrinologjisë, Nefrologjisë, Reumatologjisë, Gastroenterologjisë dhe Hematologjisë që janë të lidhura me furnizim me oksigjenit të lëngshëm në sistemin qendror të furnizimit, përmes rezervuarit. Krahas, kësaj pacientë me COVID ka edhe tek Klinika Infektive dhe Klinika e Pulmologjisë”, thuhet në një përgjigje nga ShSKUK për gazetën inFokus.

-Advertisement-

Në nivel vendi po trajtohen 591 pacientë me COVID-19.

“Në QKUK janë 260 pacientë ndërsa 331 pacientë janë duke u trajtur në 7 spitalet”, njofton ShSKUK.

Për shkak të numrit të të infektuarëve me koronavirus është dashur që klinikave interne t’i shtohet njësi e re për të menaxhur situatën me pandeminë.

“Me vendim të Komitetit të ShSKUK-së për menaxhim të situatës me COVID-19, është bërë riorganizim i hapësirave të brendshme ku në bllokun e klinikave internistike është krijuar Njësia COVID 3”, kanë thënë nga ShSKUK.

Sipas infekologu Ilir Tolaj masat e reja antiCOVID-19 nuk janë efektive por kërcënuese.

Tolaj ka thënë se masat kufizuese është dashur të merren nëse kanë dështuar të gjitha mundësitë tjera.

“Masat kufizuese nuk duhet të jenë masa e parë dhe e vetme që autoritetet ndërmarrin në luftë kundër COVID-19. E kundërta, kjo duhet të jetë masa e fundit, kur kanë dështuar të gjitha masat dhe përpjekjet e tjera. Në rastin e vendin tonë, është e vetmja masë e cila po shfrytëzohet herë si kërcënim e herë si masë veprimi. Dhe kjo është e gabuar padyshim”, ka thënë Tolaj për gazetën Infokus.

Ai shtoi se ky lloj i masave kufizuese prek në mënyrë serioze aspektet e tjera të jetës dhe punës si dhe ndikon në shëndetin mendor të qytetarëve.

Qeveria e Kosovës nga dita e premte, më datë 13 nëntor, ka vendosur masa të reja për parandalimin e përhapjes së virusit. Gjobat për mosrespektim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID -19 fillojnë nga 35 deri në 2000 euro, varësisht nga shkeljet./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera