Lajme

Martin Berishaj thotë se ka paditur mediumin slloven që pretendoi se zbuloi skandalin e tij

Autori: Gazeta inFokus 12:11 | 17 November 2022

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka paditur për shpifje mediumin slloven “Planet TV”, i cili në prill të këtij viti pati raportuar për një aferë financiare, duke e implikuar në të edhe ambasadorin Berishaj.

Ky i fundit të enjten gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar Hetimor në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike, tha se e njeh shumë mirë personin që e ka shkruar atë artikull, i cili sipas tij, është i tërë shpifje.

“Unë nuk jam marrë me ato shkrime pasi e di shumë mirë se i biri i kujt është ai që e ka shkruar atë tekst. Unë kam jetuar në Lublanë dhe i njoh shumë mirë. Një djalë që e ka mbiemrin Petroviq, i cili është shtetas slloven”, ka thënë Berishaj.

-Advertisement-

“Unë ashtu siç e kam paralajmëruar, e kam qit në gjyq për shpifje në Lublanë atë medium i cili ka shpifë. Liria dhe e drejta e shtypit nuk nënkupton që me fol kush çka t’i bie ndërmend. Atë padi e kam bërë, e kam proceduar”.

Më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera