Opinione

Marrëzi pa fund, Halil!

Autori: Gazeta inFokus 12:41 | 04 January 2019

Shkruan: Imer Mushkolaj

Las Vegasi e Monte Carlo janë ikona të kapitalizmit e bollëkut. Në Kosovë bingot, kazinot e bastoret janë ikona të mjerimit social. Përgjigje Halil Matoshit në reagimin ndaj shkrimit tim “Bingo Qeveria”
Halil Matoshi, po të përgjigjem si koleg, jo si pjesë e opozitës, çfarë më ke etiketuar në reagimin tënd. Po të doja të isha pjesë e opozitës ose e ndonjë partie në pushtet, do të bëhesha pa problem. Por, po, është e vërtetë se jam opozitar ndaj cilitdo pushtet. Ashtu siç ishe edhe ti dikur.

E di mirë dallimin ndërmjet veprimtarive biznesore të ndaluara dhe atyre të paligjshme. Por, nëse më thua se lojërat e fatit në Kosovë funksionojnë jashtë ligjit, këtë nuk e pranoj. Sepse nuk është e vërtetë. Ka ligj, ka edhe udhëzim admnistrativ për mënyrën e funksionimit të tyre.

-Advertisement-

Halil, e kam lexuar me vëmendje koncept-dokumentin që e ka miratuar Qeveria, të publikuar në “Koha Ditore”. Ndër idetë themelore të këtij dokumenti është fuqizimi i industrisë së lojërave të fatit, fuqizimi i bixhozit. Pra, qëllimi është të rritet numri i bizneseve të lojërave të fatit dhe të zvogëlohen, siç thuhet, “ngarkesat administrative”. Madje, në këtë mënyrë, Qeveria synon të rrisë mirëqenien e qytetarëve dhe të ulë shkallën e papunësisë.

Di me lexu, nuk po shaj, po argumentoj.

Në reagimin tënd thua se Qeveria është e preokupuar me konsolidimin e shtetit ligjor dhe nuk ka aq kohë për bingo e kazino. Megjithatë, Halil, Qeveria paska gjetur kohë të merret edhe me këtë çështje. Duket të jetë e rëndësishme për të.

Të flasësh, të shkruash, të kundërshtosh politikat e Qeverisë për bingo e kazino nuk don të thotë se flet “si çdo komunist i bindur i Fidelit”. Përkundrazi, të atillët nuk flasin, veç zbatojnë urdhra të shefit.

Sa për qytetet ikonike të kazinove dhe lojërave të fatit, Las Vegas e Monte Carlo që ti i përmend, vetë krahasimi me Kosovën është marrëzi. Në ato qytete, Halil, standardi jetësor e mirëqenia shoqërore janë të larta. Ata që kanë para, miliona, shkojnë e i harxhojnë atje.

Në Kosovë, ndërkaq, bingot, kazinot e bastoret janë strehë e varfanjakëve, çfarë janë shumica e qytetarëve të vendit. Të papunë e të pashpresë, në bastore e lokale tjera bixhozi ata shpresojnë të fitojnë para. Dhe, kur futen borxh, nis shkatërrimi i familjeve të tyre, i jetëve të tyre. Si pasojë, rritet edhe kriminaliteti dhe paligjshmëria. Unë njoh mjaft njerëz të tillë, Halil. Me siguri edhe ti.

E vërtetë, Las Vegasi e Monte Carlo janë ikona të kapitalizmit dhe bollëkut. Por në Kosovë bingot, kazinot e bastoret janë ikona të mjerimit social.

Më pyet se në cilën epokë jetoj. Po të them, Halil, se të gjithë ne jetojmë në epokën e globalizmit e kapitalizmit. Por në kontekstin lokal, në Kosovë, jetojmë në epokën e zhvatësve dhe të të korrupturave, në epokën e kriminalitetit e pasigurisë. Më shumë bingo e kazino nuk na bëjnë jetën më të mirë, as më të sigurt. Me përjashtim të grupeve të caktuara që zakonisht janë të lidhura me politikanë e parapolitikanë, e biznesi i tillë mund t’iu vijë për shtati.

Thua se pandehmat se kjo politikë e Qeverisë është për zgjerimin e “bixhozit” janë fryt i injorancës kundrejt kësaj fushe. E vërtetë, Halil, mund të mos marr vesh në këtë fushë. Unë thjesht kam interpretuar dokumentin e miratuar nga Qeveria, pjesë e së cilës je edhe ti. Nuk besoj se ata që e kanë hartuar atë janë injorantë.

Thua se Qeveria nuk sponsorizon bingo e kazino. E vërtetë. Po, ku po do “sponsorizim” më të madh sesa t’i stimulosh këto biznese, t’ua heqësh të gjitha barrierat, madje edhe ato që kanë të bëjnë me largësinë nga shkollat e institucionet?

Ty mund të mos interesojnë faktet që i referohen vendimit të Qeverisë së Shqipërisë për mbylljen e bizneseve të lojërave të fatit, por mbase i interesojnë Qeverisë. Bizneset e mbyllura atje mund të lulëzojnë në Kosovë. Plus llogariten “investime të huaja”.

Në reagimin tënd ma zë për të madhe edhe se kritikoi qasjen e Qeverisë karshi rinisë. Halil, ndryshe nga ti, unë mendoj se është detyrë e qeverisë që rinisë t’i ofrojë jo vetëm arsim cilësor, por dhe mundësi për shprehje kreativiteti e, pse jo, edhe rekreacioni. Për çfarë dreqin, atëherë, i mbani gjithë ato ministri? Për çka shërbejnë Ministria e Arsimit, e Rinisë, e Inovacionit? Vetëm për të punësuar militantë partiakë? Vetëm për të gëzuar një grup njerëzish poste e privilegje? Apo për të ndarë fonde për miq e dashamirë?

Sa për gulagët që i përmend shpesh në shkrimet tuaja Halil, pikërisht bastoret janë dofarë “gulagësh” ku rrinë të mbyllur të rinjtë dhe jo vetëm ata – në kërkim të fatit. Përderisa gulagët dhe kolohozët i themelonte shteti diktatorial për qëllime rekreative të klasës punëtore, edhe këta “gulagët” e “kolohozët” modernë shërbejnë për arsye të ngjashme – për njëfarë lloj “internimi” të qytetarëve nga izolimi, mjerimi e mungesa e perspektivës. Nëse doni, quani edhe qendra rekreacioni.

E Qeverisë bravo për iniciativën. Kur nuk iu ofron qytetarëve as mirëqenie, as perspektivë, të paktën t’u ofrojë argëtim me bollëk nëpër bingo e kazino. Argëtim që i varfëron e i shkatërron ata, por mund të pasurojë grupe të caktuara interesi, që në të shumtën e rasteve “qëllon” të jenë të lidhura me politikën.

Marrëzi. Marrëzi pa fund, Halil!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera