Lajme

“Marrëzi”- Kurtit i vjen një reagim nga PDK-ja pasi Vetëvendosja iu fut garës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Autori: Gazeta inFokus 19:40 | 24 December 2023

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka quajtur marrëzi shkuarjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Norvegji dhe hyrjen e Vetëvendosjes në garë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.

Çitaku këtë e ka deklaruar me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke thënë se krejt këto u bënë një ditë pasi që kryeministri Kurti paralajmëroi për një sulm të planifikuar të Serbisë ndaj Kosovës.

“Nuk kam se si ta kualifikoj ndryshe përpos se si marrëzi. Një ditë pasi paralajmëroi në konferencë për shtyp sulmin e planifikuar të Serbisë kundër Kosovës, Kryeministri Kurti vet shkoi në Oslo për vizitë private, e partia e tij hyri në garë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.

-Advertisement-

“Kosova meriton më mirë”, përfundon postimi i saj.

Kryeministri Kurti ka shkuar sot në Oslo të Norvegjisë për Krishtlindje. Në të njëjtën ditë, ka dalë njoftimi për futjen në garë zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut.

Krejt këto ndodhën një ditë pasi kryeministri Kurti, bashkë me ministrin Sveçla paralajmëruan për një përgatitje për sulm nga ana e Serbisë.

“Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj. Deri në shtator të këtij viti, ato janë shfrytëzuar nga turistët me qira. “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe Hotel “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq, e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, e tjetra nga Kryeministrja Ana Bërnabiq”, tha Kurti.

“Njëkohësisht, një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në “Pasuljanke Livade”, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, deklaroi ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera