Marrëveshja për Asociacionin: Çfarë është dhe çfarë mund të bëhet?

Autori: Gazeta inFokus
14:56 | 21 October 2022
Marrëveshja për formimin e një asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë, cilësohet si një ndër marrëveshjet më problematike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
E nënshkruar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013, marrëveshja nuk ka arritur të zbatohet asnjëherë.
Më 20 tetor, në mediat kosovare është publikuar një i ashtuquajtur draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që thuhet të jetë punuar nga disa ekspertë gjermanë.
Por, cila është Marrëveshja për Asociacionin, çfarë thuhet në atë marrëveshje dhe pse është bërë problematike? Çfarë parasheh drafti që po qarkullon dhe cilat janë reagimet ndaj tij?
Çfarë nënkupton Asociacioni i komunave me shumicë serbe?
Ka qenë muaji prill i vitit 2013, kur Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur Marrëveshjen e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bazë të së cilës është paraparë edhe krijimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja është negociuar dhe arritur mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni do të krijohej me statut dhe do të themelohej mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës: do të kishte ketë kryetar, zëvendëskryetar, asamble dhe këshill.
Asociacioni parashikohej të mblidhte dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Kjo bashkësi e komunave do të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtronte edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si do të delegoheshin nga autoritetet qendrore.
Në gusht të vitit 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni – marrëveshje kjo që nuk është zbatuar asnjëherë.
Vetëm dy muaj më vonë, përkatësisht në tetor të vitit 2015, marrëveshja është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Kjo na sjell te pyetja tjetër:
Çfarë ka thënë Gjykata Kushtetuese për Asociacionin?
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin, në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata ka konstatuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet siç ka qenë i paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015) nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.
Kushtetuesja, tutje, ka konstatuar se akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t’i plotësojnë standardet kushtetuese.
Pika më e diskutueshme, në fakt, është se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.
Çfarë thotë drafti i publikuar në media më 20 tetor?
Në mesin e deklaratave se ekziston një propozim apo nismë franko-gjermane për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, të enjten në mediat në Kosovë ka qarkulluar edhe një dokument, që është cilësuar si draft-statuti për Asociacionin e komunave serbe, i punuar nga ekspertë gjermanë.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e tij.
Drafti i publikuar në disa media thotë se Asociacioni është “një entitet ligjor, i themeluar në linjë me Ligjin e ratifikimit të marrëveshjes së parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Sipas këtij dokumenti, statuti duhet të miratohet nga Qeveria e Kosovës me një akt ligjor, në linjë me Kushtetutën.
“Asociacioni do t’i ketë simbolet e veta zyrtare, që përfshijnë një stemë dhe një flamur, e që do të dizajnohen nga bordi i Asociacionit”, thuhet në draft-statut.
Asociacioni, sipas këtij dokumenti, mund të shpërbëhet me vendim të Asamblesë së vet, me një shumicë prej 2/3 të anëtarëve, siç vendoset nga kryetarët përkatës të komunave.
Në kapitullin e objektivave të Asociacionit përmenden: Forcimi i demokracisë lokale, zhvillimi i ekonomisë lokale, mbikëqyrja në fushën e edukimit, shëndetësisë primare dhe sekondare, planifikimi rural dhe urban, masa për përmirësimin e jetesës për të rikthyerit e të tjera.
Asociacioni i komunave serbe, sipas draft-statutit të publikuar në disa media, do të ketë gjashtë trupa përbërës kryesorë: asambleja, presidenti, zëvendëspresidenti, këshilli, bordi dhe zyra e apelit.
Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni do ta ketë buxhetin e tij, që do të financohet nga: kontributi i anëtarëve, transferet nga autoritetet qendrore, kontributet, grantet, donacionet etj.
Në dokument thuhet se financat e Asociacionit u nënshtrohen auditimeve, përfshirë nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.
Në nenin e fundit të këtij draft-statuti thuhet se brenda një viti pas adaptimit të statutit të Asociacionit, një rishikim i zbatimit të tij duhet të bëhet nga Qeveria e Kosovës.
“Në çdo kohë, Qeveria mund ta ushtrojë të drejtën e saj kushtetuese për t’i referuar çështjet te Gjykata Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e secilit aspekt të punës dhe funksionit të Asociacionit”, thuhet në draft-statutin e përmendur.
Gjykimet apo përfundimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij dokumenti, do të jenë obliguese për Asociacionin.
Cili është pozicioni i Kosovës dhe ai i Serbisë për Asociacionin?
Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik, ndërsa Serbia këmbëngul që të formohet dhe kërkon që të ketë kompetenca ekzekutive.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës ka ritheksuar qëndrimin se: “Asociacionet që karakter themeltar kanë etninë, bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vetë karakterin e shtetit tonë”.
“Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar sot [20 tetor] në media, ai, përveçse draft, është pa autor. Në anën tjetër, ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje, të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mbështet “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, ka thënë Osmani në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 7 tetor.
Në një konferencë për media, më 21 tetor, Osmani e ka cilësuar draft-statutin që ka qarkulluar në media, si “lajm të rremë”.
Serbia, në anën tjetër, ka thënë se nuk do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit, nëse Kosova nuk nis punën për themelimin e Asociacionit.
Më 20 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur se Kosova duhet ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë një vizite në Kosovë në muajin shtator, ka thënë se “është koha” për ta formuar këtë asociacion.
Cili është qëndrimi i ndërkombëtarëve për Asociacionin?
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë më 19 tetor se Asociacioni duhet të formohet.
Në një intervistë për televizionin Kanal 10 në Prishtinë, Escobar ka thënë se Kosova mund ta kthejë çështjen e Asociacionit në një situatë “win-win” (v.j. që u konvenon të dyja palëve).
“Është një zotim që tashmë ekziston, është një zotim i rëndësishëm, i cili duhet të zbatohet. Por, gjëja e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Escobar pas vizitës në Kosovë.
BE-ja, në anën tjetër, ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet t‘i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë për Asociacionin. Kjo është kërkesë e vazhdueshme edhe e SHBA-së.
Presioni ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe është rritur dhe nga komuniteti ndërkombëtar kanë thënë se në Evropë ka modele të ndryshme, të cilat do të mund të aplikoheshin edhe në rastin e këtij asociacioni.

Të tjera
-
Parashikimi i motit për ditën e nesërme
Nesër pritet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht vranët. Sipas Institutit...
-
Mustafa i PDK-së i reagon Muratit për pagat: Manipulativ dhe hipokrit
Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër pas një post...
-
LDK propozon subvencion emergjent për “Pastrimin”, PDK dhe LVV votojnë kundër
Shefja e Grupit të Asambleistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës,...
-
Identifikohet trupi i pajetë që u gjet para banesës në Prishtinë
Një grua është gjetur pa shenja jete para hyrjes së shtëpisë së saj mëngjesin...
-
Murati flet për rritje historike të pagës mesatare në sektorin privat, s’e përmend inflacionin
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke c...
-
Vrasja e argjentinases, babai i të akuzuarit thotë se viktima kishte rënë nga dritarja pas një mosmarrëveshje me djalin e tij
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit...
-
700 milionë euro për rrymë! Dëgjoni Albin Kurtin – në 5 minuta kuptohet si u ndërtua mafia energjetike nga shërbimi i Millosheviçit përmes Fazlliçit e Hamoviçit
Vetëm pesë minuta nga deklarata e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mjaft...
-
Emisari i BE-së njofton për fazë të re të dialogut Kosovë–Serbi
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka ...
-
Prokuroria ia sekuestroi iPhone-n, ministri Peci refuzon ta tregojë kodin
Hetimet penale për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore mund të re...
-
Media britanike: Shqipëria pritet të “pushtohet” nga 30 milionë turistë
Media britanike: Shqipëria pritet të “pushtohet” nga 30 milionë turistë Me...
-
Në kuadër të Forumit të Grave, Osmani takon kryeparlamentaren e Shqipërisë, flasin për “thellimin e raporteve mes dy shteteve”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mirëptirur në takim kryetaren e Kuv...
-
AAK konfirmon Zenun Elezajn si kandidat për kryetar të Klinës
Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, do të kandidojë për një mandat të ri ...