Marrëveshja Kosovë-Serbi s’mund t’i shmangë interesat ndërkombëtare
Autori: Gazeta inFokus
18:52 | 03 November 2018
Perspektiva evropiane, për të cilën janë përcaktuar Kosova dhe Serbia, do t’i vë të dyja vendet para situatës, në të cilën ato duhet ta arrijnë një marrëveshje obliguese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.
Afrim Hoti, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht ngecjes së dialogut dhe diskursit të ashpërsuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pritjet se mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet dy vendeve, janë mjaft reale.
“Situata në terren, thuajse është goxha e qartësuar. Republika e Serbisë ka pranuar tashmë që shteti i Kosovës është një fakt i kryer, përkundër qëndrimit që kemi një pozicion zyrtar negativ të serbëve. Por, mendoj që në fund të ditës, palët domosdo që do të ofrohen dhe do të gjejnë një zgjidhje. Normalisht që në proces e sipër, është krejtësisht e pritshme që ato, të paktën në kuptimin publik, të tregohen sa më indiferente, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë që është e mundur. Por, besoj që zgjidhja ose verdikti final, pa asnjë dyshim i çon të dyja vendet te marrëveshja përfundimtare”, thekson Hoti.
Ai shton që vetë procesi negociator është produkt i aktorëve ndërkombëtarë, e veçanërisht Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, sipas tij, Federata ruse nuk ka bërë presion për arritjen e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë si garantues i bllokadës së procesit në kuptimin juridik.
Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që mundësia e arritjes së një marrëveshjeje juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është krejtësisht reale. Hulumtimet, sipas tij, kanë treguar se 65 për qind e qytetarëve në Serbi konsiderojnë që një zgjidhje ndërmjet dy vendeve duhet gjetur përmes bisedimeve.
“Natyrisht që kjo do të ndodhë. Vetëm që bëhet fjalë për atë se a do të jenë në proces biseduesit e tanishëm, marrë parasysh qëndrimet e tyre dhe zgjedhjet e mundshme. Personalisht, nga ajo që di, do të duhet sa më parë që të kthehet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”.
“Ky episod, i cili zgjati disa muaj apo gati se një vjet dhe që i ka futur Kosovën dhe Serbinë, shqiptarët dhe serbët, në një zonë mjaft të rrezikshme për sigurinë, në mosbesim, përplasje dhe tensione gati se të përjavshme, dalëngadalë duhet të përfundojë. Ky është parakusht që t’u kthehen obligimeve që kanë dhe që nënkupton marrëveshjen e parë të vitit 2013, së cilës politikanët kanë dashur që t’i shmangen”, thotë Janjiq.
Sipas tij, politikanët e të dy vendeve, për t’u ikur obligimeve që dalin nga marrëveshjet e deritashme, kanë tentuar që të gjejnë një zgjidhje që i shpëton dhe i popullarizon ata. Por, sipas tij, ata kanë gjetur zgjidhjen e gabuar, pra ndryshimin e kufijve apo ndërrimin e territoreve.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në disa raste kanë deklaruar se nëse Prishtina dhe Beogradi merren vesh, atëherë marrëveshja nuk do të duhej të përbënte problem për të tjerët.
Profesor Hoti thotë se frazat e tilla tashmë janë të njohura dhe të familjarizuara në trendin aktual ndërkombëtar. Megjithatë, sipas tij, deklaratat e fundit nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, e sidomos nga zyrtarët e SHBA-së, kanë dhënë të kuptohet që marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet ta ketë edhe bekimin e këtij vendi.
“Shoh një lloj pesimizmi për këto idetë e fundit për ndryshim të kufijve, sepse aktorët kryesorë kanë shprehur në mënyrë të hapur kundërshtimet ose pozicionet e tyre të ndryshme dhe si duket, ky opsion përfundimisht do të bie prej kombinimit. Aq më pak ato teoritë e zotit Vuçiq që të konvertojë dialogun Prishtinë – Beograd në dialogun Beograd – Tiranë, në kuptimin e ndarjes territoriale të Kosovës dhe për të përcaktuar kufirin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Mendoj se këto janë opsione jorealiste dhe të cilat shumë më tepër do t’i sillnin probleme se sa do t’i sillnin paqe dhe dobi rajonit”, thekson Hoti.
Ndërkaq, Janjiq shpreh mendimin që faktorët relevantë ndërkombëtarë do të pranonin një marrëveshje për të cilën do të pajtoheshin Kosova dhe Serbia. Megjithatë, sipas tij, Bashkimi Evropian, i cili po e lehtëson dialogun, shtetet e Quintit, por edhe Rusia, do ta shqyrtojnë një marrëveshje të tillë, nëse ajo është në pajtim me interesat e tyre.
“Ata do ta japin pajtimin e tyre në qoftë se respektohen të gjitha obligimet për të cilat ekzistojnë marrëveshjet. Pra, Serbia e ka Kapitullin 35 dhe e ka agjendën e qartë se si duhet ta zgjidhë problemin e Kosovës. Së dyti, ata do ta japin pajtimin e tyre në qoftë se marrëveshja nuk i cenon interesat e tyre. Ato, megjithatë, për ne janë fuqi të mëdha”.
“Pra, mendoj që në një moment, Thaçi dhe Vuçiq e kanë harruar leksionin, të cilën e pagoi Slobodan Milosheviqi në vitin 1997, kur besoi që në marrëveshje me Fatos Nanon (ish- kryeministër i Shqipërisë), mund ta zgjidhë problemin e Kosovës, në konferencën e njohur të Kretës, si dhe që mund të anashkalojë interesat e fuqive të mëdha. Interesat e fuqive të mëdha do të futen në shqyrtimin e propozimit, të cilin ata do ta japin”, shprehet Janjiq.
Ai shton se negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të priten pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, ndërkaq nënshkrimi i një marrëveshjeje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është reale që të pritet para fillimit të vitit 2020.

T� tjera
-
Sekretari amerikan i Transportit: Ruteri që mund ta ketë shkaktuar kaosin në hapësirën ajrore po analizohet nga FAA e FBI
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, tha të dielën se Administrata Federale e...
-
SHSKUK: Katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues
SHSKUK njofton se katër punonjës janë suspenduar pas “evidentimit të parregul...
-
Në mesin e të arrestuarve për dr*ogë edhe ish- Ministri Astrit Haraqija, avokati: U intervistua për kontrabandim të narkotikëve
Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndalua...
-
Qytetarët kundërshtojnë projektin për Fontanën në Ulpianë
Fontana është një nga “monumentet” ikonike të lagjes së Ulpianës në kryeqytet...
-
Banda shqiptare e vjedhjeve në banesa goditet nga policia, 4 të arrestuar në Francë
Katër shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burg në Francë, pasi u shpallën f...
-
Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete për t’u përballur me kërcënimet e huaja
Shërbimet e brendshme dhe të jashtme të inteligjencës në Gjermani do të kenë ...
-
Abonime të fshehta, reklama mashtruese: BE-ja vepron
Kurthe abonimesh, taktika mashtruese të shitjes, funksione që i nxisin përdor...
-
Policia godet grupin e organizuar të trafikimit me kokainë në Prishtinë, arrestohen gjashtë persona
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar “Heshtja”, në kuadër t...
-
Osmani i reagon Haxhiut për Rugovën: Përpjekje për ta denigruar, gjatë 5 vjetëve liderë botërorë veç atë ma përmendën
Deputetia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur “përpje...
-
Janina Ymeri: Qytetarët në komunat me shumicë shqiptare paguajnë deri në 22% më shtrenjtë rrymën sesa ata në veri
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësi...
-
Parashikimi i frikshëm i ‘babait të inteligjencës artificiale: IA mund të dalë jashtë kontrollit të krijuesve në tre vitet e ardhshme
Fituesi i Çmimit Nobel, Geoffrey Hinton, i njohur si “babai i inteligjencës a...
-
Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan
Zahra ishte vetëm disa muaj larg përfundimit të studimeve për mjekësi në Kabu...


































