Lajme

Marrëveshja finale Kosovë-Serbi, Haziri kërkon dialog të brendshëm mes pozitës dhe opozitës

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 28 August 2022

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë, se përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin e dialogut.

Sipas Hazirit, kjo fazë përçon mesazhin se retorika e luftës duhet të ndalet, pasi ai vlerëson se, raste të tilla, ku me ndihmën e ndërkombëtarëve po shkohet drejt arritjes së njohjes reciproke, janë të rralla.

Mirëpo sipas Hazirit, Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme për këtë ndryshim, sepse thotë se ka pasiguri e mungesë kapacitetesh në këtë përbërje.

-Advertisement-

Ndaj, ai ka kërkuar dialog të brendshëm me pjesëmarrje të pozitës dhe opozitës.

“Është nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm për këtë me pjesëmarrje të pozitës e opozitës dhe shoqërisë civile. Krejt kjo për t’i dhënë oksigjen politik negociatorit, në interes të Republikës”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje publike tre liderëve të opozitës, Lumir Abdixhikut, Memli Krasniqit dhe Ramush Haradinajt, që të takohen me të për t’i informuar për takimin e fundit që kishte në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Postimi i plotë:

Përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet.

Në këtë fazë, mesazhi është që duhet të ndalet retorika e luftës, retorika që sjell konflikt, sepse jo shpeshherë në proceset politike na ndodh që të krijohen rrethanat politike ku fokusi ndërkombëtar po çon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke, pa opsion tjetër.

Por, fatkeqësisht qeveria e Kosovës nuk është e gatshme për këtë sepse ka pasiguri e mungesë kapacitetesh në këtë përbërje që e ka.

Është nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm për këtë me pjesëmarrje të pozitës e opozitës dhe shoqërisë civile. Krejt kjo për t’i dhënë oksigjen politik negociatorit, në interes të Republikës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Super Zbritje në Artmotion
-Advertisement-

Të tjera