Fokus

“Marrëveshja e fshehtë” e Telekomit me Devollin që u garantua nga Qeveria e Kosovës

Autori: H. Smajli 20:10 | 21 December 2020

Ka më shumë se një muaj që Dardafon.net zhbllokoi xhirollogaritë e Telekomit, të cilat i bllokoi për shkak të “borxhit” që Z Mobile kërkonte nga Telekomi.

Gazeta inFokus mëson se arsyeja pse u zhbllokuan xhirollogaritë e Telekomit nga Dardafon.net është një marrëveshje në mes të këtyre të fundit për kthimin e borxhit prej 20 milionë euro të cilin e ka kërkuar Blerim Devolli.

Mirëpo një marrëveshje e tillë asnjëherë nuk u bë publike dhe nuk u tregua se cfarë u diksutua në takimin me dyer të mbyllura që u bë me qeverinë e Kosovës, konkretisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit me Dardafon.net dhe Bordin e Telekomit.

-Advertisement-

Krejt cka u tha është që xhirollogaritë janë zhbllokuar dhe treguan se kur do të dalin pagat e punëtorëve.

Gazeta inFokus mëson se Telekomi ka arritur po atë ditë një marrëveshje me Z Mobile që është në pronësi të Blerim Devollit për kontratën që e qoi këtë të parën drejt falimentimit, për borxhin të cilin kjo kompani ka kërkuar t’i paguajë sipas tyre për shkëputje të parakohshme të kontratës.

Në këtë marrëveshje ku Telekomi duhet t’i paguajë Z Mobile 20 milionët për një afat për 24 muaj, garantues ka dalë edhe qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Vetëm pasi Gazeta inFokus kontaktoi me zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë ata pranuan që është arritur një marrëveshje në mes të Telekomit dhe Z Mobile-it.

Për Gazetën inFokus marrëveshjen e konfirmoi Besnik Krasniqi nga Njësia për Monitorime në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Ai ka thënë se marrëveshja është bërë në mes të Telekomit dhe të Daradafon.net ndërsa ministria e Ekonomisë vetëm do të subvencionojë Telekomin në rast se i plotëson disa kushte.

Krasniqi nuk ka pranuar që kjo ministri i ka garantuar Devollëve se Telekomi do tu paguajë shumën prej 20 milionë eurosh në një afat prej 24 muajsh.

“Jo qeveria nuk ka garantuar. Qeveria do ta subvencionojë me kushte Telekomin në aspektin e investimeve kapitale kurse Telekomi është zotuar që do ti zvogëlojë shpenzimet të ristrukturimit dhe riorganizimit edhe financiar dhe ka me filluar me paguar borxhin ndaj Dardafonit. Qeveria i mbështet vetëm në aspektin e investimeve kapitale”, ka thënë ai.

Sipas tij pjesa tjetër e marrëveshjes mbetet mes dy operatorëve, shkruan Gazeta inFokus.

“Është me kushte, nëse Telekomi performon mirë, i ulë pagat, i ulë shpenzimet dhe janë shumë kushte të parapara, atëherë në bazë të përmbushjes së atyre kushteve qeveria e vlerëson dhe ja lëshon subvencionet me të cilat përsëri nuk guxon që të paguajë borxhe por duhet me investu në investime kapitale. Për 24 muaj ka me subvencionu me kushte. Ky subvencionim ka me ju kthy qeverisë në momentin që Telekomi përformon më një rezultat pozitiv e ka për obligim me kthy këtë subvencion në qeveri, pra është subvencionim i kushtëzuar gjithmonë nëse Telekomi i përmbush kushtet. Ndërsa borxhi në mes të Dardafonit dhe Telekomit është çështje në mes të dy operatorëve. E sa për marrëveshjen duhet të flasin vetë ata”, ka thënë Krasniqi për inFokus.

Në lidhje me këtë Gazeta inFokus ka kontaktuar edhe me Kryetarin e Sindikatës së Punëtoreve të Telekomit, Lamih Balaj i cili po ashtu ka pohuar se nuk ka qenë në dijeni se në ditën e zhbllokimit të xhirollogarive është arritur kjo marrëveshje.

“Jo unë nuk kam pas mundësi me pa këtë marrëveshj e arritur për kthimin e kishe borxhit ndaj Z-mobile, qeveria konkretisht ministri Kuçi ka qen ndërmjetësues dhe ne nuk kemi që të pranishëm sepse për ne ky borxh është zhvatje e buxheti nga krimi i organizuar dhe ne kemi kërkuar dhe kërkonim që Qeveria te ngre padi ndaj ish kompanisë Z-Mobile në gjykatë për shkak të mjeteve të zhvatura të lidhura mbi kontrata të dëmshme”, ka deklaruar Balaj.

Balaj i ka bërë thirrje qeverisë të mos dorëzohet përballë  siç i quan ai kriminelëve dhe të hapë sytë e të padisë Blerim Devollin.

“FSP-PTK dhe unë si kryetar jemi të vendosur që borxhi të mos paguhet me kurriz të punëtoreve sepse tash edhe janë zbritur pagat në Telekom nga 10 deri ne 65% dhe hajnit e kontratave të nënshkruara nga njerëzit e korruptuar dhe te dëmshme para syve te qeverisë duhet te hetohen.

Tash ka fakte të mjaftueshme në gjykata dhe prokurori për zhvatje të buxhetit nga ish kompani Z mobile ndoshta hapi i parë do të ishte që ATK-ja ta kryen punën e vet sepse janë deklaruar mbi 60 milion qarkullime dhe 5 milion fitim nga ish Z-mobile ndërsa letrat tregojnë se vetëm dëme Telekomit i janë shkaktuar mbi 200 milion. Qeveria le ti hap sytë dhe mos te dorëzohet para krimineleve sepse  ne nuk e kemi ndërmend te dorëzohemi këtë e din edhe Ministri Kuçi dhe Kryeministri Hoti”, ka përfunduar Balaj.

Po ashtu Gazeta inFokus ka kërkuar përgjigje edhe nga Telekomi i Kosovës në lidhje me këtë marrëveshje dhe është duke pritur përgjigjen e tyre.

Kujtojmë se Gazeta inFokus ka raportuar muaj më parë se kontrata me Z Mobile dhe shumë kontrata të tjera të dëmshme të Telekomin e që e quan këtë ndërmarrje publike drejt falimentimit janë duke u hetuar./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera