Sport

“Marca” nuk ka dyshime: Mbappé nuk rinovon me PSG. A qëndron Reali pas?

Autori: Gazeta inFokus 12:37 | 29 June 2019

Mbappé nuk do të rinovojë me PSG. Kjo është “bomba”, e lëshuar këtë mëngjes nga “Marca”, që mund t’i bëjë tejet interesantë skenarët e merkatos. Nëse jo të kësaj vere, ndoshta të vitit të ardhshëm, kur talenti i madh francez është shpallur si objektiv madhor galaktik i Florentino Perez. Siç raportohet nga gazeta e njohur spanjolle, në fakt, sulmuesi është i zhgënjyer nga rezultatet e ekipit të Parisit.

Pavarësisht nga qëndrimi publik i presidentit Al Khelaifi, se dëshiron ta ndërtojë rreth tij skuadrën e ardhshme, me synime madhore në Ligën e Kampionëve, ylli i ri po e refuzon zgjatjen e kontratës. Një klub i interesuar për këtë çështje, që ndoshta qëndron edhe në prapaskenë, është Real Madridi. Mbretërorët madrilenë ishin pranë marrjes së Mbappé dy vite më parë, por milionat e sheikëve të PSG ia prishën mendjen djaloshit të ri.

Në vend që të bashkohej me Ronaldo dhe Benzema e të formonte një “trident” të shkëlqyer në “Bernabeu”, pranoi të qëndronte në Francë, që të rritej si futbollist. Tashmë, procesi i “adoleshencës” dhe maturimit për kampionin e botës konsiderohet i tejkaluar. Ashtu si Neymar, edhe 20-vjeçari duket i bindur se trofetë e mëdhenj, qofshin ekipor (si Champions), edhe individualë (si “Topi i Artë”) janë thuajse të pamundur me PSG, duke luajtur në Ligue 1. Duke qenë pjesë e “Los Blancos”, historia do të ishte krejt ndryshe.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera