Lajme

Maqedoni Veriore: Kovaçevski prezanton programin dhe Qeverinë e re në Kuvend

Autori: Gazeta inFokus 14:00 | 15 January 2022

Në seancën në Kuvend në të cilët duhet të zgjidhet Qeveria e re, mandatari për kryeministër Dimitar Kovaçevski ka prezantuar programin e tij për Qeverinë e re, e cila duhet të votohet deri nesër në mesnatë.

Ai tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohet vendi.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje, sepse qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta. Si shumicë e re parlamentare e morëm porosinë nga qytetarët se patjetër duhet të punojmë më shumë. Kemi mundësi të rrallë që për dy vite e gjysmë të përkushtohemi në problemet reale të qytetarëve. Në ekonomi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, krijimin e sistemit shëndetësor të ri, rrugën eurointegruese”, tha Kovaçevski.

-Advertisement-

Ai shtoi se do të jetë i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha partitë dhe institucionet në interes të shtetit.

“Planifikoj t’i ndaj njerëzit në të aftë e paaftë, të ndershëm e të pandershëm, punëtor dhe dembel. Andaj duhet të ketë ndryshime në politikë. Ne politikanët duhet të bashkohemi të bashkëpunojmë. Ne do të dëgjojmë shumë, do të kërkojmë sugjerime”, ka thënë mes tjerash Kovaçevski.

Deputetët e LSDM-së i kanë dhënë mbështetje mandatarit Dimitar Kovaçevski. Deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski ka thënë se Qeveria e kaluar ka dëshmuar se si punohet në interes të qytetarëve të interes të shtetit. Ai tha se reformat në interes të vendit do të vazhdojnë edhe në Qeverinë e re e cila do të udhëhiqet nga Kovaçevski. Kaeski ka shtuar se vendit nuk i nevojiten zgjedhje por punë për ti ballafaquar me problemet dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Pres që shumë shpejt ta tejkalojmë problemin me bullgarinë dhe ruajtjen e pozitave tona për të cilat ka vijë të kuqe. Pres së shpejti të mbahet edhe seanca e përbashkët qeveritare me BE-në. Kovaçevski besoj te Ju dhe puna juaj. Nga ne deputetët do të merrni mbështetjen për programin tuaj por edhe kritika të mëdha nëse nuk do të zbatohet sipas parashikimeve programi”, ka thënë Kaevski.

Pas prezantimit të programit dhe Qeverisë nga mandatari Kovaçevski, VMRO-DPMNE ka deklaruar se vendit i nevojiten zgjedhje urgjente për të dalë nga kriza politike, ekonomike dhe energjetike. Deputeti i kësaj partie, Aleksandar NIkollovski tha se Qeveria e re nuk është e re, por është Qeveri e vjetër e cila do të vazhdojë të veprojë pa vizion.

“Ne jemi këtu sepse ka dështuar e gjithë politika e premtuar e Zoran Zaevit, sepse populli e ndëshkoi ashpër politikën e tij, sidomos në zgjedhjet lokale. Të pranohej thirrja jonë që pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të ketë zgjedhje parlamentare tani do ti kishim të gjitha institucionet. Por nuk u ballafaquam me zgjedhe, por me kidnapim të deputetëve. Kjo qeveri është me kuadro të vjetër dhe nuk mund të ofrojë politika të reja. Kjo është Qeveri që nuk ka koncept dhe vizion për të ardhmen e vendit”, deklaroi Nikiollovski.

NIkollovski iu drejtua edhe partive të vogla që janë pjesë të qeverisë se qëndrojnë në këtë Qeveri ose sepse janë të nënçmuar ose sepse janë të kriminalizuar.

“Pse qëndroni në këtë Qeveri, ose sepse jeni të nënçmuara ose sepse jeni të kriminalizuara. Dilni vetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe do ta shihni se sa keni peshë tek opinioni”, ka deklaruar Nikollovski nga VMRO-DPMNE

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe ka komentuar programin qeverisës së mandatarit Dimitar Kovaçevski.

Nga foltorja e Kuvendit, Snopçe i propozon Kovaçevskit që të flasë për besimin në Qeveri, pasi siç tha ai, kjo është ajo çfarë i mungon Qeverisë së re.

Mungesën e besimit, siç tha Snopçe, e dëshmon me mbajtjen e ministrave paraprake edhe në Qeverinë e re, të cilët dëshmuan se janë të paaftë për të zgjidhur problem dhe për të bartur përgjegjësi.

Kështu përmendi ministrat e BDI-së dhe disa nga ministrat e LSDM-së, të cilët siç tha ai, e thelluan korrupsionin në vend dhe mosbesimin ndaj sistemit të gjyqësisë.

“Si e para, ju si mandatar duhet të flisni për besimin në Qeverinë. Besimi në Qeverinë shpërfaqet nëse propozoni kuadro të besueshme. Por ju çfarë propozoni? Ja, për shembull ministrat e BDI-së, të cilët kanë qenë në qeverinë paraprake, vazhdojnë të jenë ministra. Kjo tregon se ata kanë qenë të pagabueshëm, kurse nuk kanë asnjë përgjegjësi për asnjë skandal korrupsioni. Ofroni ministra si zotëri Spasovski, zotëri Mariçiqi, zotëri Nikollovski dhe ministra të tjerë të BDI-së që nuk kanë bartur përgjegjësi për dështimin e tyre. Ne jemi vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë, kurse ministri që ishte përgjegjës për të luftuar korrupsionin, vazhdon të jetë ministër në Qeverinë tuaj. Ne dhamë 200 pasaporta për narko-kriminelët që të shëtisin lirshëm duke rrezikuar zonën Shengen. Kishim skandale të shumta: (Sasho)Mijallkov kur dëshiron hyn, kur dëshiron del nga shteti, ish kryeministri (Nikolla) Gruevski iku, kurse zotëri Spasovski vazhdon të jetë ministër i Punëve të Brendshme. Ne të gjithë bashkërisht themi se gjyqësori nuk funksionon, se Ligjet nuk zbatohen dhe se kemi pandëshkueshmëri të personave që janë të afërt me Latasin. Këtë e tha edhe presidenti para vitit të ri, ndërkaq Mariçiqi vazhdon të jetë pjesë e Qeverisë. Zotëri mandatar, kështu nuk fitohet besimi”, tha mes tjerash Snopçe./AlsatM

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera