Lajme

Manifestime në Shkup për Goce Dellçev nën masa të rrepta sigurie

Autori: Gazeta inFokus 12:12 | 04 February 2023

Nën masa të rrepta të forcave të sigurisë, të shtunën në Shkup kanë nisur aktivitetet për shënimin e 151-vjetorit të lindjes të Goce Dellçevit – figurë historike për të cilën kanë pretendime edhe Maqedonia e Veriut edhe Bullgaria.

Goce Dellçev ka udhëhequr një rezistencë maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane në periudhën e vitit 1900.

Për shkak të frikës për incidente, rrugët që çojnë te varri i Dellçevit në Kishën e Shën Spasit, janë bllokuar nga forcat speciale të policisë, ndërsa lejohen të kalojnë vetëm delegacionet shtetërore dhe mediat e akredituara enkas për këtë ngjarje.

-Advertisement-

“Nuk mund të ketë ardhje spontane në pjesën zyrtare të manifestimit, sepse ashtu është organizimi, meqë rreziku është në nivel më të lartë se më parë. Asnjëherë më parë nuk ka pasur tensione të tilla si tani. Pikërisht ky është qëllimi i strukturave radikale që të krijojnë tensione”, ka deklaruar ministri i Brendshëm maqedonas, Oliver Spasovski, shkruan REL.

Policia maqedonase u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në rrugët ku do të zhvillohet ngjarja, për të garantuar sigurinë e të gjitha delegacioneve që do të marrin pjesë në manifestim.

Një grup bullgarësh kanë paralajmëruar ardhjen në këtë manifestim ndërsa eurodeputeti Angel Xhambaski, i njohur për retorikën e tij nacionaliste, ka kërcënuar presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, duke kujtuar atentatin ndaj ish-mbretit serb, Aleksandar Karagjorgjeviq.

Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë ka njoftuar se ministri bullgar, Ivan Demerxhiev dhe zëvendësi i tij Vençisllav Katinov, do të vendosin gjithashtu lule në varrin e Dellçevit në Shkup.

Delegacione të Presidencës maqedonase, Qeverisë, zyrtarë të tjerë, politikanë dhe shoqata qytetare, kanë përkujtuar lindjen e Dellçevit, duke vendosur lule mbi varrin në Kishën e Shën Spasit.

Autoritetet kanë bërë thirrje për një festë paqësore dhe dinjitoze të këtij përvjetori.

“Porositë e Dellçevit për unitet dhe kohezion, kur bëhet fjalë për interesat kombëtare dhe qëllimet strategjike shtetërore, janë po aq të rëndësishme edhe sot dhe janë obligim i shenjtë për të gjithë. Ne sot po e ndërtojmë Republikën e Maqedonisë së Veriut në një shoqëri për të gjithë qytetarët. Pas aleancës më të madhe të sigurisë, NATO, që tashmë është një realitet, ne po e integrojmë vendin edhe në familjen e kombeve dhe shteteve evropiane, si një anëtar i plotë dhe i barabartë i Bashkimit Evropian”, ka thënë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në një postim në Facebook.

Me një pankartë me mbishkrimin “Goce është Maqedoni” në manifestim ka marrë pjesë edhe një delegacion i parisë maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE.

Kryetari i saj, Hristijan Mickoski, ka thënë se nuk është kundër që Goce Dellçevi të përkujtohet dhe nga shtetas të Bullgarisë, por vetëm si “revolucionar maqedon”.

“Politikanët tuaj po na kthejnë në mesjetë, nuk po na çojnë në shekullin e 21-të. Në vend që të flasim për inteligjencën artificiale, shkëmbimin e teknologjive, ata na kthejnë në mesjetë. Për të fituar pikë të vogla, politikanët bullgarë, po i bëjnë vetes atë që nuk duhet të bëjnë. Ata bëhen interpretues të cirkut të estradës nga politikanët”, ka thënë Mickoski duke kritikuar edhe Qeverinë maqedonase për “kaos, vjedhje dhe ndasi të thella në shoqëri”.

Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë rritur në nëntor të vitit të kaluar kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën në Manastir dhe Ohër klube bullgare me emrat: “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, të cilët kanë sunduar Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synimin e “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.

Një pjesëtar i këtij klubi, më 16 janar, është sulmuar fizikisht, gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve, duke çuar në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi.

Dy shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, që nga viti 2017 – kur kanë nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë – nuk kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet historike.

Mes tjerash, shtetet kanë mospajtime për prejardhjen e shumë personaliteteve historike, përfshirë edhe Goce Dellçevin, dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase, pasi bullgarët pretendojnë se ato kanë “rrënjë bullgare”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera