Opinione

Manaja (nami) i ngrënjes në Sofër të Parë

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 19 November 2022

Kështu hahej nëpër oda. Kur kishte kallaballak (-llyk) shtroheshin dy, tri apo më shumë sofra.

Shkruan: Agron HOTI

Në sofër të parë uleshin kryesisht më të vjetrit, sofra e dytë ngërthente ata që ishin një çik më të rinj dhe me rang social më të ulët, e treta kryesisht kusherinjtë, e kështu me radhë. Si fëmijë rrallë ta shihte dhëmbi të uleshe në ndonjërën prej sofrave, e nëse veç rastësisht ajo ndodhte, i llomisje (bullisje) më pas shokët (generacinë=gjeneratën tënde) duke u thënë “kam ngrënë ushqim me burra” që i binte sikur të kishe ngrënë bukë me Presidentin Trump nëse jo edhe Biden.

-Advertisement-

Sofra e parë e kishte mananë apo frramën (namin) e madhe, se thonin ”filani apo fisteku nëse jo edhe fistekja na ishte për sofër të parë”, pra ishte çështje rangu e prestigji të lartë. Po të ndodhte gjatë hyzmetbërjes si kamarier që bëheshe (të bënte zori) në shtëpi tënde që në kësi konstelacionesh ‘ndërkombëtare’ të derdhje ujin apo të bëje ndonjë gabim që konsiderohej trashanik për kohën, shumë shpejtë nga skuadrat ‘kashagitëse’ (rrahëse) mund të përfundoje nën lëkurë të dashit i llomitur (dërmuar fizikisht) së paku 7 ditë, periudhë kjo e nevojshme si emergjencë shërimi, ngase atëbotë fshatrat s’dinin ç’ishte mjekësia duke qenë se kishin një përjashtim social të paparë në Evropë.

Në sofër të parë uleshin kryesisht musteqoshët, që kur t’ia fusnin lugën vekshës me fasule (pjatës së madhe sa një legen) duke e futur në gojë lëngu rrëke u shkonte nëpër mustaqe, higjienë që ç’kishe me të dhe meqë faculetat veç në tv i shihnin, kuptohet nëse i shihnin sepse ajo generaci (gjeneratë) as tv s’shikonin, atëherë e fshinin gojën me ca shamija të zeza (mindile) që musteqoshët i mbanin nëpër xhepa nën çdo nivel higjiene.

Kur më pas ta fshinin piten përpara me vaj buallice, u vizllonin duart nga yndyra, për të cilat meqë s’dinte kush ç’ishte sapuni, kinse i pastronin në legenin dhe bakallin me ujë që servohej pas ushqimit, e të cilat nga uji pa sapun veç sa lyheshin (ndoteshin) edhe më shumë.

E sikur kjo mos t’u mjaftonte, pas darke t’ia nisnin lojës ”me kapuça” që kërkonte zbathjen e çorapave të së paku 8 vetave prezentë në odë. E çorapat ishin bërë rreshkë nga papastërtia sa edhe dhinë e mbysnin nga kundërmimi dhe ashtu siç ishin fillonte loja ku njëri duhej të fuste dorën nën të gjitha çorapat për ta fshehur kokrrën e misrit apo fasules për t‘u munduar ta gjenin të tjerët. Ashtu me ato duar me yndyrë, me kundërmimë çorapash çoheshin në fund burrat dhe shpërndaheshin nëpër shtëpia pa ua parë syni duarve sapunin.

Kështu ishte tyneherë motra e vllazni.🤷

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera