Lajme

Majko i lumtur: Ushtria e Kosovës e forcon edhe Shqipërinë

Autori: Gazeta inFokus 12:40 | 21 October 2018

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka thënë se e ka mirëpritur miratimin e tri ligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri.

Ai ka thënë se ushtria e Kosovës forcon edhe Shqipërinë.

“Është çështje e një forme ligjore e cila duhet të mbyllet përfundimisht dhe Kosova të ketë të drejtë të blejë armatim të rëndë, ashtu siç blejnë të gjitha kombet dhe shtetet natyrshëm të Evropës, sepse Kosova është shtet i cili po ndërton politikën e vet të sigurisë kombëtare. Ajo që është e rëndësishme ta them unë është që siguria kombëtare e Shqipërisë dhe Kosovës janë të pandashme. Në qoftë se Kosova ftohet apo sëmuret, ne andej kollitemi dhe anasjelltas”, ka thënë Majko.

-Advertisement-

Ai ka komentuar edhe zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se fqinji verior i Kosovës është pjesë e një politike që nuk fillon dhe mbaron në Beograd.

“Në qoftë se serbët kanë ndryshuar…le të shohim, por unë nuk hy te njerëzit që mendojnë se serbët janë një komb që ndryshojnë shpejt. Ata janë njerëz që kanë prodhuar një politikë goxha të qëndrueshme dhe janë pjesë e një shahu që nuk fillon dhe mbaron në Beograd. Megjithatë, të shohim”, theksoi ai.

Majo nuk ka dashur ta komentojë idenë e presidentit kosovar, Hashim Thaçi rreth korrigjimit të kufirit me Serbinë.

E për bashkëpunimin e Shqipërisë, tha se duhet të ndodhë në mënyrë praktike edhe në fushën e ekonomisë. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera