Lajme

Macron para takimit me Kurtin: Ftoj Kosovën e Serbinë të angazhohen për gjetjen e një kompromisi në dialog

Autori: Gazeta inFokus 20:18 | 23 June 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para takimit në Pallatin Elisee në Paris kanë mbajtur një konferencë shtypi.

Gjatë konferencës për medie, Macron ka thënë se do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën, ndërkaq theksoi se fton Kosovën e Serbinë për gjetjen e një kompromisi dhe arritjen e marrëveshjes.

Macron u shpreh se “Kosova si të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka një interes për BE-në, si udhëheqësit ashtu edhe populli i saj”.

-Advertisement-

“Do të keni mbështetjen tonë. Afërsia me BE-në, normalizimi i marrëdhënieve, për zhvillimin e qëndrueshëm, po ashtu me përfaqësuesin Lajçak, sikur një popull me vullnet të madh politik nga ana e të dyja vendeve në fjalë, juve dhe z.Vuçiq. I ftojë Kosovën dhe Serbinë të angazhohen si evropian në arritjen e një marrëveshje, dhe gjetjen e një kompromisi”, u shpreh Macron.

Në këtë udhëtim Kurtin e kanë shoqëruar edhe dy zëvendëskryeministrat, Besnik Bislimi dhe Emilja Rexhepi.

Kryeministri Albin Kurti sot do të takohet me presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili kishte provuar edhe më herët ta shtynte përpara arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në shkurt të këtij viti, në po të njëjtin vend ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Më herët, aty kishte qenë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Macron, pas takimit me Vuçiqin pranonte se kryetema e takimit ishte dialogu Kosovë – Serbi, ndërsa theksonte se do të mbështeste zgjidhjet që propozoheshin nga presidenti serb, e të cilat presidenti francez i quante inovative.

“Patëm bisedime të besimit të plotë me presidentin Vuçiq sa i përket kësaj teme, dhe dua ta përshëndes përgjegjësinë që ka marrë ai disa herë për të propozuar disa zgjidhje që janë inovative. Jam i gatshëm t’i mbështes ato”, kishte thënë Macron.

Ai theksonte se do t’i mbështesë të gjithë ata që duan përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Llogarisni në mua, e unë do të vazhdoj të jem me ju derisa të arrijmë përparim në këtë rrugë, në rrugën e normalizimit, por edhe në rrugën që na sjellë stabilitet e paqe në rajon dhe e di se ky është synimi juaj”, shprehej Macron.

Vuçiq, pas takimit me Macronin ishte shprehur i kënaqur, ndërsa thoshte se presidenti francez nuk donte t’ia impononte Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera