Lajme

Macron në iftar: Shteti detyrohet t’u sigurojë muslimanëve liri dhe barazi

Autori: Gazeta inFokus 12:41 | 21 June 2017

“Muslimanët kanë të drejtë për të jetuar të lirë dhe të praktikojnë obligimet e tyre fetare. Institucionet franceze janë të detyruar t’ua mundësojnë këtë gjë”, ka thënë Macron.

Këshilli Islamik i Francës (CFCM) dje organizoi një iftar tradicional në Paris ku morën pjesë një numër i madh i politikanëve dhe zyrtarëve francezë, në mesin e tyre edhe presidenti i vendit, Emmanuel Macron dhe ministri i Brendshëm, Gerard Collomb, raporton Anadolu Agency (AA).

Macron pas një pauze prej dhjetë vitesh mori pjesë si president në iftar të CFCM-së. Presidenti i fundit që kishte marrë pjesë në iftar ishte Nicolas Sarkozy para saktësisht një dekade.

-Advertisement-

Në iftarin në Paris morën pjesë udhëheqësit fetarë në Francë, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të shumë vendeve.

Në fjalimin tij para të pranishmeve, presidenti francez Macron theksoi se Islami dhe muslimanët janë gjithashtu viktima të terrorizmit, i cili dëshiron të shkaktojë plagë të thella në marrëdhëniet ndërmjet muslimanëve dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera fetare.

Ai shtoi se CFCM jep përgjigje të mirë duke promovuar unitet dhe solidaritetin, ndërsa iftarin në qendër të Parisit e vlerësoi si shembull të shkëlqyer të kësaj.

“Në Francë nuk ekziston diç si muslimanët në njërën anë, kurse francezët në anë tjetër, por janë një, të lirë dhe të barabartë. Muslimanët kanë të drejtë për të jetuar të lirë dhe të praktikojnë obligimet e tyre fetare. Institucionet franceze janë të detyruar t’ua mundësojnë këtë gjë”, ka thënë Macron.

Ndërkaq, presidenti i CFCM-së, Anouar Kbibech, falënderoi presidentin Macron dhe zyrtarët për pranimin e ftesës, duke theksuar se muslimanët dënojnë fuqimisht terrorizmin dhe se sulmet terroriste nuk kanë të bëjnë asgjë me ndonjë fe apo vlera.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera