Lajme

Macron konfirmon takimet me Osmanin, Vuçiqin dhe Scholzin në Moldavi

Autori: Gazeta inFokus 17:23 | 31 May 2023

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar se të enjten, më 1 qershor, së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin.

Macron e bëri të ditur këtë lajm gjatë një fjalimi në konferencën GLOBSEC të mbajtur në Bratislavë.

Në këtë konferencë për Siguri Globalë po merr pjesë edhe Kurti, i cili u takua aty me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

-Advertisement-

Këto takime do të zhvillohen ndarazi mes presidentit francez dhe kancelares gjermane me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Takimet do të organizohen në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Gjatë ditës, ai kishte thënë se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe.

Qëndrimi i presidentit francez është në bashkërendim me deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të QUINT-it, të cilat e bënë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Reagimet ndërkombëtare erdhëm pas aksioneve të Policisë së Kosovës, më 26 maj, në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë për 700 numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday në Comodita Home: Përfito 100€ extra zbritje në dyshekë
-Advertisement-

Të tjera