Lutfiu: Në Serbi thirrje që shqiptarët të nxirren nga komunat në Luginë

Autori: Gazeta inFokus
10:34 | 10 June 2023
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu deklaron se kërkesat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, janë të hiperbolizuara. Sipas tij, kjo nuk është forma më e mirë për të gjetur zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë. Situata e tensionuar në veri, siç thotë ai, ka ndikuar në Luginë të Preshevës, ku bëhet thirrje që të largohen shqiptarët nga komunat në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Lutfiu shpreson që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e bisedimeve dhe marrëveshjes finale mes dy vendeve.
“Dua të kujtoj që ka pasur edhe thirrje prej aktivistëve, prej politikanëve që ngjarjet që po ndodhin në veri, Serbia t’i manifestojë, t’i ushtrojë edhe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Biles ka qenë edhe një deklaratë e një aktivisti atje në Serbi, që t’i nxjerrin shqiptarët nga Komuna e Bujanocit dhe Preshevës, si lloj reciprociteti ndaj asaj që po ndodhë. Ndonëse, qytetarët e Luginës së Preshevës kanë qenë, ju kanë nënshtruar proceseve zgjedhore në bazë të ligjeve të Serbisë, krejt në mënyrë demokratike. Por, kjo është ajo forma që Serbia, ndonëse jetojmë në vitin 2023, ende jeton dhe ushtron funksionet e viteve të kaluara”, deklaron ai.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thekson se shqiptarët në këto tri komuna janë të shqetësuar.
“Ka qytetarë që janë të shqetësuar edhe për shkak të këtyre thirrjeve që vijnë nga qarqet të ndryshme, nga individë të Serbisë, në mënyrë që të prodhojnë një destabilizim edhe në Luginë të Preshevës. Kjo sigurisht është shqetësuese dhe ne vazhdimisht bëjmë thirrje për prezencë të ndërkombëtarëve në Luginë të Preshevës”, shton Lutfiu për KosovaPress.
Sipas tij, në tri komunat në Kosovën Lindore ka mungesë të perspektivës, fluks të madh të emigrimit, pasivizim të adresave dhe mosnjohje të diplomave.
“Thirrja jonë e vazhdueshme është që në marrëveshjen finale, në bisedimet finale mes Kosovës dhe Serbisë patjetër të jetë e përfshirë edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kosova është shembulli më i mirë se si respektohen pakicat në një shtet. Në ndërkohë që, shqiptarët e Luginës së Preshevës diskriminohen vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Është rasti i vetëm në Evropë dhe shumë i rrallë në botë, ku shteti diskriminon një pakicë vetëm për shkak të përkatësisë etnike”, thekson kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Kërkesat e ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lutfiu i konsideron të hiperbolizuara. Ai kërkon reciprocitet për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, njëjtë si serbët në Kosovë.
“Një iniciativë të tillë e kanë pasur edhe liderët e Luginës së Preshevës, por që kurrë nuk është pranuar nga lidershipi i Serbisë. Ajo që ne kërkojmë është që gjithmonë që të ketë një reciprocitet të të drejtave, sikur ato të drejta që i kanë serbët në Kosovë, t’i kemi edhe ato drejta ne shqiptarët e Luginës së Preshevës… Si një qytetar i thjesht i Luginës së Preshevës, i cili diskriminohet vazhdimisht, unë them se serbët në Kosovë i gëzojnë të drejtat ndoshta që nuk i ka asnjë pakicë tjetër, kudo në Evropë. Kërkesa të tilla janë të hiperbolizuara dhe unë besoj që kjo nuk është forma më e mirë për të gjetur një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai.
Javë më parë, për herë të parë është përmendur çështja e Luginës së Preshevës në Senatin amerikan. Kryetari i Këshillit Kombëtar shton se në kuadër të fushatës lobuese me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës do të diskutohet edhe në Strasburg.
“Së fundmi, janë dakorduar edhe takimet, të cilat do të mbahen në Strasburg. Edhe atje do të takojmë eurodeputetë, në mënyrë që do të diskutojmë për gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës… Do të flasim për gjuhën e urrejtjes që përdoret vazhdimisht në Luginë ndaj qytetarëve të Luginës së Preshevës, ndaj atij racizmi që shfaqet çdo ditë në Serbi, pastaj do të flasim patjetër edhe për mungesën e perspektives. Serbia e ka nënshkruar një plan, i ashtuquajturi shtatë pikësh, i cili ka për qëllim integrimin e shqiptarëve në institucione shtetërore, atë plan asnjëherë nuk e ka zbatuar. Pastaj, pas shtatë viteve e kemi filluar një ridialogim për atë plan, por prapë nuk i ka zbatuar dhe do të flasim me shifra se si shqiptarët diskriminohen dhe nuk pranohen në institucione shtetërore”, përfundon ai.
Kujtojmë që, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë

Të tjera
-
Personi i zhdukur në Gorozhup gjendet i gjallë – Operacioni përfundon me sukses
Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ka bërë të ditur se operacioni ...
-
Hoxhaj: E mbështes një koalicion mes Vetëvendosjes dhe PDK-së
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, në Klan Ko...
-
“Jo më ‘masakra’ me 40 euro shezlloni për kosovarët”, Ndreu- Katër euro në qendër të Shëngjinit, pesë euro në Ranën e Hedhun
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka deklaruar se çështja e shezll...
-
100 persona në Shqipëri fituan 33 milionë euro në rrjete sociale, Administrata Tatimore fillon hetimin për mosdeklarim pasurie
Drejtoria e Hetimit Tatimor në Shqipëri ka filluar një hetim të gjerë ndaj 10...
-
Macron thekson nevojën për bisedime me Iranin në një telefonatë me Netanyahun
Presidenti francez, Emmanuel Macron i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Ne...
-
ZKA evidenton parregullësi, QKUK paguan 137 mijë euro më shumë për kujdestaritë e së premtes, u paguan 150% në vend të 20%
Zyra e Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat f...
-
Përparim Ramusa, kandidat i PDK-së për kryetar të Shtimes
Përparim Ramusa ka bërë të ditur se do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar ...
-
NATO i Beson Shqipërisë: Samiti i Vitit 2027 do të Zhvillohet në Tiranë
Tirana do të jetë nikoqirja e Samitit të NATO-s në vitin 2027, një vendim i m...
-
Kuvendi ia refuzon kërkesën Kocit për pjesëmarrje në seancën konstituive – reagimi i tij i ashpër: Jam duke protestuar
Avokati Arianit Koci ka reaguar pas përgjigjes që mori nga Kuvendi i Kosovës ...
-
“Shija e rafinuar” e ministrit Sfeçla: 15 mijë euro për kafe në verandën prej 5 mijë eurosh
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, punët po ecin me aromë kafeje dhe planif...
-
Lista Srpska shkon në Rashkë për ta takuar Petkoviqin – marrin informata për rundin e fundit të dialogut
Kryenegociatori i Serbisë për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, është taku...
-
Kurti pret Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, diskutuan për mundësitë e forcimit të marrëdhënieve bilaterale
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në tak...