Fokus

Lutfi Haziri i bashkohet mashtruesve të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 12:51 | 18 April 2019

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i është shtuar listës së personaliteteve kosovare që dyshohet se paguan mijëra euro për ta marrë një titull mashtrues “Misionar i Paqes” nga një organizatë e dyshimtë.

Para tij, me krenari kanë paraqitur para qytetarëve medaljet kinse të lëshuara nga Kombet e Bashkuara, edhe kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, e ai i Vitisë Sokol Haliti, shkruan gazeta inFokus.

Të gjithë këta janë bërë “Misionar të Paqes”, pas Agim Shahinit, njeriut që dyshohet se mashtroi me mbi gjysmë milioni euro bankat kosovare dhe që së fundmi mori “Medaljen e Artë Aktivist i Shkëlqyer i Njerëzimit” nga po e njëjta organizatë mashtruese.

-Advertisement-

Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet dhe Misioni Diplomatik Amerikan për Paqen Botërore me seli në Shqipëri, nga e cila Lutfi Haziri e mori çmimin Nelson Mandela, me motivacionin për promovimin e paqes në Gjilan dhe Kosovë dyshohet për shitje të titujve në emër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

OJQ  “Misioni diplomatik Paqe e mirëqenie”, sipas një hulumtimi të emisionit  investigativ italian “Strisca la notizia”, del se jep çmime me titujt si diplomatë të OKB-së në shkëmbim të 7 mijë eurove, shkruan gazeta inFokus.

Sipas emisionit protagonist i këtij skandalit është kryetari i organizatës Shefki Hysa, i cili ka lëshuar tituj si “Diplomat i OKB”, “Konsull Nderi i OKB” e “Misionar i Paqes i OKB” me një kartë diplomatike “fallso” të OKB e një targë makine diplomatike “fallso” nën premtimet e lehtësirave administrative në kufij doganorë e policorë.

Të mërkurën, i njëjti person ka dekoruar edhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin.

“Jam i nderuar që Akademia Universale e Paqes Globale e OKB’së, më ka nderuar me çmimin Nelson Mandela, me motivacionin për promovimin e paqes në Gjilan dhe Kosovë”, ka shkruar Haziri në llogarinë e tij në facebook, ku edhe ka bashkëngjitur fotografinë me rroba ceremoniale.

Sipas tij Gjilani është qyteti që e promovon tolerancën e dialogun ndërfetar dhe ndëretnik dhe për të diversiteti është vlerë.

“Faleminderit për vlerësimin të deleguarit të këtij institucioni, z. Madhu Krishan dhe Dr. Shefki Hysa, guvernator i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet!”, ka shkruar Haziri.

Por, një ditë pas Haziri tregon për gazetën inFokus se nuk kishte njohuri se çfarë organizate ishte saktësisht ajo nga e cila mori titullin.

“Jo unë nuk jam marrë me atë çështje. Kredibiliteti i saj është çështje e tyre, por unë kam qenë mysafir i ftuar dhe si i tillë ju kam përgjigj, asgjë më shumë. Prej dy vitesh unë jam kontaktuar”, ka treguar Haziri për gazetën inFokus.

Ai ka mohuar të ketë dhënë para për ta fituar titullin “Nelson Mandela”.

“Jo në asnjë mënyrë, unë nuk kam paguar asgjë. Ka dy vite që ka qenë propozimi, ndërsa tash është realizuar dhe unë besoj në kredibilitetin e tyre”, ka thënë Haziri.

Kreu i Gjilanit beson se Akademia Universale e Paqes Globale është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ka kredibilitet.

“Në ministri duhet t’i bëni pyetjet se a është fantome apo jo, në ministri të jashtme. Unë jam njoftu që ka kredibilitet”.

Gazeta inFokus ka provuar të marr përgjigje nga zyrtarët e organizatës, të cilët shihen në fotografi përkrah Hazirit, por nuk kanë pranuar të komentojnë.

Çmimin “Misionar paqeje”, në vitin 2014 nga e njëjta organizatë e kishte marrë edhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera