Fokus

Lumezi plotëson kërkesën e qytetarëve për Astrit Deharin

Autori: Halil Berisha 10:03 | 30 October 2019

Sot, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka njoftuar se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit të kaloj nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokuroisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Bartës, i kësaj lënde do të jetë ushtruesi i Kryeprokurorit të kësaj prokurorie.

E kjo, ishte kërkesa e parë që u paralajmërua t’i kërkohej institucioneve në marshin e planifikuar të mbahet më 5 nëntor, “Një Popull për Drejtësi”, shkruan gazeta inFokus.

“Kërkesat e Marshit për Drejtësi drejtuar institucioneve të Kosovë janë:

  1. Caktimi i grupit të ri hetimor kredibil si dhe bartja e rastit nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;”, thuhet në njoftimin e marshit.

Por, veç kësaj, janë edhe dy kërkesa që këta i kanë parashtruar.

“2. Shkarkimi dhe hetimi i të gjithë personave përgjegjës në gjithë zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore; dhe

“3. Fillimi i menjëhershëm i një hetimi të ri kredibil, transparent, të pavarur dhe profesional mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, si dhe hetimin e rrethanave të vdekjes së dëshmitarit kryesor të rastit, shokut të tij të dhomës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Naser Makolli”.

E për vendimin i cili plotësoi kërkesën e parë, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, jepet edhe një zotim.

“Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvilloj hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit./Gazeta inFokus/

Të tjera