Lajme

Lumezi për 400 kg kokainë që u kapën në Lipjan: Vlejnë rreth 20 milionë euro, janë sekuestruar edhe para e vetura

Autori: Gazeta inFokus 20:32 | 17 May 2021

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, si dhe përfaqësuesit e autoriteteve italiane dhe atyre të Shqipërisë ka mbajtur konferencë për media lidhur me operacionin e sotëm të policisë, gjatë të cilit u konfiskuan 400 kg kokainë dhe u arrestuan dy të dyshuar.

Lumezi tha se ky operacion është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si dhe autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë.

Lumezi tha se gjatë këtij aksioni përveç substancës së dyshuar narkotike, janë sekuestruar edhe para, vetura dhe gjësende të tjera.

-Advertisement-

“Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë, janë ndërmarrë masa dhe veprime që kanë rezultuar me konfiskimin e 400 kg kokainë, vlera e së cilës është rreth 20 milionë euro dhe janë sekuestruar sasi e parave, veturave dhe gjësendeve të tjera, të cilat do të përdoren në procedurat e radhës. Dëshiroj të them se gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta, ku kemi përcjellë lëvizjen e kësaj ngarkese, nga Brazili në Itali, pastaj në Durrës dhe deri në arritjen e destinacionit, pra në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se Prokuroria u dërgon porosi të qarta të dyshuarve se do të përballen me drejtësinë.

Lumezi tha se ky aksion ka qenë jo vetëm sfidë, por edhe detyrim për ta luftuar krimin e organizuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera