Lumezi: Elez Blakaj, prokuror i dështuar, mori 72 mijë euro pa asnjë sukses
Autori: Gazeta inFokus
22:55 | 20 August 2018
Duke komentuar deklaratat e prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka lansuar akuza për prokurorin i cili publikoi një letër të gjatë ku arsyeton dorëheqjen e tij me pretendimet për presione.
Lumezi ka mohuar që Blakaj e Millaku kishin një marrëveshje mos ta njoftonin atë për rrjedhën e hetimeve për veteranët pas diskutimit rreth intervistimit të Kadri Veselit.
“Elezaj ka ardhë tek unë dhe më ka dhënë informacione për rastin e veteranëve edhe pas takimit që kemi pasur për çështjen e Kadri Veselit”, ka thënë Lumezi për KALLXO.com.
Ai ka thënë se nuk e di cili është qëllimi i Elezajt por ka shumë pikëpyetje për profesionalizmin e tij.
“Unë nuk e di cili është qëllimi i Elez Blakajt. Ai po don me u bo prokuror hero por deri sot asnjë rast të rëndë në karrierën e tij nuk e ka ngritë. Një rast të rëndë ia kemi dhanë me e provu, i ka marrë 72 mijë euro rroga dhe një aktakuzë të mirë nuk e ka ngritë. Çfarë profesionisti është ai?”, ka thënë Lumezi.
Ai ka shtuar se prokurori Blakaj kishte ngritur aktakuzën ndaj Shefqet Krasniqit por aktakuza kishte dështuar në gjykatë. “A është sukses apo mossukses kjo?”, ka pyetur Lumezi.
Kryeprokurori e ka quajtur dobësi veprimin e Elezajt.
“Është një dobësi e një prokurori që e ka lënë një lëndë në gjysmë dhe e ka njollosë edhe sistemin prokurorial e edhe prokurorinë e shtetit, e edhe shtetin e Kosovës. Në kohën kur EULEX-i është largu me thanë qe çfarë prokuror kemi na. A munden prokurorët me kry një lëndë qysh duhet, a është ky prokuror me dinjitet”, ka thënë Lumezi.
Në bisedë për KALLXO.com, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka shpjeguar takimin me prokurorin Blakaj ku është diskutuar aktakuza për aktorët e “Pronto”-s. Në bisedë Lumezi ka pranuar se ka folur me Besim Beqajn rreth aktakuzës në një takim që e ka pasur me këtë të fundit.
“Tek pjesa e Prontos, ai ka qenë një prej prokurorëve të cilin unë e kam iniciuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe e kam formuar një ekip të prokurorëve për hetimin e këtij rasti, ka qenë: Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani. Mbasi që është ngritur aktakuza unë i kam thirrur në zyrën time me ma shpjegu se cilat janë provat dhe faktet që e kanë mbështetur dyshimin e bazuar për me ngritë aktakuzën. Në këtë takim kanë folë me rend prokurorët dhe kur ka ardh rendi tek Elez Blakaj, ky ka thënë që unë nuk e kam ndërmarrë asnjë veprim e as nuk e kam lexuar aktakuzën, por unë e mbështes Drita Hajdarin në tërësi”, ka thënë Lumezi.
Ai ka shtuar se ka pasur një mospajtim me prokurorin për shkak se ai nuk e kishte lexuar aktakuzën.
“Unë i kam thënë: qysh nuk po të vjen marre me thanë që e mbështet Dritën në tërësi si prokuror special pa i pa provat dhe pa e lexu aktakuzën. Kjo është injorancë e skajshme e jotja. Ti duhet me thanë që nuk e kam lexu kryeprokuror dhe mandej me dhanë mendimin, e jo me thanë që për shkak të mospunës se vetë dhe neglizhencës në punë tash e akuzon Kryeprokurorin e Shtetit. Aty ka qenë në takim edhe Drita Hajdari edhe prokurori Lulzim Sulejmani e edhe kryeprokurori Reshat Millaku”, ka thënë Lumezi.
Kryeprokurori i Shtetit ka thënë se diskutimi për aktakuzën e “Pronto”-s ka qenë profesional dhe pa tentativa të ndikimeve.
Në pretendimin e tij, prokurori Blakaj ka shkruar se Lumezi i nevrikosur kërkonte llogari për aktakuzën e “Pronto”-s. “Madje edhe duke ulëritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte dërguar në gjykatë!”thuhet në letrën e Blakaj.
Lumezi ka pranuar se është takuar me Besim Beqajn dhe kanë diskutuar për rastin “Pronto”.
“Është përmend që Besim Beqaj ka dashtë me u taku me mu lidhur me këtë çështje. Ai më ka thirrë në telefon dhe kemi bisedu dhe ai më ka thanë që është i shqetësuar për këtë rast, e unë i kam thanë që do ta këqyrim dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha provat, e nëse ka prova normal do të ngritet aktakuza, e nëse jo… Po krejt kjo është me rëndësi që biseda në mes neve është bo mbasi është ngritë akti akuzues dhe ka shku në gjykatë”, ka thënë Lumezi. Ai ka thënë se me Besim Beqajn është takuar në një ndejë.
“Ai ka qenë i revoltuar edhe me mua edhe me sistemin që jena në mënyrë të padrejtë duke e bo edhe jena me qëllime të caktume duke e akuzu atë pasi nuk ka asnjë provë që ai ka ndiku në punësimin e njerëzëve në rastin e ‘Pronto’-s” ka thënë Lumezi. Ai ka thënë se takimi me prokurorin është bërë katër javë pas ngritjes së aktakuzës.
“Edhe unë nuk jam pajtu me rastin e ‘Pronto’-s se kam thanë që ka prova vetëm për disa nga të akuzuarit, e jo për të gjithë të akuzuarit. Aktakuza ka shku shumë më përpara se me ndodh takimi, e jo para se me shku aktakuza”, ka thënë Lumezi.
Në një bisedë për KALLXO.com, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka folur për takimin me prokurorin Elez Blakaj ku ishte folur për thirrjen e Kadri Veselit në cilësinë e dëshmitarit në rastin e veteranëve.
Lumezi nuk e ka mohuar takimin por ka dhënë version tjetër për ato çfarë ka qenë qëllimi i takimit. Kryeprokurori që në bisedë thotë se ka qenë iniciuesi i hetimit të madh për veteranët, ka theksuar se kërkesa e tij ka qenë vetëm për të sqaruar situatën.
“Për rastin e Kadri Vesilt unë e kam ftuar prokurorin pasi e kam kuptuar që prokurori e ka ftu si dëshmitar Kadri Veselin edhe kam kërku nga ai shpjegime pse e ka thirrë. Sqarimi i prokurorit ka qenë se ai e ka ftu në cilësinë e dëshmitarit lidhur me deklarimet të cilat i ka bërë në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Unë i kam thënë që në cilësinë e dëshmitarit nuk mund të thirren deputetët, as ky e as Lumir Abdixhiku për ato çka kanë fole në foltoret e Kuvendit të Kosovës sepse është parim kushtetues, sepse ata kanë imunitet për atë çfarë flasin në foltore”, ka thënë Lumezi.
Ai ka shtuar se Veseli nuk ka qenë dëshmitar i ngjarjeve dhe as person i dyshuar në këtë rast.
“Fundi i fundit Kadria nuk ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë, nuk ka qenë as komandant i zonës as nuk ka qenë në komisionin për dhënien e benefiteve për veteranët e luftës. Ky ka dashtë me e thirrë për mendje të madhe, këshe unë e kam thirrë po sa e di unë s’e ka marrë në pyetje kurrë”, ka thënë Lumezi.
Ai ka shtuar se prokurori Blakaj nuk ka qenë i penguar për ta thirrur Veselin në intervistë por edhe kur e ka thirrur ai nuk e ka pyetur asgjë.
“Edhe kur e ka thirrë nuk e ka marrë në pyetje. As Kadriun as Lumir Abdixhikun, vetëm ka thënë a dini diçka rreth kësaj çështjeje? Kodi Penal e parasheh kush mund të thirret dëshmitar, mund të thirren vetëm njerëzit që kanë njohuri për ngjarjen që ka ndodhur ose janë dëshmitarë të drejtëpërdrejt ose të tërthortë”, ka thënë Lumezi për KALLXO.com.
Ai ka thënë se në intervistimin e një dëshmitari nuk mund të flitet për interferim.
“Unë si kryeprokuror i kam shfrytëzuar kompetencat e mia lidhur me një dëshmitar por të ishte i dyshuar atëherë kishim mund të themi se ka interferim nga kryeprokurori por kryeprokurori ka të drejtë me pru udhëzime të detyrueshme për raste konkrete por unë nuk kam pru. Unë kam qenë ai që e kam inicu rastin e veteranëve të luftës”, ka thënë Lumezi. Ai ka sqaruar se iniciativa për të sqaruar rastin e Veselit ka ardhur nga vetë ai e jo nga dikush brenda kabinetit të Kadri Veselit.
“Nuk kam pasur ankesë prej Veselit por unë e kam marrë vesh nga kryeprokurori që është thirrë Kadri Veseli dhe pasi që e ka lëshu ftesën e kam thirrë me ma dhanë shpjegimin pse e ka thirrë dhe në çfarë cilësie e ka thirrë Kadri Veselin”, ka thënë Lumezi.
Në një letër të bërë publike përmes profilit të tij në ‘Facebook’, prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, akuzoi Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, se ka kërkuar llogari prej tij pse në mesin e dëshmitarëve në rastin e veteranëve e kishte ftuar edhe kreun e Kuvendit, Kadri Veselin.

T� tjera
-
U raportua i zhdukur në Ferizaj, 31-vjeçari gjendet shëndosh e mirë në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas katër ditësh kërkimi është arritur që të...
-
Kurti bisedon me Rutten në Dublin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i shërben sigurisë në Evropë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e P...
-
KFOR organizon ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, marrin pjesë edhe Policia, EULEX-i dhe FSK-ja
Forca e Kosovës (KFOR) do të zhvillojë ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vre...
-
Nëna nga Gjakova e raporton djalin e saj në polici, ai dërgohet në mbajtje
Një rast i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Gjakovë. S...
-
Burri la tre fëmijët në rrugë në Prishtinë, ish-gruaja e raporton në polici për sulm
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një grua dyshoh...
-
Dhunë në familje në Podujevë, Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë, në njërin rast gjenden armë dhe municion
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në raportin 24...
-
Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren
Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren. Rasti...
-
Të martën shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ...
-
Bilanc tragjik këtë të shtunë në Shqipëri – Tre të vdekur brenda pak orësh në aksidente, pesë të lënduar
Tre të vdekur dhe pesë të lënduar është bilanci i aksidenteve në rrugë gjatë ...
-
Haziri: Republika mban autorësinë e Rugovës, Adem Jashari e kryengritësit e tjerë janë meritë e tij, Demaçit, Bukoshit e Ahmet Krasniqit
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke reaguar lidhur me debatin...
-
Cili është kanceri më i rrezikshëm i lëkurës që po shënon rritje? Dermatologia zbulon detajet alarmuese!
Dermatologia Shkëndije Dobruna, në emisionin “Doktor Plus”, ka folur për lloj...
-
Shiroka Pula në Ballon e Marinsave: Amerika është shumë më tepër se një aleat strategjik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në Ballon e Marinsave...


































