Lajme

Lumëbardhi, Avokati i Popullit kërkon të respektohet e drejta e qytetarëve

Autori: Gazeta inFokus 15:32 | 25 February 2019

Avokati i Popullit konsideron se është e nevojshme që institucionet ta shqyrtojnë seriozisht kërkesën e qytetarëve për mbrojtjen e Lumëbardhit, në mënyrë që të bëhet balancim i drejtë në mes të interesave të qytetarëve për mbrojtje të mjedisit, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të zhvillimit të hidroenergjisë.

Reagimi vjen pas shprehjes së pakënaqësive të qytetarëve lidhur me ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lumbardhë.

Avokati i Popullit kërkon që shteti ta vlerësojë me kujdes interesin në mes të  rëndësisë së prodhimit të energjisë përmes hidrocentraleve në raport me ndikimin në mjedis, që mund të jetë i rëndë.

-Advertisement-

Për më tepër, Avokati i Popullit rikujton të gjithë se e drejta e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e vendit dhe me standardet ndërkombëtare, proces i cili i jep mundësi secilit që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor.

“Institucionet duhet ta respektojnë të drejtën e qytetarëve për informim për çështjet mjedisore, si proces i pashmangshëm, i cili duhet t’i paraprijë çdo projekti me ndikim në mjedis. E drejta për informata mjedisore, e drejta e publikut në vendimmarrje mjedisore dhe qasja në drejtësi janë të drejta të njeriut dhe parime mbi të cilat bazohet i tërë legjislacioni që rregullon fushën e mjedisit në vend”, përfundon reagimi./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera